LAJMI I FUNDIT:

Flora Brovina flet për fotografinë e përfolur që prezantoi në Kuvend: Jam shumë e prekur nga reagimi i shoqatave të grave

Flora Brovina flet për fotografinë e përfolur që prezantoi në Kuvend: Jam shumë e prekur nga reagimi i shoqatave të grave

Ish-deputetja e PDK-së, Flora Brovina është rikthyer në televizion për të folur për çështjen e shumë diskutuar të fotografisë që ajo ka prezantuar në Kuvendin e Kosovës.

Brovina në “Personale” me Krenare Vokshi-Shala në RTV Dukagjini, ka thënë se fotografia i është dhënë kur ajo ishte në krye të Komisionit parlamentar për gratë e dhunuara gjatë luftës, përcjell Telegrafi.


Ajo thotë se është faji i saj që nuk e ka verifikuar fotografinë por shton se i ka mbetur hatri që shumë aktiviste tjera e kanë parë këtë foto edhe më parë e nuk kanë reaguar.

“Presidentja e ka ditur saktë çfarë kamë bërë për gratë e dhunuara…Unë habitem me reagimet e grave nga shoqata të ndryshme që të gjitha u ngritën kundër meje…Këto reagime më kanë prekur jashtëzakonisht shumë”.

Brovina thotë se e prekur është ndjerë edhe nga reagimi i PDK-së që kanë thënë se “ata janë dëmtuar më së shumti nga publikimi i asaj fotografie”.

Ajo thotë se askush nuk e komentoi fotografinë tjetër që e ka prezantuar të vajzës shtatë vjeçare që vdiq gjatë dhunimit.

Ish-deputetja e PDK-së thotë se megjithatë ngjarja e fotografisë nuk ka ndikuar që ajo të mos kandidoj për një mandatë tjetër.

“Gjashtë mandatë janë të mjaftueshme për gjithkënd. Unë para disa ditëve festova 70 vjetorin e lindjes dhe them se karriera ime politike ishte e mjaftueshme”, tha ndër të tjera Flora Brovina./Telegrafi/