LAJMI I FUNDIT:

Fitorja e Orbanit në Hungari i shtohet errësirës që po e gllabëron Evropën

Fitorja e Orbanit në Hungari i shtohet errësirës që po e gllabëron Evropën
Një poster i opozitës që thotë se Orbani është Putini hungarez

Nga: Timothy Garton Ash / The Guardian
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Kur të dielën mbrëma, në qendër të Budapestit rrija bashkë me një turmë të ftohtë e të dëshpëruar, duke e dëgjuar liderin e opozitës hungareze, Péter Marki-Zay, tek e pranon humbjen në zgjedhjet e vendit, rrjedha e postimeve në Twitterin e celularit tim mbushej me imazhet e civilëve ukrainas, të vrarë në qytetin e Buças. Disa prej tyre i kishin duart e lidhura pas shpine. Pranë një gruaje të vrarë ishte një grumbull çelësash me varësen që shfaqte yjet e verdhë në sfondin e kaltër të flamurit evropian. Tmerret e ukrainasve padyshim se janë më të këqija se mjerimet e hungarezëve, por të dy këto janë fatalisht të lidhura.


Është ironi e hidhur kjo sepse, në momentin që mësojmë për disa nga mizoritë më të këqija kundër Ukrainës – në luftën e terrorit të presidentit rus Vladimir Putin – aleati më i ngushtë i Putinit në mesin e liderëve të BE-së, kryeministri hungarez Viktor Orbán, rizgjedhet pjesërisht sepse e ktheu po atë luftë në përfitime personale politike. Përveç shfrytëzimit të të gjitha avantazheve që tashmë i ka ndërtuar në një sistem politik tejet mashtrues – manipulimi i zonave  zgjedhore dhe kontrolli dërrmues i medias – Orbáni fitoi duke u thënë hungarezëve se do t’i mbante jashtë kësaj lufte dhe se faturat e tyre të ngrohjes do të jenë të ulëta për shkak të marrëveshjeve të tij të këndshme me Putinin – përkitazi me gazin.

Në fjalimin e tij të fitores, udhëheqësi hungarez i renditi “kundërshtarët” që i mundi. Aty futeshin mediat ndërkombëtare, burokratët e Brukselit dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy i cili e ka kritikuar ashpër kundërshtimin e tij për furnizimet me armë dhe për sanksionet e mëtejshme të cilat Ukrainës i duhen sa s’ka. Pra, ai na tregon saktësisht se cilët janë armiqtë e tij, ndërsa miku Putin nxiton ta urojë për fitoren e tij të famshme.

Po të kishte fituar koalicioni hungarez i opozitës me gjashtë parti – i udhëhequr nga Marki-Zay – Hungaria do të ishte bërë aleat i përkushtuar perëndimor përballë agresionit rus, siç dëshmohen të jenë vendet e tjera të Evropës Qendrore, si Polonia dhe Republika Çeke. “Rusë, kthehuni në shtëpi!”, brohorisnin disa të rinj në fund të atij zgjimi të turbullt të opozitës në Budapest, duke e rikujtuar sloganin nga koha e pushtimit sovjetik të Hungarisë – të vitit 1956. Duke ecur në mesnatë nëpër Sheshin e zbrazur të Heronjve, mu kujtua se si pikërisht në atë vend, në qershor të vitit 1989 kam dëgjuar për një Orbán të ri, në dukje idealist, që po bënte thirrje për largimin e trupave sovjetike nga Hungaria. Ndërkaq, ciniku tashmë i moshuar refuzon kategorikisht ta japë lejen që furnizimet perëndimore të armëve të kalojnë nëpër Hungari, për ta ndihmuar kështu ushtrinë ukrainase që t’i dërgojë rusët në shtëpi. Pyes veten se çfarë sheh ai kur e shikon veten në pasqyrë.

Një qeveri opozitare do t’i bashkohej gjithashtu zyrës së prokurorit publik evropian, duke mundësuar kështu hetimin e korrupsionit të dokumentuar mirë, përkitazi me përdorimet e fondeve të BE-së. Do ta kishte përjashtuar Bankën Ndërkombëtare të Investimeve për të cilën opozita thotë se është e lidhur ngushtë me regjimin e Putinit. Dhe, do ta kishte nisur procesin e vështirë të kthimit të Hungarisë në një demokraci të duhur liberale.

Në vend të kësaj, partia Fidesz e Orbanit e siguroi edhe një herë një supershumicë prej dy të tretash, gjë që ia mundëson atij ta ndryshojë kushtetutën sipas tekave. Edhe nëse jep garanci të sheqerosura në Bruksel apo në Uashington, ai do të vazhdojë ta konsolidojë atë që politologët e përshkruajnë si regjim autoritar elektoral. Sistemi politik i Hungarisë është më afër atij të Serbisë që nuk është pjesë e BE-së – shtet ky që këtë fundjavë e përjetoi edhe një fitore të një autoritari nacionalist elektoral, atë të presidentin Aleksandar Vuçiq – sesa të një demokracie si Franca apo Portugalia. Orbáni dhe Vuçiqi janë aleatë të ngushtë.

Dështime të mëdha kishte edhe nga opozita. Gjashtë partitë nuk ishin sa duhet të bashkuara, ndërsa kandidati kryesor padyshim se nuk arriti ta bindte elektoratin jashtë Budapestit. Në përgjithësi, opozita i humbi votat, ndonëse fitoi disa zona zgjedhore me një deputet në kryeqytet. Por, nuk ka asnjë mënyrë për të dëshmuar se këto zgjedhje ishin të ndershme.

