FKEE hap konkursin kombëtar “Ide të ndritshme për një të ardhme të gjelbër”

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) ka lansuar sot Konkursin Kombëtar për Shkollat Fillore të Mesme të Ulëta me temën “Ide të ndritshme për një të ardhme të gjelbër” — një iniciativë që synon të frymëzojë nxënësit e rinj në mbarë vendin për të menduar në mënyrë kreative dhe të qëndrueshme për të ardhmen e energjisë, përcjell Telegrafi.
Konkursi është i hapur për nxënësit e klasave VI deri IX nga shkollat publike dhe private të Kosovës, përfshirë pjesëmarrës nga të gjitha komunitetet. Qëllimi i tij është të nxisë kreativitetin, mendimin kritik dhe ndërgjegjësimin për rëndësinë e efiçiencës së energjisë dhe përdorimit të burimeve të ripërtëritshme.
Konkursi do të zhvillohet në tri kategori:
Ese: “Një e nesërme më e gjelbër – Vizioni im për Efiçiencën e Energjisë dhe Energjinë e Ripërtëritshme”;
Vepër artistike: “Energjia për të ardhmen – Një Shprehje Krijuese”;
Instalacion kreativ: “Shpikja ime e qëndrueshme”.
Afati për dorëzimin e punimeve është 20 nëntor 2025, ndërsa fituesit do të shpallen në një ngjarje të veçantë. Të tre vendet e para në secilën kategori do të shpërblehen me pajisje tablet.
Punimet do të vlerësohen nga një juri profesionale, e përbërë nga përfaqësues të FKEE-së, artistë, gazetarë dhe ekspertë të fushës së energjisë dhe mjedisit.
Nga FKEE theksojnë se ky konkurs është pjesë e misionit të institucionit për të promovuar kulturën e kursimit të energjisë dhe përdorimin e burimeve të qëndrueshme në të gjitha nivelet e shoqërisë.
🔗 Për më shumë informacione mbi kriteret e pjesëmarrjes dhe mënyrën e aplikimit, vizitoni faqen zyrtare të FKEE-së: www.fkee-rks.net. /Telegrafi/

















































