Florence Pugh zbulon për sëmundjen që u përball që nga fëmijëria: Nuk mund të merrja frymë

Florence Pugh ka folur hapur për problemet e saj shëndetësore “të frikshme dhe intensive”, teksa rrëfeu për fëmijërinë e saj “traumatike” në një intervistë të re.
Aktorja, 29 vjeçe, kaloi një pjesë të madhe të fëmijërisë në spital, pasi u diagnostikua me trakeomalaci që kur ishte e vogël.
Florence zbuloi se që nga momenti kur lindi, kishte “diçka që nuk shkonte” me të, dhe askush nuk dinte saktësisht çfarë, përveç faktit që ajo nuk mund të merrte frymë normalisht.
Ylli i filmit Little Women tha se gradualisht ka “përmirësuar” gjendjen si e rritur, por kur sëmuret tani mund të jetë “mjaft frikësuese”, pasi ende ka një “aftësi të kufizuar në fytin e saj”.
Duke folur në podcastin e Louis Theroux, ajo shpjegoi:
“Kam një problem me frymëmarrjen, i cili është përmirësuar teksa u rrita. Kur linda, tubat e frymëmarrjes ishin shumë të butë, kam trakeomalaci dhe kur u bë skanimi dukej diçka e sheshtë mbi gjoksin tim.
“Që nga fillimi diçka nuk shkonte dhe unë dëgjohesha si një gjel. E qeshura ime është pak e ngjashme me atë sesi dëgjohesha atëherë. Pastaj kalova shumë vite me ulje-ngritje, gjë që ishte traumatike për mamanë dhe babanë tim”.
“Askush nuk e dinte saktësisht çfarë kisha, thjesht e dinin që nuk mund të merrja frymë dhe kjo ndikon në sistemin imunitar. Është thjesht një aftësi e kufizuar në fytin tim. Nuk sëmurem më shpesh si dikur, por kur sëmurem si e rritur bëhet mjaft frikësuese dhe intensive”.
“Zakonisht sëmurem pas periudhave të gjata pune, si gjatë turneve për promovime ose gjatë xhirimeve të një filmi të gjatë, dhe pastaj trupi im ndalon; dikush ka ftohje dhe unë e marr, dhe shpejt kthehet në një infeksion të mushkërive, i cili duhet ndalur menjëherë”.
Florence, e cila vjen nga Oxfordshire dhe ka tre vëllezër e motra, shpjegoi se frymëmarrja e saj ishte aq e keqe gjatë fëmijërisë sa familja e saj u zhvendos në Spanjë, për shkak të motit më të mirë.
“Kur isha më e re ishte shumë frikësuese, sepse shkoja shpesh e vija në spital dhe merrja pneumoni. Nënës sime nuk i pëlqen shumë të flasë për këtë periudhë, ka qenë një kohë shumë e frikshme. Kujtoj trupin tim të lodhur dhe duke shkuar e ardhur në spital për vite me radhë”.











































