Rrëfimi për dy barinj shqiptarë që shkuan vullnetarë të luftojnë përkrah ushtrisë osmane në Çanakala jetoi njëqind vjet. Kadri e Hajredin Jashari i kishin lënë delet në kullosë, janxhiket varë në lis dhe kishin udhëtuar drejt Shkupit. Ata nuk i kishin treguar askujt. Familjet e tyre i kishin kërkuar disa ditë andej bjeshkës ku i kullosnin delet, por kot.

Idriz Jashari, i ati i Kadriut e kishte gjetur pushkën “kaçepshtrembt”, aty ku e fshihnin zakonisht sa herë kishin nevojë babë e bir.


Atë ditë që Idrizi kishte gjetur pushkën fshehur në shkurre, ia kishte pre mendja se i biri dhe i vëllai vërtetë kanë shkuar vullnetar në luftë. Pasi nuk kishin marr kurrë asnjë lajm, familja e tyre nuk e kishin humbur shpresën që ata një ditë do të kthehen të gjallë. Hajredini kishte qenë i njohur shumë më parë. Ai kishte shërbyer katër vjet në ushtrinë osmane dhe pas shumë luftërave qe kthyer i gjallë. Ishte kohë e mugët, kur edhe emrat e atyre që kishin shkuar vullnetarë në luftën e Çanakalasë ishin mbajtur sekret.

Akoma nuk kishte arritur pranvera. Kodrat dukeshin lara- lara pasi bora kishte filluar të shkrihet. Kadriu i lëshonte delet sa për t’i nxjerrë nga vathi, për të shëtitur pak. Çdo ditë merrte me vete pushkën, të cilën e quanin kaçepshtremtë. (Ashtu është quajtur një model i pushkës osmane.)

Ishte ditë e premte. Hajredini kishte vajtur në Shkup për të fal xhumanë. Hajredini e Kadriu ishin bari delesh dhe shokë të pandarë, mixhë e nip. Kadriu sapo kishte mbushur të njëzetat ndërsa Hajredini afër të pesëdhjetave. Pasi Hajredini ishte më i vjetër dhe pasi e kishte mbaruar ushtrinë e rregullt në armatën osmane, iu kishte bërë shprehi, që sa herë kishte mundësi, të premten priste trenin që akoma lëvizte nga Shkupi për Selanik, për të falur xhumanë. Për delet e tija atë ditë kujdesej Kadriu.

Të shtunën, i kishin lëshuar delet bashkë dhe askujt nuk i kishin thënë asnjë fjalë.

- Kadri! Dje në Shkup kam dëgjuar lajme të këqija! Të gjithë flisnin se shtat krajlat kishin mësy me marr Stambollin. Ai imami i xhamisë na tha kush të mundet të shkojë vullnetar me ndihmua ushtrinë perandorake, le të niset fill.

- Hajredin! A shkojmë të dy? - foli Kadriu sikur të ishte kjo punë asgjë.

- Nëse pajtohesh shkojmë sot? - ishte përgjigjur Kadriu

- Unë kam dashur të shkoj dje dhe nuk do me kishe parë sot fare, por jam goxha ma i vjetër se ti dhe mendova që të mos ndahemi, kishte folur Hajredini..

Të dy kishin nga një copë bukë në janxhik.

- I lëmë janxhikët var në lis dhe ecim?! - tha Kadriu

- Buka na duhet për rrugë! - foli Hajredini.

- Po delet? - pyeti Kadriu.

- Delet kthehen vetë në mbrëmje, por pa çoban!

Nuk kishin pasur më shumë fjalë atë ditë. Ishin lëshuar nga kodra drejt hekurudhës, por ata akoma nuk kishin kuptuar se treni më nuk po qarkullonte nga Selaniku për Shkup. Udhëtuan këmbë deri në Shkup. Aty kishte edhe shumë njerëz që kishin marr vendim të njëjtë. U bashkuan plot tri qerre të kuajve me njerëz moshash të ndryshme, dhe të gjithë të fortë akoma. Ashtu preken një natë edhe rrugët e Selanikut.

