LAJMI I FUNDIT:

Filloi panairi i dasmave dhe ngjarjeve festive “FESTO”

Filloi panairi i dasmave dhe ngjarjeve festive “FESTO”

Kompania e specializuar për organizim të evenimenteve “MODUS” së bashku me ndërmarrësen Agnesa Vuthaj, organizojnë panairin e dasmave dhe ngjarjeve festive “FESTO”.

Panairi po mbahet në sallën Golden Imperial nga 7 deri më 10 Prill 2023 duke filluar nga ora 10:00 deri në 18:00 çdo ditë.

Në këtë panair, i cili është më ndryshe se të gjitha panairet e mbajtura deri më tani po prezantohen 20 brende nga industria e dasmave dhe ahengjeve si: fustane nusërie, stoli dhe agjentari, pastiqeri, dekore, ftesa, grime, lulishte, salla dasmash, salla për konferenca, estetikë si dhe biznese që krijojnë hapësira për festa outdoor.

Në hapje të këtij panairi ishte nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj.

“Është kënaqësi për mua që ndodhem këtu sot, për të hapur panairin e dasmave dhe ngjarjeve festive. Kjo është një ngjarje shumë e rëndësishme për një industri shumë të madhe siç është industria e dasmave dhe ngjarjeve festive. Prishtina kishte nevojë për një ngjarje të tillë dhe mendoj që ishte koha e duhun që qytetit tonë t’i shtohej ky panair”, tha Zogaj.

“Në emër të Komunës së Prishtinës, dua të ju përgëzojë të gjithë juve profesionistët në industrinë e dasmave dhe organizatorëve që keni mundësuar këtë event”, përfundoi nënkryetari Zogaj.

Kurse Ekrem Tahiri, nga kompania MODUS, e cila në bashkëpunim me Agnesa Vuthaj dhe TendA3 organizon këtë panair tha “Është një nder për mua që ndodhem këtu sot para të gjithë juve për të konkretizuar një punë shumë-mujore tonën. Ky event është një mundësi e shkëlqyer për të njohur shumë profesionistë të industrisë së dasmave dhe ngjarjeve festive, të cilët kanë sjellë kreativitetin dhe profesionalizmin e tyre këtu sot”.

“Unë jam shumë i kënaqur që bashkërisht ia dolëm të krijojmë diçka të bukur”, përfundoi Tahiri.

Ndërsa, Agnesa Vuthaj, bashkë-organizatore tha “Në emër të organizatorëve të këtij panairi, dua të falënderoj të gjithë profesionistët në industrinë e dasmave që na kanë besuar dhe janë bërë pjesë në këtë event. Dua të falënderoj gjithashtu të gjithë vizitorët që janë këtu sot dhe që do të na vizitojnë përgjatë ditëve të panairit.

Ju siguroj që ky është vetëm fillimi i një ngjarje shumë të rëndësishme që do të shkoj duke u rritur e përmirësuar secilën herë”.

Në panair, të gjithë vizitorët do të mund të bëhen edhe pjesë e lojërave shpërblyese si: unazë diamanti, 10 Gift Cards,  photoshooting gratis, tretmanë për fytyrë, lirime në produkte dhe shumë dhurata tjera.

Panairi është gjithëpërfshirës dhe ofron atraksion dhe argëtim për të gjithë familjen.

Hyrja në panair është falas!

Lokacioni ku mbahet panairi është Salla Golden Imperial, në Veternik të Prishtinës.