LAJMI I FUNDIT:

Fishta, Hoxhë Ibrahimi dhe Papa Kristo Negovani

Fishta, Hoxhë Ibrahimi dhe Papa Kristo Negovani

Propaganda fetare e praktikuar së fundi nga disa klerikë dhe ndoshta dy organizata politike në vend, me apo padashje ka përfshirë për së vdekuri shtresën intelektuale dhe ushtarake të mbi njëqind viteve ndër shqiptarët. Natyra me prirje të moderuar e kategorisë së njerëzve që i dhanë shtytje forcimit të ndjenjës kombëtare, ka tendencë të mbulohet padrejtësisht me petkun religjioz, nga dy formacione politike dhe teologë që së fundi nuk e dinë vendin e tyre. Fabrikimi i të dhënave dhe prezantimi i disa materialeve në mënyrë të njëanshme, në shërbim të shpërndarjes së ideve politike, krijon një tablo të qartë mbi ekzistencën e rrymave fetare të elektrizuara brenda shoqërisë shqiptare së fundi. Megjithatë, personalitetet historike edhe pse janë organikisht të vdekur dhe nuk kanë gojë të flasin, assesi nuk mund të sinkronizohen gabim dhe tu ngjitet diçka që nuk përkon me të bëmat, mendimet dhe orientimet e tyre politiko-shoqërore. Ata kanë thënë shumëçka përmes sjelljeve dhe veprimtarisë së tyre publike si dhe përbrenda mendimeve të shkruara që kanë arritur deri në ditët e sotme.

Fillimisht qëllimi për të transmetuar në publik mendime politike që ia japin kreditët kryesorë religjionit në procesin e zgjimit kombëtar apo ruajtjes së identitetit etnik, përveç pasaktësisë ndërlidhë në vete edhe drojën për ekzistencën e një ane të errët përbrenda këtij komuniteti që hap gojën vërdallë për hipotezat e pambështetura si këto. Nëse i shmangemi popullizmit të praktikuar nga shtresa politike e mëvonshme që ka mbuluar shumëçka për hir të bashkimit të njerëzve përreth çështjes së kombit dhe shtetndertimit, ndikimi i religjionit në krijimin e vetëdijes kombëtare mund të na shfaqet shumë më ndryshe (në disa raste edhe destruktiv) se sa që jemi mësuar ta pohojmë. Sa për ilustrim thirrja e Pashko Vasës për të lënë anash dallimet ndërmjet besimeve dyshoj të jetë motivuar nga ekzistenca e ndonjë fraksioni fanatik ndër popull, sepse ndryshe nuk do ta thoshte. Si personalitet Pashkoja na shfaqet shumë i moderuar në raport me konfesionet, duke thënë metaforën më të nevojshme për kohën kur ai ka jetuar. Nga grupet e paditura dhe shoqëritë radikale religjioze duhet të jetë goditur siç goditët edhe sot për së vdekuri nga disa njerëz naivë që ose nuk e kanë të qartë domethënien e fjalës metaforë ose qëllimisht e shtrembërojnë në fjalimet para masës për interes të caktuar.

Nëse “tjerren” si duhet dokumentet e arkivuara, atëherë në kohën kur kombet mbijnë nëpër gjithë globin, ndër shqiptarë mentaliteti radikal fetar shfaqet si pengesë në mundësinë e ngritjes popullore të organizuar që do t’i printe themelimit të një shteti të bashkuar shqiptar. Hasan Prishtina në kujtimet e tij tregon me gisht drejt fanatizmit fetar në lidhje me dështimin e kryengritjes së vitit 1912 kur ishte në kulmin e suksesit, derisa në librin e George Gawrychit, “ Gjysmëhëna dhe shqiponja”, thuhet se ndalimi i shtypit ne gjuhën shqipe nga Perandoria Turke, u bë me kërkesë të klerit mysliman në Shqipëri, duke arritur deri tek çështja e Republikës Katolike të Mirditës në kohën kur shqiptarët qëndronin përballë pikëpyetjes së madhe të ekzistencës.

Prezenca e fanatizmit fetar në konakun e disa shqiptarëve, konfirmohet edhe nga vetë dokumentet osmane dhe qartësisht duket se ka qenë një lloj barre në procesin e përhapjes së idesë për shtetndërtim. Ndërsa, shtresa intelektuale shqiptare, paralelisht duke analizuar korrespodencën e tyre ndër kohë si dhe duke i gjurmuar publikimet dhe të bëmat e tyre, pa më të voglin dyshim buronte nga një ideologji e modernizimit të skajshëm në raport me religjionin.

Përzgjedhja e alfabetit latin në të shkruar, në vend të shkronjave arabe ose greke, është vetëm njëra nga çështjet ku shtresa intelektuale shqiptare shfaqet e zgjuar, e orientuar drejt, e pjekur, duke zhbllokuar hamendjen e të huajve mbi dyshimin se në cilin qytetërim takojnë shqiptarët. Përbrenda këtij komuniteti nuk kishte vetëm figura publike të besimit ortodoks apo katolik, por edhe klerikë të besimit islam si Hoxhë Hafiz Ali Korça i cili shpërtheu në grevë si kundërpërgjigje ndaj masave të partisë “Ittihad ve Tereki” për të ndaluar përdorimin e shkronjave latine ndër shqiptarë. Iniciativa “ derë me derë “ e Hasan Prishtinës dhe Myfit Bej Gjirokastrës, të dy të besimit islam dhe deputetë të parlamentit turk, në territorin e Kosovës dhe pjesës tjetër të Shqipërisë së sipërme, për të bindur popullin që largimi i alfabetit arab është i nevojshëm, zbulon po ashtu një anë shumë të moderuar të figurave të para intelektuale në historinë e shqiptarëve karshi religjionit, në kohën ku përmes fesë bëhej thirrje nga zyrtarë e nëpunës turq si dhe nga një fraksion i shqiptarëve konservatorë të besimit islam, për lojalitet ndaj perandorisë dhe alfabetit zyrtar arab.

