LAJMI I FUNDIT:

Fjalë të urta me vlerë ari

Fjalë të urta me vlerë ari

Shkrimtari e publicisti, Abdirahim Idrizi, për vite të tëra në notesin e tij ka shënuar fjalë të urta dhe sentenca, pjesa më e madhe e së cilave lidhet me përvojën e tij jetësore dhe sfidat, që ka kaluar gjatë shtatë dekadave të jetës


Shkruan: Demir Reshiti

Autori mblodhi fjalë të urta (dhe terma të lidhura), pothuajse gjatë gjithë jetës së tij dhe i shkroi e sistemoi ato. Duke qenë njëri nga miqtë e tij të afërm dhe duke e njohur për së afërmi krijimtarinë publicistike të Abdirahimit, shpeshherë e kam inkurajuar që fjalët e shënuara t’i sistemojë për t’i botuar, gjë që edhe e bëri, duke ia ofruar lexuesit të tij besnik.

Autori, nëpërmjet fjalëve e shprehjeve të urta e të arta, të cilat në të shumtën e rasteve janë mësime të nxjerra nga jeta, mëton t’iu ofrojë lexuesve këshilla me vlerë, në mënyrë që do t’iu shërbenin atyre për t’u ballafaquar me sfidat, që sjell jeta. Abdirahimi përmes këtyre shprehjeve me vlerë, pos që i qet në sipërfaqe dukuritë negative të shoqërisë, jep edhe këshillat e tij se si duhet dalë nga kjo situatë, madje duke dhënë shembuj dhe ide konkrete.

Konsideroj se autori në këtë libër vazhdon përpjekjet për të ndarë përvojat jetësore e intelektuale me lexuesit e tij, të cilët i vlerëson shumë. Madje në disa raste ai u drejtohet atyre në veten e parë!

Disa nga fjalët e urta, nga koleksioni i Abdirahim Idrizit, janë të njohura edhe nga burime të tjera të materialit paremiologjik dhe disa nga to shfaqen të shkruara në variante. Por edhe kur shembujt dhe versionet ndahen, tashmë të njohura, mbeten me qindra urtësi të përmbledhura, të mprehta e piktoreske, që nuk mund të lexohen askund tjetër. Këto do të shtojnë interesimin e lexuesit dhe do të shërbejnë si material me vlerë për studiuesit e sotëm të kësaj fushe.

Libri hapet me një falënderim që autori ua bën të gjithë atyre që, në një mënyrë apo tjetër, kanë kontribuuar, që ky libër ta shohë dritën e botimit. Autori thekson se mesazhet dhe këshillat e publikuara në këtë përmbledhje janë nga jeta e tij, duke shtuar se të njëjtat mund t’i kenë thënë edhe të tjerët para tij. Ai shpreh besimin se edhe të tjerët pas tij do t’i plotësojnë këto mesazhe.

E gjithë lënda e shtruar, brenda kapakëve të këtij libri, ndahet në katër pjesë. Në kapitullin e parë prezantohet një numër i konsideruar i mesazheve të ndryshme e ndër të tjera edhe sekreti i numrit shtatë, thëniet e zgjedhura për jetën dhe të dhëna interesante për Shoqërinë e Mosuove. Autori në këtë kapitull i ofron lexuesit edhe një lloj çelësi për ta ndryshuar jetën. Ndërsa kapitulli përmbyllet me amanetin e shkrimtarit Gani Xhafolli, tashmë të ndjerë, për autorin e librit, Abdirahim Idrizi.

Në kapitullin e dytë zënë vend fjalët e arta dhe mesazhet për punën e suksesin. Autori aty jep dhe përmend shumë raste nga përvoja e tij jetësore, nga sukseset e sfidat dhe, gjithashtu, publikohen fjalë të
urta e shprehje nga njerëzit, që i ndërruan faqen botës, si dhe disa porosi me vlerë nga filozofi skocez, Adam Smith.

Mjaft interesante janë edhe mendimet aforistike dhe mesazhet për dashurinë, të cilat autori i ka pasur të publikuara në rrjetet sociale edhe në portalin telegrafi.com. Këto mendime dhe mesazhe janë përmbledhur në kapitullin e tretë, të titulluar “Mesazhe dashurie”. Në këtë kapitull autori na ofron mesazhe interesante mbi fuqinë e dashurisë, mbi martesën dhe mbi lumturinë.

Libri mbyllet me kapitullin e katërt, të titulluar “Të qeshim pak”, që mund ta quajmë edhe si qershia mbi tortë, ngase lexuesi relaksohet me dromca humori, të cilat autori i ka përzgjedhur me delikatesë.

Lexuesi i këtij libri konsiderohet me fat, ngase ka në dorë një vepër, që nuk e ka pasur kurrë më parë jo vetëm për shtrirjen e saj, por edhe për ambicien dhe gjerësinë e interesit të vetë autorit, i cili këto fjalë i ka mbledhur e sistemuar si bleta nektarin. Autori jo vetëm që i hodhi në letër të bardhë këto fjalë e shprehje të arta, por edhe u përpoq të bënte një lloj panorame të fjalëve të urta më të rëndësishme të kohës së tij, duke i vargëzuar si rruazat në këtë gjerdan me gurë të çmuar popullor.

Së fundi, vlen të theksohet se ky libër me fjalë të urta është një pasqyrë e artë jo vetëm e urtësisë shekullore shqiptare, por edhe e një mësimi që koha nuk do të mund ta zhvlerësojë. /Telegrafi/