LAJMI I FUNDIT:

Fjalët kushtojnë më pak sesa reduktimi i emetimeve

Fjalët kushtojnë më pak sesa reduktimi i emetimeve

Bjorn Lomborg

Më herët këtë muaj, Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar deklaroi se planeti po përballet me një “emergjencë klimatike”, duke e bërë Mbretërinë e Bashkuar vendin e parë që e bën këtë, pas qyteteve si Los Anxhelos, Londër, Vankuver dhe Basel. Është një lëvizje që përmbledh gjithçka që është e gabuar me politikën e klimës: politikanët po bëjnë deklarata madhështore dhe të frikshme që janë ndryshe nga realiteti ekonomik, si dhe nga ajo që do të rregullojë problemin që ata pretendojnë se po trajtojnë.


Retorika politike është e lirë, por reduktimet drastike në emetimet e dioksidit të karbonit mbeten tepër të shtrenjta dhe sfiduese teknologjikisht. Në fund të fundit, reduktimet e emetimeve janë premtuar (dhe kryesisht nuk janë zbatuar) që nga “Samiti i Tokës” në Rio de Zhaneiro në vitin 1992.

Reduktimi i emetimeve të CO2 në zero deri në vitin 2050 ose më shpejt është qëllimi ambicioz që po kërkohet nga protestuesit për mjedisin si Extinction Rebellion dhe është miratuar nga politikanët në mbarë botën, duke përfshirë edhe disa kandidatë presidencialë të SHBA. Këta protestues dhe politikanë marrin shumë vëmendje, por propozimet e tyre do të kishin kosto shumë më të larta sesa është i gatshëm të paguajë çdo elektorat.

Megjithëse sondazhet tregojnë se njerëzit i kanë përzemër ndryshimet klimatike dhe duan të shpenzojnë një sasi relativisht modeste për ta ndrequr këtë. Ata duan që të shpenzohet më shumë për arsim, shëndetësi, mundësi punësimi dhe mbështetje sociale. Shumica e amerikanëve, për shembull, janë të gatshëm të paguajnë deri në 200 dollarë në vit për të luftuar ndryshimet klimatike. Në Kinë, shuma është rreth 30 dollarë. Britanikët nuk janë të gatshëm të ulin ndjeshëm shpenzimet e tyre për karburant makine, udhëtime dhe konsum mishi për të luftuar ndryshimet klimatike. Edhe pse qeveria gjermane i jep përparësi masave ndaj ndryshimeve klimatike, aq shumë saqë ka mbledhur një “kabinet klimatik”, vetëm një e treta e gjermanëve mbështesin një taksë polemike të propozuar për të reduktuar ngrohjen globale.

Hendeku midis politikanëve dhe qytetarëve është më i dukshëm në Francë. Qeveria u zotua të reduktonte ndjeshëm emetimet e CO2 deri në vitin 2050, por, në mënyrë të turpshme, kjo është shndërruar në një premtim bosh, me pothuajse asnjë masë domethënëse të miratuar nga presidenti Emmanuel Macron. Kjo për shkak se jelekverdhët dolën në rrugë për të protestuar kundër vendimit të qeverisë për të rritur çmimin e karburantit, gjë e cila prek në mënyrë disproporcionale njerëzit që varen nga automjetet në zonat rurale.

Franca nuk është e vetmja që lë pasdore premtimet. Analiza e fundit tregon se nga 185 shtetet që kanë ratifikuar marrëveshjen e klimës 2015 të Parisit, vetëm 17 – duke përfshirë Algjerinë dhe Samoan – po i përmbushin në fakt angazhimet e tyre.

Arritja e emetimeve zero nuk do të kushtonte thjesht pak më shumë sesa janë të gatshëm të paguajnë njerëzit, por do të kushtonte shumë më tepër se aq. Modelet kryesore ekonomike që vlerësojnë planin e Bashkimit Europian për të ulur emetimet me “vetëm” 80 për qind deri në vitin 2050, për shembull, vlerësojnë kostot mesatare vjetore prej së paku 1.4 trilion dollarë amerikanë. Dhe zotimi relativisht i paqartë i Meksikës për të ulur emetimet e saj me 50 për qind deri në vitin 2050 me shumë gjasa do të kushtojë 7-15 për qind të GDP-së.

Një raport i komisionuar nga qeveria e Zelandës së Re për të studiuar premtimin e saj për neutralitetin e karbonit deri në vitin 2050, gjeti se kostoja vjetore e përmbushjes së këtij synimi në vitin 2050 dhe çdo vit pasues do të ishte më i lartë sesa buxheti vjetor aktual i vendit. Për më tepër, ky vlerësim supozon që politikat të vihen në zbatim në mënyrë sa më efikase që është e mundur. Në realitet, asnjë qeveri nuk arrin ta bëjë këtë – kështu që kostoja e reduktimit të emetimeve të dioksidit të karbonit lehtësisht mund të dyfishohet. (Qeveria e Zelandës së Re është përpara me politikën e saj, pavarësisht kësaj.)