Lëvizja e vaporeve akoma ishte e mirë. Për herë të parë në jetën e tij Kadriu e pa detin.

- Po ky uji aq i gjanë, çka është? – pyeti Kadriu Hajredinin.

- Ky është deti, Kadri!- i kishte treguar Hajredini.

Arritja e vullnetarëve pa asnjë përgatitje kishte filluar nga të gjitha anët. Nga anija ku ankorohej, disa njerëz me porosi, vullnetarët i dërgonin në vende të caktuara. Uniforma të ushtrisë nuk po shihnin askund. Ushtria e rregullte moti ishte mobilizuar dhe kishte kohë që po luftonin fyt për fyt me armiq.

Vullnetarët po i strehonin në një barakë të vjetër dërrasash, ndërtuar moti nga ushtria. Të gjithë po prisnin urdhër tjetër.

Shiu megjithëse binte pa ndërprerë, nuk pikonte brenda. Asnjëri nuk kishte gjumë në sy. Hajredini e Kadriu kaluan aty disa net me radhë. Askush nuk fliste se çka po ndodhë dhe ku është fronti i luftës.

Derisa lufta po zhvillohej dhe kishte arritur në pika kritike, me shumë viktima që nuk po arrinin as ti numëronin e as ti varrosnin, një epror ushtarak në uniformë, ishte parë duke ardhur në barakën ku ishin vendosur mijëra vullnetarë. Pak kush e kuptonte gjuhen e tjetrit. Ishin nga anë të ndryshme të perandorisë.

Eprori që erdhi kishte folur shkurt.

- Është luftë! Krejt ju që keni ardhur të ndihmoni jeni të mirëseardhur, por uniforma ushtarake nuk kanë mbetur. Tash secilit i japim një armë, dhe fill pastaj duhet të rreshtoheni ashtu siç jeni, në rrobat tuaja. Shpresojmë që në ndërkohë, me ndihmën e zotit, do të mund të ju veshim edhe juve si duhet e si i ka hije ushtrisë. Qindra qerre kuajsh tashmë kishin arritur pranë barakës. Ato do të ngarkonin ushtarët për ti transportuar natën drejt frontit.

Kishin arritur dy burra shqiptarë, vullnetarë, në vijën e frontit të luftës së Çanakalasë. Derisa Hajredini ishte thelluar në mendime se me çfarë arme do të ngarkohet, Kadriu akoma po mendonte si do të arsyetohet para babait kur të kthehet nga lufta. Megjithëse asnjeri nuk dinte shkrim këndim, Kadriu mendonte si do ti shkruante letër babait!

- Baba!

Po mendoj me ta shkrua një letër, por ti e di, se unë nuk di të shkruaj. Besoj se delet janë kthye në shtëpi. E di se jeni bërë merak për mua duke menduar mos na ka vra dikush në mal. E di ti baba që delet i kemi ruajtur e kullotur përditë bashkë me Hajredinin. Mixha Hajredin e ka pas krye ushtrinë. Ai kupton edhe gjuhën osmane që flitet në ushtri. Atë ditë të shtune, Hajredini me tha se është mirë të shkojmë të luftojmë me ndihmua dovletin se e kanë sulmue të shtat krajlat. Nuk mendova as çka është lufta, por thash mbasi po thotë Hajredini që e ka provue ushtrinë edhe ka qenë në luftë, ai e njeh këtë punë. I rashë trup dhe u nisem bashkë. Kemi ecë këmbë deri në Shkup, por andej na kanë transportua me çka kishin mundësi.

Më në fund, gjithmonë duke udhëtuar natën, kemi mbërri në një farë vendi që quhej Suvla. Aty jemi vendosur në një shtëpi të një fshatari. Aty na kanë caktue kush çka ka me ba.

