LAJMI I FUNDIT:

Fisi… pa teklif!

Fisi… pa teklif!

“Nato Air - Just Do it”, ishte slogani që më 1999 në Kosovë - e sot në Siri e kudo tjetër në botë - identifikonte luftën e më të dobëtëve për liri. Ky slogan, si dhe shumë vepra tjera të që kanë fituar çmime prestigjioze ndërkombëtare, është ideuar nga autori i projektit më të njohur të Pavarësisë së Kosovës - NEWBORN-it.

Bisedoi: Gazmend Kajtazi

Fisnik Ismaili – Fisi ka qenë ushtar i UÇK-së, por nuk flet shumë për këtë meqë thotë se e ka përmbushur një obligim qytetar për të cilin askush borxh nuk i ka. Ai nuk është regjistruar as si veteran i luftës, duke e parë “se sa shumë horongopat në pushtet e kanë keqpërdorur dhe vazhdojnë ta keqpërdorin atë”.


Fisi është një nga emrat më të përfolur edhe në social Facebook, ndërsa pos stripave e “tripave”, njihet edhe për “zemërgjerësinë” për sharjet “e sinqerta”, madje me nanë e me babë! “Po të ishte situata normale në Kosovë, nuk do të kisha pasur arsye të shaja asnjëherë”, thotë ai.
“Flisni” pak me… Fisnik Ismailin!

Jeni autor i NEWBORN-it. Si ju erdhi ideja, kur ju erdhi ideja dhe sa keni “vuajtur” si artist derisa e keni realizuar në praktikë?
Njëmbëdhjetë ditë para Shpalljes së Pavarësisë, u ulëm në një mbledhje të flisnim për një projekt për Kampionatin Evropian të Futbollit 2008. Meqë kishte kohë disa muaj për këtë projekt, spontanisht nisëm të mendonim që të bënim diçka të madhe për Ditën e Pavarësisë. NEWBORN si ide u lind brenda dy orësh, por derisa u realizua 11 ditë më pas, e mbaj mend se kam bërë shumë pak gjumë, jam injoruar shumë nga autoritetet, e kemi shtyrë me çdo mënyrë dhe me tërë forcën pa u ndalur.

Kjo nismë ishte krejtësisht vetjake, dhe si e tillë u financua fillimisht nga unë, derisa u pranua si projekt zyrtar i manifestimit të Pavarësisë dhe u dakordua kompensimi i cili ndodhi disa muaj më vonë dhe jo me shumën e plotë.

Pse e emërtuat veprën tuaj NEWBORN?
Dëshira ishte që qëllimisht ta përçonim një porosi drejt botës. E si ta përçonim më mirë se nëpërmjet një fjale të vetme, të kuptueshme lehtë edhe për ata që nuk flasin anglisht dhe që e përshkruan më së miri gjendjen e asaj dite. Fjala “newborn” (i porsalindur), ka gjithmonë kuptim të mirë – diçka të re, që sjell gëzim, që është e njomë dhe e çiltër.

Meqë tërë pjesa tjetër e manifestimit do të ishte në shqip, ne menduam se do të ishte tërheqëse që ta bënim ndryshe. Kjo do t’i tërhiqte edhe qytetarët, që të shkruanin në të, po ashtu edhe gazetarët të cilët do ta plasonin këtë imazh nëpër botë. Dhe, ashtu

Nga pozicioni i sotëm kohor, cilat suksese i ka korrur NEWBORN-i më tash?
Përpos se njihet si monumenti i Shpalljes së Pavarësisë, është simbol që paraqitet gati nëpër çdo media kur flitet për Kosovën. NEWBORN po ashtu është edhe objekti publik më i fotografuar ndonjëherë në Kosovë, gjë që do të thotë shumë.

Botërisht, ne jemi shpërblyer me disa çmime ndërkombëtare në fushën e dizajnit për krijimin e NEWBORN-it, duke përfshirë edhe atë më të lartin në botë, “Luanin e Artë” në Cannes, pastaj “Clio” i argjendtë, “Eurobest” i argjendtë, “Golden Drum Grand Prix” dhe disa të tjerë.

NEWBORN-i nuk ka lidhje me simbolet zyrtare të Kosovës

Jeni familje artistësh. A jeni konsultuar paraprakisht me bashkëshorten tuaj kur e keni ideuar NEWBORN-in?
Nita më ka ndihmuar shumë edhe kur e kemi krijuar NEWBORN-in para pesë vjetësh. Pa të, jam i bindur, nuk do të realizohej kurrë ky projekt. Edhe fuqimisht mendoj se NEWBORN-i nuk ka lidhje me simbolet zyrtare të Kosovës. Fillimisht, madje, ky ishte i menduar të bëhej i kuq, por pak ditë para shpalljes kanë kërkuar nga unë ta bëja të verdhë ose të kaltër, pa e pasur as idenë më të vogël se si do të dukej flamuri i Kosovës.

