Fluturoi, fluturoi.... shteti!
Në vend të babadimrit me slitën e tërhequr nga drerët, në fund të këtij viti kosovarëve do iu parafytyrohet fluturimi i parasë publike jashtë vendit. Ky vit tregoi maninë e Qeverisë për ta nxjerrë paranë publike jashtë Kosove. Mirëpo, duke e përcjellë këtë fluturim të parasë publike mund të gjejmë lidhjet mes kryeministrit Thaçi dhe grupeve të interesit që vijnë nga vendet që janë kundër pavarësisë së Kosovës dhe mes kryeministrit Thaçi dhe presidentit Tadiq
5.7 milionë euro, 49 milionë euro, mbi 50 milionë euro, 27 milionë euro, 50 milionë euro, prapë 50 milionë euro, 10 milionë euro, 500 milionë euro, 47 milionë euro. Këto janë shifra që më sillen nëpër kokë kur mendoj mbi tenderët që çuan ose desh i çuan parat tona jashtë vendit.
Tenderë për përmirësimin e imixhit të Kosovës, tenderë për riparimin e shiritave transportues në KEK e për importimin e rrymës, tenderë për shtypjen e fletëvotimeve (fletëvotimet shtypen në Kosovë vetëm parat i merr një kompani sllovene!), tenderë për pajisjen me kompjuterë të shkollave publike, tenderë për pasaportat vetëm një vit para futjes së pasaportave biometrik, tenderë për vlerësimin e kompanive publike, tenderë për vlerësimin e pronave, deri tek tenderë për importimin e mishit!
Një mani e jashtëzakonshme e Qeverisë së Kosovës për të nxjerrë paranë e kosovarëve jashtë vendit. Gjatë këtij viti që po e lëmë pas Kosova thjesht u shndërrua në një tender për të nxjerrë paranë publike jashtë vendit. Zakonisht ofertuesit e huaj i kanë çmimet dyfish më të mëdha sesa ofertuesit e vendit. Mirëpo, në shtetin më të ri në Botë, me buxhetin më të ulët në rajon, çmimi nuk është kriter. Kriteret janë shumë më filozofike sesa çmimi. Koncepti, thonë shpesh ata, koncepti është i rëndësishëm, jo çmimi. Mirëpo asnjëherë nuk shtrohet pyetja, ç’kuptim ka tjetër kriter përveç çmimit për shembull për pajisjen me kompjuterë të shkollave? Ose për shtypjen e fletëvotimeve?
Disa nga këta tenderë, ç’është e vërteta, janë anuluar. Janë anuluar për shkak se thjesht u zbuluan nga media, jo pse dikush vendosi interesin e qytetarit para atyre që porosisin tenderët. Natyrisht kishte shumë tenderë që u denoncuan nga mediat dhe në nja dy ose tre raste është vendosur të anulohen ata. U anuluan se vërtet ishin bizarë, ishin paradoksal. Për shembull tenderi për importimin e mishit. A ka kund një rast që qeveria hap tender për importimin e mishit? Ky treg është tërësisht në duart e sektorit privat kudo dhe vet-rregullohet si i tillë. Ky tender u anulua pas një presioni të fortë publik ndaj qeverisë, por asnjëherë, askush, nuk dha përgjegjësi dhe as u përpoqëm ta mësojmë nga erdhi shtytja për një vendim të tillë paradoksal. Ose ta marrim për shembull tenderin për pajisjen e shkollave me kompjuterë... Çmimi i ofertuesit të shpërblyer, kompani e huaj natyrisht, ishte plot 24 milionë euro më i lart sesa ai i ofertuesit të dytë. Oferta? Si mund të jetë një ofertë për kompjuterë ta zëmë të firmës Dell më atraktive sesa oferta tjetër që ofron po Dell e që kushton 24 milionë euro më pak? Edhe ky tender u anulua pasi që “Koha ditore” e denoncoi atë publikisht, por a duhet të mjaftohemi me kaq? Mos do duhej që dikush që e ka kurdisur këtë tender të jepte përgjegjësi?