Kudo që shkova gjatë pesë ditëve të fundit, pashë rrugët dhe brendësitë e trenave të metrosë të mbuluara me posterë të financuar nga qeveria e ku shfaqej imazhi i xhaxhit Viktor Orban pranë sloganit “Ta mbrojmë paqen dhe sigurinë e Hungarisë”. Një tjetër poster i kudogjendur e shfaqte një nënë me një fëmijë të vogël dhe me sloganin “Mbroni fëmijët”. Ky lloj reklamash ishte edhe për referendumin qeveritar që u zhvillua në të njëjtën kohë me zgjedhjet e me pyetjet si: “A e mbështesni promovimin e terapisë së ndryshimit të seksit për fëmijët e mitur”? (Referendumi nuk e arriti 50 përqindëshin e kërkuar të votave të vlefshme). Media shtetërore e promovoi pa pushim narrativën pro-Orbán, siç kanë bërë për më shumë se dhjetë vjet, e madje kaluan ca kohë duke i fajësuar ukrainasit për luftën në Ukrainë. Marki-Zay i kishte vetëm pesë minuta në televizionin shtetëror për ta shpjeguar programin e opozitës. Facebook-u u mbulua me reklamat me pagesë që e mbështetnin regjimin, duke e vazhduar kështu trendin e poshtër të platformës për t’i ndihmuar armiqtë e demokracisë liberale në këmbim të fitimeve të ndyra.

Megjithatë, pasi ka shpenzuar bujarisht nga fondet e taksave dhe të mirëqenies, për t’i fituar zgjedhjet, qeveria e Orbanit ka nevojë për fondet e BE-së për ta mbushur një vrimë të madhe në financat e veta. Nëse BE-ja nuk është gati ta pranojë tani se thjesht e ka një shtet autoritar për anëtar, ajo më në fund duhet të vendosë kushte rigoroze për flukset e parave evropiane që prej kohësh kanë qenë një nga burimet kryesore të pushtetit të Orbanit. Kjo do të thotë vazhdimi i refuzimit të granteve dhe i huave të rimëkëmbjes post-Covid, meqë transparenca nuk mund të garantohet nga një regjim që në fakt është ndërtuar mbi përdorimin korruptiv të parave të BE-së. Kjo nënkupton gjithashtu aktivizimin e mekanizmit për kushtëzimin e sundimit të ligjit që mund ta pengojë një pjesë të konsiderueshme të financimit nga buxheti i rregullt i BE-së (si dhe duke mos u mashtruar duke i dhënë Hungarisë shumë para për refugjatët ukrainas, të cilët në fakt tashmë janë zhvendosur në vendet tjera).

Por, këtu qëndron problemi. E ballafaquar me dëshmitë më të fundit të sjelljes barbare të trupave ruse në Ukrainë, Evropa duhet t’i shtojë sanksionet kundër Putinit. Kur gjatë muajit të kaluar Orbáni u kthye nga samitet e njëpasnjëshme të NATO-s e të BE-së në Bruksel, qeveria e tij ua dërgoi një email të gjithë hungarezëve që ishin regjistruar për vaksinën kundër koronavirusit, duke thënë se “propozimet u vunë në një agjendë e cila duhet të kundërshtohet në mënyrë që të mbrohen interesat e Hungarisë”. Qeveria e tij nuk do të lejojë kurrë që furnizimet me armë të kalojnë përmes Hungarisë për në Ukrainë, as që sanksionet të vendosen për mbi 85 përqindëshin e gazit dhe 64 përqindëshin e naftës së Hungarisë që vijnë nga Rusia. Në reagimin ndaj mizorive të Buças, liderët e BE-së – si presidenti francez Emmanuel Macron – tashmë po bëjnë thirrje për më shumë sanksione, përfshirë naftën ruse. “Realistët” e vetëquajtur mund të thonë se Brukseli duhet të rri urtë ndaj Hungarisë në mënyrë që ta mbajë Orbanin në linjë të frontit të përbashkët për Ukrainën.

Evropa sot duhet të jetë e ashpër si me armikun e jashtëm rus, ashtu edhe me armikun e brendshëm hungarez. Por, a mundet dhe a do t’i bëjë të dyja këto përnjëherë? Kjo është dilema tjetër që kjo fundjavë e errët dhe dëshpëruese ia shtroi Evropës thellësisht të tronditur. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Shkëlqeu ndaj Man Cityt dhe në klub ende e duan, por veterani i Real Madridit ia ka kumtuar Perezit largimin për në fund të sezonit

Shkëlqeu ndaj Man Cityt dhe në klub ende e duan, por veterani i Real Madridit ia ka kumtuar Perezit largimin për në fund të sezonit

La Liga
“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

Drejtësi
Reagon presidenti iranian, Zelenskyt hatërmbetje me aleatët – detaje dhe pamje, minutë pas minute, rreth ‘hakmarrjes’ së Izraelit ndaj Iranit

Reagon presidenti iranian, Zelenskyt hatërmbetje me aleatët – detaje dhe pamje, minutë pas minute, rreth ‘hakmarrjes’ së Izraelit ndaj Iranit

Botë
Kosovari i arrestuar në kufi, Serbia pretendon se ishte pjesë e luftës, mohon OVL-UÇK

Kosovari i arrestuar në kufi, Serbia pretendon se ishte pjesë e luftës, mohon OVL-UÇK

Siguri
Izraeli e njoftoi në minutën e fundit SHBA-në për sulmin ndaj Iranit

Izraeli e njoftoi në minutën e fundit SHBA-në për sulmin ndaj Iranit

Azia
Zinedine Zidane ‘një hap larg’ emërimit si trajner i gjigantit të njohur evropian

Zinedine Zidane ‘një hap larg’ emërimit si trajner i gjigantit të njohur evropian

Ndërkombëtare
Kalo në kategori