Pranova ta bëja këtë kompromis për dy arsye: nën një: sepse mendoja se do lyhej me ngjyrë tjetër pas një viti; dhe, nën dy: e verdha dhe e kaltra janë ngjyra të Unionit Evropian, prandaj nuk pashë asgjë tragjike që ta pranoja këtë kompromis. Për më tepër, flamuri i Kosovës as nuk përmban ngjyrë të verdhë. Harta në flamur, sipas rregullave, duhet të jetë ngjyrë ari, ndërsa yjet të bardha, në prapavijë të kaltër. Tjetër është se ata që e prodhuan flamurin nuk e bënë këtë dallim ngjyrash si duhet.

Në biografinë tuaj keni shkruar se jeni “i lindur e i rritur në Prishtinë, i ramë në Londër, i përplastë në Prishtinë”. A mund ta zbërtheni pak më qartë këtë lojë fjalësh me biografinë tuaj.
Kam dalë shumë i ri nga Prishtina. Isha vetëm 18 vjeç. “Ramja” në Londër për mua ishte – përveçse një sfidë që e kam tejkaluar me shumë vështirësi – edhe një prej gjërave më të bukura që më kanë ndodhur në jetë. Madje, shpesh them se Londra ka ndikuar shumë të jem ky që jam sot, meqë atje jam shkolluar dhe i kam marrë hapat e parë në profesionin tim, ku m’u desh të punoja me shumë përgjegjësi për klientë me nam, si Apple Europe, Cisci Systems, Channel 4 etj.

E, sa i përket “përplasjes” në Prishtinë 12 vjet më pas, nuk di si ta përshkruaj ndryshe kthimin tim të papritur edhe spontan, për të nisur një biznes me publikime stripash (Spider-Man, X-Men dhe Alan Ford në shqip), vetëm e vetëm nga dashuria dhe dëshira t’i jepja Kosovës diçka që nuk e kishim pasur kurrë. Por, ja që ky biznes dështoi dhe unë vazhdova të merrem me atë që e di më së miri – dizajn, web dhe reklamim.                                   

Kam qenë pjesëtar i UÇK-së, por nuk jam horongop i pushtetit

Jeni një ushtar i UÇK-së, pjesëtar i Brigadës 138 “Agim Ramadani”, luftëtar i Koshares? Opinioni mori vesh vonë për “uniformën” tuaj, ndërkohë që komandantë u vetëshpallën ata që kishin blerë uniforma të UÇK-së pas hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë?
Unë s’kam luftuar që t’u tregoj të tjerëve se çka kam bërë, e as të uzurpoj shtëpi e lokale pas lufte. As nuk kam luftuar që të kem më shumë të drejta se qytetarët e tjerë të vendit tim. Kështu mendojnë të gjithë ata që unë i quaj luftëtarë të vërtetë, e të cilët sot janë në gjendje të mjerueshme. Fatmirësisht, ne jemi më shumë se një grusht horongopash që janë sot në pushtet dhe që vazhdimisht i shkërrdhejnë vlerat e luftës, duke u mbështetur në to vetëm për të përfituar për vete.

Pjesëmarrja ime në luftë ishte vetëm përmbushje e një obligimi qytetar, të cilin çdonjëri prej nesh duhet ta ndiejë. Për këtë nuk më ka askush borxh dhe unë nuk e kam asnjë të drejtë t’i kërkoj llogari askujt. Madje, deri sot, as nuk jam regjistruar si veteran i luftës, duke e parë se sa shumë horongopat në pushtet e kanë keqpërdorur dhe vazhdojnë ta keqpërdorin atë.

E dashura ime e ka marrë vesh se kam qenë në luftë disa muaj pasi që ishim njoftuar. Në Facebook e kam vetëm një foto të publikuar nga lufta, bile këtë e kam bërë në një moment të caktuar mbas 13 vjetësh, kur disa ministra e pjesëtarë të bandës së horongopave në pushtet nisën të lëshonin fjalë se unë s’kam luftuar, në mënyrë që të ma denigronin personalitetin. E realiteti tregon se ajo foto pati efektin e duhur, ngase është fotoja ime që është pëlqyer më së shumti, nga gati 10.000 veta, bindshëm më shumë se fotot e tjera që i kam aty.

Çka mund të bëjë një artist për vendin, por me veprime artistike, jo me deklarime politike?
Ta them të drejtën, unë ia kam boll mërzi t’i them vetes artist. Jam veçse një person pak më kreativ se mesatarja. E shpesh ndodh që një person, i cili prek njerëzit me veprat e tij kreative, të fillojë ta përdorë atë kreativitet për të dhënë edhe porosi politike, posaçërisht në kohëra kur mungon liria e të shprehurit, sikur në Kosovë sot, dhe pushteti diktatorial mundohet t’i ndalojë edhe ata pak zëra që tentojnë të ngrihen.

