LAJMI I FUNDIT:

FMN: Pandemia COVID-19 pritet ta varfëroj çdo qytetarë të Shqipërisë me 360 euro

FMN: Pandemia COVID-19 pritet ta varfëroj çdo qytetarë të Shqipërisë me 360 euro

Të ardhurat për frymë të shqiptarëve në vitin 2020 pritet të ulen me 425 dollarë [360 euro] ose me gati 8 për qind në krahasim me vitin e mëparshëm.

Sipas tabelave të përditësuara të Fondit Monetar Ndërkombëtar, në terma nominalë, të ardhurat për frymë të çdo individi, me çmimet aktuale (në dollarë për frymë) pritet që në vitin 2020 të zbresin në 4,898 dollarë [rreth 4,200 euro] nga 5,323 dollarë [mbi 4,500 euro] një vit më parë.


Në total, sipas shifrave të FMN-së, vendi pritet të humbasë 1.24 miliardë dollarë këtë vit, shumë që është sa 8 për qind e të ardhurave vjetore në 2019-në.

Kjo tendencë, e rënies së të ardhurave për frymë po konstatohet në të gjithë botën, për shkak të pasojave që dha në ekonomitë globale karantina me synim parandalimin e infeksionit të COVID-19 dhe pasigurive që ende po vazhdojnë, duke ngritur shumë pasiguri për të ardhmen.

Në rajon, Shqipëria me 425 dollarë [360 euro] dhe Mali i Zi me 892 dollarë [760 euro] pritet të kenë rënien më të lartë të të ardhurave për frymë, për shkak të tkurrjes më të lartë ekonomike të parashikuar për këto vende, që janë të lidhura me turizmin. Për maqedonasit humbja do të jetë minimale, apo 90 dollarë [75 euro] dhe për boshnjakët arrin në 253 dollarë [215 euro] për frymë më pak. Për shtetasit e Kosovës, humbja është 287 dollarë [245 euro] për frymë, me një rënie prej 6.5 për qind. Në rajon, shteti që ka qenë më rezistues ndaj krizës së COVID-19 është Serbia. Ky i fundit është ndër të pakti në botë, ku FMN parashikon që të ardhurat për frymë nuk do të bien, përkundrazi do të rriten lehtë me 90 dollarë [75 euro].

Shqipëria dhe Kosova renditen ndër shtetet më të varfra të Evropës, pa përfshirë shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik. Nga 192 shtete, Shqipëria është e 98-ta në listë dhe Kosova e 108-ta me 4,428 dollarë [3,781 euro] për frymë për 2020. Të ardhurat më të larta për frymë në rajon i ka Mali i Zi, në vendin e 77-të në botë me 8,825 dollarë [7,500 euro], pothuajse sa dyfishi i trojeve shqipfolëse. Më pas renditet Serbia, e 80-ta me 7,382 dollarë [6,700 euro], Maqedonia e Veriut e 90-ta me 6,018 dollarë [5,139 euro] dhe Bosnja e Hercegovina e 92-ta me 6,015 dollarë [5,136 euro].

Fondi në Pasqyrën e fundit Ekonomike të muajit tetor, vlerëson se tkurrjen më të fortë në rajon pritet ta ketë Mali i Zi me 12 për qind, e ndjekur nga Kroacia me 9 për qind dhe më pas renditet Shqipëria në të njëjtat nivele me Kosovën me 7.5 për qind secila. Të tre shtetet bregdetare, Kroacia, Mali i Zi dhe Shqipëria kanë një varësi të lartë nga turizmi, që ka qenë ndër sektorët më të goditur nga pandemia COVID-19. Krizën pritet ta ndiejë më pak Serbia, që parashikohet të ketë një rënie prej me 2.5 për qind. Maqedonia e Veriut do të tkurret me 5.4 për qind, kurse Bosnja e Hercegovina me 6.5 për qind.

Më herët, Banka Botërore në raportin e saj të fundit të Rishikimit Ekonomik të vjeshtës për Evropën dhe Azinë Qendrore, evidenton në seksionin për Shqipërinë, se kriza po shton varfërinë, kryesisht nëpërmjet rritjes së papunësisë. Sipas vlerësimeve të bankës, pavarësisht masave që janë marrë, varfëria e moderuar (përqindja e popullsisë që jeton me më pak se 5.5 dollarë për person në ditë, të vlerësuara sipas barazisë së fuqisë blerëse, që eliminon diferencat e çmimeve mes vendeve) pritet të rritet me rreth 5 pikë përqindjeje. Aktualisht, ky tregues sipas tabelave të Bankës është 35.6 për qind. Pas krizës, rreth 41.5 për qind e popullsisë do të jetojë me më pak se 5.5 dollarë në ditë (sipas barazisë së fuqisë blerëse).

Sipas raportit të Bankës Botërore, mbyllja e bizneseve, operacionet e zvogëluara dhe ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit dëmtuan prodhimin. Sektori i turizmit, një faktor kyç i rritjes, ka qenë shumë i prekur. Konsumi dhe vendimet për investime janë vonuar. /Telegrafi/