Hajredinin, mbasi kuptonte çka po i thonë oficerët osman, ata e caktuan si njëfarë zabiti përgjegjës për dhjetë ushtarë. Mixhës Hajredin ia dhanë edhe një armë me gjashtë gryka. Unë nuk kam pa kurrë aso arme. Mua ma dhanë një mauzerë gjermani. Ishte ajo ma e mirë se ajo pushka kaçepshtermbet që e kam pas me veti çdo ditë, kur i rruaja delet tona..

Baba! Ndash me ditë, pasi e kisha pushkën me veti, mendova se pushka të vyen ty në shtëpi dhe e kam fshehur atje te ai lisi i madh, ku e din vetëm ti..

Baba! Hala nuk jam mërzitë fare. Hala nuk e kam provue as këtë pushkën e re që ma kanë dhënë. Fishek na kanë dhënë, por këtu akoma nuk kam kuptua asgjë se qysh do të luftojmë.

Hajredini me thotë vazhdimisht mos ke frikë.

- E kalojmë edhe këtë luftë e kthehemi bashkë. Bile Hajredini, pasi ia dhanë atë armën me gjashtë gryka, u gëzua shumë, Ai po mendon që kur të kryhet lufta ja falin armën, me marrë të shpija. Po mendoj edhe unë se ndoshta edhe mua ma falin mauzerin kur të kthehem në shtëpi.

Baba! Thuaj nënës mos të bahet merak për mua se nuk po mërzitna as nuk po frikohem fare, kur Hajrdini është me mua në çdo hap.

Baba!

Sot, pa u zdritë, na kanë qitë nëpër llogore. Na ushtarët jemi larg njeri tjetrit nga dhjetë e njëzet metra. Mes nesh është Hajredini me atë armën me gjashtë gryka. Sot, na e kanë dhënë bukën me veti. Moti u nxe goxha fort, po aty këtu ka hije, por nuk mund të dalim nga llogoret.

Baba! Është dita e tretë në llogore. Bukën e kemi me veti. Po thonë se kanë për të ardhur me mija ushtarë të tjerë të dushmanit.

***

Dita e katërt në llogore. Nuk është zdritë akoma. Na thonë shikoni andej kah deti. Shikoni shpejt dhe mos bani zhurmë.

- Pashë me sytë e mi kah dalin nga anijet e vogla me qindra ushtarë që vraponin drejt bregut që nuk është ma larg se 200 deri treqind metra nga llogoret ku jemi na. Na kanë urdhërua të mos shkrepim armët askush derisa të jepet urdhri nga komanda. Na duhet të presim urdhrin nga Hajredini.

Baba! Nëse do me ditë edhe këtu në llogore jam i veshur me ato teshat që i kam pasur veshur atë ditë që i lash delet në kullosë

***

Baba!

Hajredini ka urdhëruar që të hapim zjarr. Arma e tij po korrë dushmanët sikur kosa barin. Na, sa herë shkrepim duhet të bëjmë lëvizjen për fishekun e dytë dhe të ndërrojmë pozitën sa qel e mshel sytë.

Nuk ka zgjatur sulmi i dushmanëve as gjysmë ore. Kush mbeti pa u goditur u kthye me vrap drejt detit. Tash kemi ndërpre zjarrin. Nuk ka dakik që nuk mendoj për ju. Nuk po frikohem! Me fjet mundemi vetëm kur na japin leje.

***

Baba! Janë ba tre muaj që jemi në logore. Beso që me na pa nuk na njeh. Na kanë sulmuar dushmanët edhe kur ishim kah hamë bukë. Ma kurrë nuk hamë bukë bashkë. Na sjellin ujë me gomarë. Vapa po na përvëlon. Nuk ka ditë që nuk përgjakët dikush nga ne. Nga skuadra ku jam me Hajredinin, deri tash nuk kemi të vrarë. Në çdo minutë vritet dikush nga ne e dikush nga armiku. Pasi pushon zjarri i armëve ndodhë që na bombardojnë edhe me avion kur i diktojnë pozitat tona, por ditën fshihemi mirë nëpër shkurre.