Prandaj, nuk mendoj se në një Kosovë si kjo sot, një artist mund të bëjë shumë vetëm me veprime artistike, pa i kthyer ato vepra në porosi politike, kontributi i të cilave duhet të jetë në funksion të mirëqenies së qytetarit.                                        

Më tmerron hipokrizia e pushtetarëve të tanishëm

Jeni shumë aktiv në Facebook. Por, jeni edhe shumë vulgar me fjalor. Sa i ka hije një artisti një fjalor i tillë?
Edhe ne jemi njerëz, si të gjithë të tjerët, që shajmë vazhdimisht. Jam shumë i bindur se shumica prej nesh shajnë me nanë së paku pesë herë në ditë, nëse jetojnë në Kosovë. Madje, pesë herë në ditë po më duket shifër modeste, duke e pasur parasysh mjerimin me të cilin po duhet të përballemi çdo ditë.

Po të ishte situata normale në Kosovë, nuk do të kisha pasur arsye të shaja asnjëherë. Por, realiteti është se neve Qeveria po na e fut çdo ditë, në mënyrat më të ndryshme, e nganjëherë njerëzit mua ma shohin për të madhe pse po shaj, e jo atyre që në fakt po e kryejnë aktin.

Shyqyr që dolën përgjimet e skandalit “Pronto” edhe u pa se çka në të vërtetë mendojnë politikanët në pushtet për qytetarët, për elektoratin e tyre, të cilët ua kanë dhënë një pjesë votash (se atë pjesën më të madhe e kanë vjedhur horongopat vetë), për t’i prurë në pushtet. Unë, për dallim prej bandës në qeveri, shaj haptas, gjë që tregon se jam i sinqertë dhe e them atë që e mendoj, pa teklif. Hipokrizia më tmerron, posaçërisht kjo e pushtetarëve të tanishëm.

Keni menduar të mbani dietë? Dhe, si ia dilni të jeni i bëshëm me shëndet e kaq kreativ e aktiv në botën e artit dhe në politikë?
Në botë janë dy lloje të njerëzve: njerëzit e hollë edhe njerëzit e lumtur. Kreativiteti s’vjen as nga bythët, as nga sisët, por nga kryet. E shyqyr kryet e kam relativisht mirë, me jo aq shumë dërrasa mangut, duke e marrë parasysh se ku po jetoj.

Dietë refuzoj të mbaj dietë, se më duket torturë e panevojshme. E di se po të nisja të ushtroja pak – ngase edhe jam marrë me basketboll dikur – do të humbja shumë peshë, e shumë shpejt. E kam bërë këtë disa herë më herët. Por, asnjëherë se dua të jem më i bukur, por për shëndetin tim, meqë kam nisur të plakem dhe herët a vonë kam për t’i pësuar pasojat.

Fatkeqësisht, shumë shpesh më ndodh që ta lë veten “mbas dore”, duke u dhënë përparësi plot do gjërave të tjera, që ndoshta nuk ishte dashur. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Mësohet arsyeja pse nuk ndërhyri VAR-i te goli i anuluar i Bayern Munichut ndaj Real Madridit

Mësohet arsyeja pse nuk ndërhyri VAR-i te goli i anuluar i Bayern Munichut ndaj Real Madridit

Liga e Kampionëve
Dy ushtarakë e poshtërojnë Vladimir Putinin - nuk pranojnë ta përshëndesin presidentin rus

Dy ushtarakë e poshtërojnë Vladimir Putinin - nuk pranojnë ta përshëndesin presidentin rus

Evropa
Besa dështon ta kualifikojë Shqipërinë në finalen e

Besa dështon ta kualifikojë Shqipërinë në finalen e "Eurovision 2024"

Magazina
Granit Xhaka, lojtar i ndeshjes Bayer Leverkusen 2-2 Roma: Statistikat e tij janë fantastike

Granit Xhaka, lojtar i ndeshjes Bayer Leverkusen 2-2 Roma: Statistikat e tij janë fantastike

Liga e Evropës

"Deri dje, nuk isha i sigurt se kush ishte lojtari më i mirë në botë, tani e di" - De Ligt me fjalë të mëdha për yllin e Realit

Liga e Kampionëve
Pas largimit të Escobarit dhe Lajçakut, Serwer: Lamtumirë dështimit, dialogu kërkon riformatim

Pas largimit të Escobarit dhe Lajçakut, Serwer: Lamtumirë dështimit, dialogu kërkon riformatim

Lajme
Kalo në kategori