LAJMI I FUNDIT:

Fillimi i fundit të epokës Erdogan?

Fillimi i fundit të epokës Erdogan?

Erkan Arikan

Si refren e ka përsëritur presidenti Recep Tayyip Erdogan një fjali gjatë daljeve në fushatën zgjedhore: Nëse AKP humb në qytetet kryesore, kjo do të sillte kaos në vend.


Pas zgjedhjeve lokale në Turqi, duket se bëhet fjalë për më shumë se kaq: Bëhet fjalë për mbijetesën politike të presidentit turk! Sepse këto votime ishin një nga dështimet më të mëdha të presidentit të mësuar prej kohësh me suksesin. AKP humbi në qytete të rëndësishme. Që në natën e të dielës zgjedhore po qartësohej se postet e kryetarëve të bashkive të qyteteve bregdetare, Izmir, Aydin, Antalya, Adana dhe Mersin do t’i kalonin partisë opozitare demokratike, CHP. Por, pas kësaj erdhi edhe një goditje tjetër për Erdoganin: Pas 25 vitesh të sundimit konservator islam në Ankara shënjohet papritur ndryshimi. Postin e kryetarit të bashkisë do ta marrë për pesë vitet e ardhshme sfiduesi republikan, Mansur Yavas. Kritikët thonë se Erdogani nuk ia ka dalë t’i manipulojë në atë mënyrë që AKP ta mbante Ankaranë.

Me interes pritet Stambolli: E gjithë Turqia ndiqte betejën kokë më kokë të kandidatëve të CHP-së dhe AKP-së. Por, papritur gjithçka u mbyll, komisioni zgjedhor nuk dha më rezultate. Kur ish-kryeministri turk, Binali Yildirim, pohoi fitoren në mesnatë, e pastaj nuk doli më publikisht, shumë turq filluan të dyshojnë. Shpejt u përhapën zëra se janë manipuluar votat për Stambollin, për të arritur një fitore të AKP-së. “Ne nuk do të flemë në 48 orët e ardhshme”, bëri të ditur kreu i CHP-së, Kilicdaroglu në një konferencë për shtyp.

Tani ekziston frika, që fitorja e kandidatit të CHP-së, Ekrem Imamoglu në Stamboll, ndoshta i ka ikur nga dora e partisë CHP për shkak të manipulimit. Një sinjal për këtë mund të jetë edhe bllokimi i publikimit të rezultateve nga Komisioni i Lartë Zgjedhor për Stambollin. Por, nuk e pengoi kreun e CHP-së të pohonte në një konferencë për shtyp në orët e mëngjesit, se shumica e votave të numëruara janë për Imamoglu. E sigurt duket se nëse vërtet Stambolli i kalon AKP-së, mund të përballemi me protesta, përleshje në rrugë deri edhe mësymjen e pallatit presidencial, gjithçka është e mundur, thonë vëzhguesit në terren. Ata pohuan se zgjedhjet nuk janë zhvilluar të lira, pohim i mbështetur edhe nga vëzhgues zgjedhorë të pavarur nga Europa.

Megjithatë CHP me gjithë sukseset nuk duhet të gëzohet kaq herët: Erdogani nuk do të lërë gjë pa bërë, që të pengojë kryebashkiakët e rinj. Edhe pse ai tani paraqitet reflektues dhe pohon se qeveria do të mësojë nga gabimet e bëra, nuk dihet se cili do të jetë hapi tjetër i Erdoganit. Opozita ka frikë se sidomos në lindje dhe juglindje të Anadollit, aty ku partia prokurde HDP fitoi shumë komuna, mund të ndodhë që ato të vendosen në administrim të detyruar me njerëz të AKP-së. Një mjet i përdorur nga Erdogani në të shkuarën për t’ua mbyllur gojën politikanëve të padashur për të. Po ashtu, javën e kaluar presidenti Erdogan bëri të ditur se kriza ekonomike merr fund më 1 prill. Ekspertë të bursës menduan një shaka të 1 prillit të bërë para kohe: Nëse Erdogani i zgjidhka kaq shpejt problemet ekonomike, pse pret atëherë zgjedhjet lokale?

Një nga pyetjet më të rëndësishme pas kësaj shuplake zgjedhore për Erdoganin është nëse ai do të qëndrojë në pallatin presidencial deri në fund të mandatit. Sepse edhe varianti tjetër është i mundur, që ai të përcaktojë një pasues që para fundit të mandatit të tij. I mundur është po ashtu edhe krijimi i një lëvizjeje të re konservatore-islamike. Prej kohësh flitet, edhe në radhët e politikanëve të moderuar, se ish-bashkudhëtarë të Erdoganit duan të krijojnë një parti të re. Nëse ata e ndërmarrin këtë hap është e mundur që deputetë të AKP-së i refuzojnë Erdoganit rreshtimin krah tij dhe kalojnë te lëvizja e re – një praktikë e njohur mes politikanëve në Turqi. Rezultati më vendimtar i këtyre zgjedhjeve megjithatë është:

Presidenti Erdogan nuk u forcua në fund të tyre, përkundrazi: Imazhi i tij brenda Turqisë, e sidomos brenda përkrahësve të tij ka pësuar goditje të fortë.