***

Baba! Edhe pse nuk ju harroj kurrë, kur kanë kaluar gjashtë muaj në front të luftës, kam provuar gjithçka që nuk kam parë kurrë as ëndërr. Kurdoherë që mundem, rruhem e pastrohem sado pak, por kjo ndodhë fort rrallë.

Ka ndodhë që komanda na ka urdhërua të sulmojmë armikun vetëm me bajoneta. Baba nuk po të tregoj si dukeshim kur jemi kthye në pozitat e para prej nga kemi sulmuar. Baba, gjaku na u ishte ngjitur kudo ne tesha, në duar e në çizme. Nuk kishim tesha tjera me i ndërrua. Edhe me i la duart nga gjaku ishte e pamundur. Baba, e kam pa se gjakut të njeriut po i vinte njëfarë ere e padurueshme. As me fjet nuk po na len ajo erë. Mendoj nganjëherë sa mirë që nuk je me neve. Sa mirë që nuk sheh çka po shohim ne dhe jemi pjesëmarrës në këtë katastrofë njerëzore.

Me vjen tepër rëndë me tregua sa armiq kam vrarë. Me ka humbur edhe vetëdija kur jam kthye në llogore. Mos me qenë mixha Hajredin, më nuk isha do të isha gjallë. Edhe kush mbetet gjallë nga sulmi, më nuk gëzohet askush. I kam pa që as ata ushtarët e huaj kur sulmojnë, kur vrasin shokët tonë nuk gëzohen fare.

Këtu në Suvla, llogoret i kemi 30 metra afër me dushmanët. Mu ka mbushë mendja, se asnjë nga ne nuk del normal nga kjo luftë. Pas çdo sulmi, kur kthehemi në pozitat tona të para, në llogore duhet me shkel mbi shokët tanë të vrarë.

Kjo nuk është luftë Baba! Kjo është kasaphane me pre e me coptue njerëz. Nga era e kufomave të pa varrosur, nuk mund të flemë as të bukë. Po thonë se lufta do të zgjasë akoma dhe nuk i dihet fundi.

***

Baba !

Nëse nuk me vrasin, mizat kanë për të me ngrënë të gjallë. Ma nuk dukemi si njerëz, por si kufoma që ecin. Morrat janë shtuar aq shumë sa mundesh me i pa me sy ka i pushtojnë krejt llogoret, pa dallim. Tifoja po na vret edhe neve edhe armikun.

Tash as bukë nuk mund të hamë pa ngrenë edhe miza të cilat janë shumuar aq shumë nga kufomat dhe gjaku që ka rrjedhë kudo. Ato ngjiten mbi ne kudo. Pa e hapur konservën e ushqimit, mizat ta mbulojnë edhe kafshatën e bukës. Beso nuk ka ushtar që nuk hanë miza dhe ato i heton edhe në gojë sepse kanë shije gjaku të njeriut.

Letra nuk të vjen fare! Unë vetëm kam mendue me të shkrue. Pasi unë nuk di me shkrue e as ti nuk di me lexue, krejt njëjtë. Nëse shpëtojmë gjallë do vijmë bashkë unë edhe Hajredini. Merre me mend, hala po mendojmë ndoshta na i falin armët që i kemi dhe kthehemi me armë në kreh.

Po o baba çka kemi ba e çka kemi pa, e sa njeriun e kemi vra kot, as armët më nuk na duhen asgjë.

Do të mendoj për ty Baba e për nënën derisa eci, edhe pse ma nuk dukem si ai Kadriu bari i deleve i shendosh si ariu. Jam bërë tamam si kufomë.

Për habi, mixha Hajredin nuk duket fort i lodhur. Ai vetëm u nxi si katran. Fytyra e tij nuk dallohet fare nga terri pa hanë. Ashtu jemi të gjithë.

Beso Baba! Nuk jemi pishman fare pse kemi ardhur këtu. Tash ndonjëherë ndodhë edhe të mahitemi me njeri tjetrin kur shohim shoqi - shoqin me pamje krejtësisht të egër.

P. S. Fati i Hajredin dhe Kadri Jasharit nuk u mësua kurrë, as pas 100 vjetësh.