Kostot e reduktimit të emetimeve janë kaq të larta sepse ne të gjithë jemi krejtësisht të varur nga lëndët djegëse fosile. Alternativat e energjisë së gjelbër, duke përfshirë atë të diellit dhe erës, në përgjithësi nuk janë gati për të konkurruar. Si rezultat, politikat që i detyrojnë njerëzit dhe bizneset të kalojnë në teknologji të papjekura do të ngadalësojnë rritjen dhe do të përkeqësojnë varfërinë energjetike.

Kjo është edhe arsyeja pse bota është shumë më pas në “kalimin e energjisë”, sesa kuptojnë shumica e njerëzve. Energjia diellore dhe ajo e erës së bashku aktualisht garantojnë rreth 1 për qind të energjisë globale dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë vlerëson se kjo do të arrijë në vetëm 4.1 për qind deri në vitin 2040. Vaclav Smil, i cili është eksperti i preferuar i energjisë i Bill Gates, thotë se “pretendimet për një kalim të shpejtë në një shoqëri me zero emetime karboni janë thjesht gjepura”, duke shtuar se “edhe një zhvendosje shumë e përshpejtuar drejt energjisë së rinovueshme nuk do të ishte në gjendje të zëvendësonte lëndët djegëse fosile tek kontribuuesit e furnizimit global të energjisë tani afër, sigurisht jo deri në vitin 2050”.

Shumë nga deklaratat e sotme politike dhe protestat për ndryshime klimatike po nxiten nga besimi i përhapur që Paneli Ndërqeveritar i Kombeve të Bashkuara mbi Ndryshimet Klimatike (IPCC) na tha se na kanë mbetur vetëm 12 vjet për të shpëtuar planetin. Ky është thjesht një keqkuptim i asaj që tha IPCC. Panelit u kërkua të përcaktonte se cilat politika do të ishin të nevojshme për të arritur objektivin pothuajse të pamundur për të mbajtur rritjen e temperaturës nën 1.5 gradë Celsius. IPCC u përgjigj se kjo do të ishte pothuajse e pamundur, duke kërkuar një transformim total ekonomik në 12 vjet.

Në fakt, raporti i fundit i fundit i IPCC-së tha se nëse nuk bëjmë asgjë për të ndaluar ndryshimet klimatike, ndikimi do të jetë i barabartë me një reduktim të të ardhurave të përgjithshme prej 0.2-2 për qind deri në vitet 2070 – e ngjashme me efektin e një recesioni ekonomik.

Në vend që të ndjekim objektiva të kushtueshme dhe jorealiste për reduktimin e emetimeve, ne duhet t’i përgjigjemi ndryshimeve klimatike duke arritur një çmim të energjisë së ardhshme të gjelbër më të ulët sesa ai i lëndëve djegëse fosile në mënyrë që të gjithë të mund ta përballojnë kalimin. Një kalim i vërtetë te kjo kërkon investime në studimin dhe zhvillimin e energjisë së gjelbër.

Copenhagen Consensus, qendra që unë drejtoj, mblodhi më parë një panel ekspert ekonomistësh, duke përfshirë tre fitues çmimesh Nobel, për të diskutuar mbi zgjidhjet për ndryshimet klimatike. Paneli arriti në përfundimin se shpenzimet e R&D për energjinë e gjelbër duhet të rriten në mënyrë dramatike, në 0.2 për qind të GDP-së globale. Kjo do të ishte një mënyrë më ekonomike dhe më efikase për të zgjidhur problemin e klimës.

Deklarimi i një “emergjence klimatike” del në titujt kryesor të lajmeve dhe kjo i bën politikanët dhe aktivistët të ndihen më mirë. Por fjalët boshe që shpërfillin realitetin ekonomik dhe mendimin praktik nuk do ta ndihmojnë planetin. /Project Syndicate/BIRN/

Në trend

Më shumë
Granit Xhaka 'mbulohet' me para nga Leverkuseni me fitimin e titullit në Bundesligë

Granit Xhaka 'mbulohet' me para nga Leverkuseni me fitimin e titullit në Bundesligë

Bundesliga
Çfarë është përgjysmimi i Bitcoin dhe pse ka rëndësi?

Çfarë është përgjysmimi i Bitcoin dhe pse ka rëndësi?

Botë
Trajneri i Fiorentinës shkaktoi skandal në Ligën e Konferencës - puthi gazetaren italiane

Trajneri i Fiorentinës shkaktoi skandal në Ligën e Konferencës - puthi gazetaren italiane

Ligat tjera
Treni në Japoni u nis me 17 minuta vonesë: Kur pasagjerët dëgjuan arsyen, askush nuk u zemërua

Treni në Japoni u nis me 17 minuta vonesë: Kur pasagjerët dëgjuan arsyen, askush nuk u zemërua

Azia
U hodh nga shkëmbi famëkeq në det, por britaniku gjykoi gabimisht: Videoja horror po përhapet në rrjetet sociale

U hodh nga shkëmbi famëkeq në det, por britaniku gjykoi gabimisht: Videoja horror po përhapet në rrjetet sociale

Evropa
Senzacioni brazilian i futbollit, Endrick dhe e dashura e tij kanë nënshkruar një 'kontratë' lidhjeje me disa klauzola të çuditshme

Senzacioni brazilian i futbollit, Endrick dhe e dashura e tij kanë nënshkruar një 'kontratë' lidhjeje me disa klauzola të çuditshme

Magazina
Kalo në kategori