Nëse e përcjellim rrjedhën e parasë publike të kosovarëve jashtë "NewBorn-it" shohim edhe lidhje tjera, madje lidhje që do të na befasojnë. Kryeministri i Kosovës, për shkak të obligimeve që i ngelen ndaj kompanive të marketingut nga fitorja në zgjedhjet e 2007, po vazhdon të qëndrojë peng tek disa grupe të interesit, të cilat sot po na i kontrollojnë politikat tona të shpenzimeve të parasë publike. Mania e kësaj qeverie për të nxjerrë paranë publike jashtë vendit mund të shpjegohet vetëm me faktin se kryeministri i Kosovës këshilltarët që vendosin mbi paranë publike i ka të huaj. Ku ka një vend që një qeveri i jep 5.7 milionë para të thata për përmirësimin e imazhit të vendit në arenën ndërkombëtare një kompanie që ia bëri fushatën partisë së kryeministrit dhe gjithçka shihet si normale? Përveç kësaj kjo kampanje në vend se të bëhet jashtë vendit fokusohet për krijimin e opinionit publik brenda, gjatë fushatës zgjedhore. "Kosovo the young europeans", insistojnë qindra posterë e faqe gazetash, që sikur dëshirojnë të na bindin se 5.7 milionë eurot për imazhin e vendit ia ka vlejtur.
Edhe në këtë tender fituesi mori çmim dyfish më të madh sesa ofertuesi i dytë.. Mirëpo, kjo fushatë e ka edhe një anë tjetër jo fort të hulumtuar. Kryeministri që thotë se po ia sjell pavarësinë vendit të tij ka për këshilltar një qytetar të një vendi që nuk e pranon pavarësinë. Edhe më keq akoma. Kryeministri i vendit pavarësia e të cilit luftohet nga një shtet fqinj ka këshilltarin e njëjtë me presidentin e po këtij vendi. Kryeministri ynë Hashim Thaçi, ka pasur për këshilltar George Birnbau, të njëjtin person që ka sjellë në pushtet presidentin serb, Boris Tadiq. Mbase nga këtu mund të shpjegohet mania për ta nxjerrë paranë publike jashtë vendit, sidomos mania që këto para t’u jepen bizneseve serbe. Cila është kronologjia e kapjes së kryeministrit tonë?
Në pranverën e vitit 2007, ish udhëheqësi i partisë kryesore opozitare Hashim Thaçi bëri një vizitë në shtetin e Izraelit. Prej atje ai u kthye me një këshilltar që qëndroi pak a shumë anonim për vitet që pasuan. Është përfolur shumë se kjo vizitë e Thaçit është organizuar nga kompania izraelito-greke që privatizoi Ferronikelin për ta heshtur PDK-në në denoncimin që i bënte korrupsionit në privatizimin e kësaj kompanie. Për shkak të korrupsionit në privatizim sot e kësaj dite ne i paguajmë kësaj kompanie gjysmën e energjisë elektrike duke humbur kështu rreth 20 milionë euro në vit. PDK-ja heshti për Ferronikelin me tu kthyer nga kjo vizitë në Izrael, e paraja e kosovarëve filloi të fluturoi.
Që nga ky moment mbi shumat më të mëdha për tenderë dhe projekte duket të ketë vendosur pikërisht ky grup interesi që na doli të jetë fort i lidhur me udhëheqësin e Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Ramën, me ish-udhëheqësin Fatos Nanon dhe me udhëheqësin aktual serb, Boris Tadiq. “Këshilltarët ndërkombëtar për ekonomi” bashkëkombës të Birnbau, sot duket se vendosin për paranë publike në Kosovë. Për shembull, në e-mailet e këtyre “këshilltarëve ndërkombëtarë” shkojnë kërkesa nga udhëheqësi i projektit “Kosova e Re” me pyetjen: “Sa para ka Qeveria e Kosovës për të paguar blerjen e ekskavatorëve të rinj për KEK?”. Pothuaj se secili projekt e tender i rëndësishëm duket të ketë kaluar nëpër duart e njerëzve të këtij grupi të interesit. Ka dikush ide se si mund të quhet ndryshe kjo përveçse kapje e shtetit? Apo thënë më mirë, meqë fjala është për këshilltarë që vijnë nga shteti që nuk e ka pranuar pavarësinë e Kosovës, Izraelit, dhe të njëjtit janë edhe këshilltarë të shtetit që lufton pavarësinë e Kosovës, Serbisë, mbase kjo mund të quhet fluturimi i shtetit?
(Autori është bashkëthemelues i Organizatës ÇOHU!)



