Shtresa e parë intelektuale dhe e ngritur e shqiptarëve përmes ideve të shpalosura guximshëm padyshim se i paraprijnë krijimit të një situate më të favorshme të komunikimit ndërfetar, eliminimit të interpretimeve të dyshimta fetare, dhe diskreditimit të grupeve radikale të instrumentalizuara nga jashtë. Në këtë shtresë kishte edhe klerikë në zë, që i përuleshin perëndisë sipas normave të besimit, por mbi të gjitha ishin kombëtarë e të moderuar, që më pas u bënë pikë referimi për një sjellje të mirë. Për shembull: në Kongresin e Manastirit, gjatë një fjalimi patriotik të Gjergj Fishtës, hoxhë Hafëz Ibrahim Efendiu nga Shkupi i zuri rrugën priftit dhe iu hodh në qafë duke qarë e puthur si fëmijë (kështu e jep, fjalë për fjalë, Mustafa Nano në librin e tij “Unë jam gegë”). Gjergj Fishta në anën tjetër në Lahutën e Malcisë shkruan krahas Soko Tonës edhe për lavdinë e Ahmet Zenelit, krahas Vuksan Gjelit katolik, e edhe për burrërinë e Sinan Ajës mysliman. Sigurisht edhe Hoxhe Hafëz Ibrahimi ashtu edhe Gjergj Fishta janë goditur e sharë nga shtresat radikale të vetat, megjithatë shqiptarëve të rinj u lanë shembuj të mirë për të ndjekur. Janë “bujq” që hodhën farën e tolerancës fetare.

Naim Frasheri është myslimani i parë që ka shkruar studim mbi të bëmat e Skënderbeut, derisa vëllai i tij Shemsedin Sami Frashëri ka lartësuar personalitetin e tij në shumë raste të deklarimeve publike. Sigurisht që edhe ata mund të jenë goditur nga simpatizantë të interpretimeve ekstreme për shkak të lëvizjeve fetare të Skënderbeut, megjithatë suksesi në punën e tyre arsyetoi çdo mundim e fjalë të duruar. Lartësimi i ikonës mesjetare shqiptare krijoi një figurë gati mitologjike shumë të nevojshme për t’i motivuar shqiptarët në çdo fushë të betejës, derisa vëllezërit Frashëri zunë vend në çdo faqe të historisë dhe respekt tek çdo shqiptar i ditur. Për të vërtetuar disi konstatimin e thënë më lart, më duhet ta bashkëngjes këtu një shprehje të Mustafa Krujës me të cilën e mbyll letrën dërguar Sali Nivicës (të dy intelektualë të besimit Islam) në lidhje me zhvillimet e kryengritjes së vitit 1912: “Tashti lum vllai, s`po kam ma tjetër veçse me urue qi Perëndija e shpirti i Skanderbegut të na ndihmojë”.

Në gjysmën e parë të shekullit XX, ka edhe intelektualë dhe njerëz tjerë të njohur të cilët duken të moderuar karshi konfesioneve. Faik Konica shfaqet i qartë në këtë sferë ku përmes publicistikës synon orientimin e masave popullore drejt mendimit dhe pikëpamjeve liberale duke vënë në shënjestër vazhdimisht sjelljen dhe mentalitetin radikal në çështjet fetare. Safet Butka, Mehdi Frasheri, Tajar Zavalani… po ashtu.

Për t’iu afruar fundit, Fishta, Hoxhë Hafez Ibrahimi, vëllezërit Frashëri, Hasan Prishtina, Myfit Bej Gjirokastra, Faik Konica, Mustafa Kruja, Papa Kristo Negovani (i vrarë pse ligjëroi në kishë shqip) etj. që janë goditur nga elemente të ndërlidhur me ekstremizmin fetar në më shumë se njëqind vite, goditen edhe sot, megjithatë populli dhe historia atyre iu përulet derisa shtresa e identifikuar me ekstremizëm fetar nuk mbledh në vete lavdi, nuk përmendët për të mirë dhe cilësohet me të drejtë si kategoria më e turpshme e historisë së shqiptarëve. Pse kjo shtresë e zezë nuk u zgjerua dhe erdhi duke u zvogëluar në numër, është meritë e njerëzve nga komuniteti intelektual që i përçuan popullit mesazhe të qarta në lidhje me dëmet që prezenca e forcave ekstreme mund të sjellë. Është e padiskutueshme që fraksione minore të ekstremit fetar kishte, por ato u goditën fuqishëm nga shtresa e mendjeve të ndritura shqiptare fillimisht, e pastaj edhe nga vetë populli.

Kështu që mos të ia mëveshin laicitetin dhe modernizimin vetëm komunizmit. Shoqëria shqiptare e ngritur dhe elita e saj kishte filluar udhëtimin drejt modernizimit karshi religjionit shumë dekada më herët. Sepse që atëherë e panë mirë çfarë sjell ana tjetër.