"Fitore e madhe ndaj Suedisë, shpresoj të jem në tetor" - Celina flet për bisedën që kishte me Fodën

Ai iku nga lufta në Kosovë vetëm dy vjeç, bashkë me familjen e tij, për t’u vendosur në Norvegji. Aty nisi edhe rrugëtimi i tij futbollistik.
Bersant Celina përfaqësoi Norvegjinë nga ekipi U15 deri te U21, por në vitin 2014 mori një vendim zemre – të bëhej pjesë e ekipit kombëtar të Kosovës.
Për më shumë se dhjetë vjet, mesfushori i AIK-ut ka qenë pjesë e “Dardanëve”, duke koleksionuar afro 40 paraqitje në nivelin senior. Megjithatë, Celina beson se me aftësitë e tij mund të kishte arritur edhe fanellën e Norvegjisë.

“Jam mjaftueshëm i mirë për këtë, por sigurisht që nuk do të kishte qenë e lehtë. Varet nga trajneri, por unë besoj se e kisha merituar”, u shpreh ai me buzëqeshje për mediat norvegjeze.
Kosova e befasoi Evropën me fitoren 2-0 ndaj Suedisë në Prishtinë, duke kthyer krenarinë e madhe në vend. Celina u shpreh se u gëzua shumë me fitoren e Kosovës.
“Jam edhe më i lumtur për fitoren e Kosovës. Nuk e di kurrë çfarë do të ndodhë, por nëse mund të fitosh një herë kundër Suedisë, mund ta bësh edhe dy herë”, shtoi ai.

Edhe pse nuk ishte i ftuar në ndeshjen e fundit kundër suedezëve, Celina zbulon se ka qenë pranë rikthimit.
“Kam pasur biseda me përzgjedhësin e ekipit kombëtar. Do të shohim çfarë do të ndodhë. Nuk mund të them më shumë tani, por shpresoj të jem në skuadër në tetor, kundër Sllovenisë dhe Suedisë në Goteborg”.
".Natyrisht, nuk do të jetë e lehtë për t’u kualifikuar në Botëror, nuk ka ndeshje të lehta. Sidomos ajo kundër Suedisë në Goteborg, por të shohim. Nëse mund të fitosh një herë ndaj Suedisë, padyshim se mund të fitosh edhe për herën e dytë”, ka deklaruar Celina.

Në fund, 28-vjeçari theksoi se reagimet në Kosovë pas fitores së madhe ishin mbresëlënëse.
“Njerëzit janë shumë të lumtur dhe shumë krenarë. Ishte një natë historike për ne”, përfundoi Celina.
28-vjeçari Celina në këtë edicion ka realizuar shtatë gola, ndërsa ka kontribuuar me katër asistime në 27 ndeshje në të gjitha garat për AIK-un e Suedisë. /Telegrafi/


















































