Fifi paralajmëron këngën e re “Zemrën” - pamje romantike nga klipi dhe pranë partnerit pas thashethemeve për krizë

Këngëtarja e njohur shqiptare, Filloreta Raçi - Fifi, ka paralajmëruar projektin e saj më të ri muzikor që titullohet “Zemrën”.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo ka ndarë me ndjekësit disa pamje nga prapaskenat e videoklipit, duke rritur kuriozitetin dhe pritshmëritë për këngën që, sipas saj, “vjen shumë, shumë shpejt”.
Në fotot e publikuara, Fifi shfaqet në një skenë mjaft simbolike dhe romantike, e zhytur në një vaskë të mbushur me trëndafila të kuq, duke sugjeruar një atmosferë emocionale dhe ndoshta një tematikë dashurie që do të trajtohet në këngë.

Një detaj që ka tërhequr vëmendjen e publikut është prania e partnerit të saj, Adis Patushi, në njërën nga fotografitë e publikuara.

Ai shihet duke mbajtur trëndafilat, duke përforcuar ndjesinë e intimitetit dhe mbështetjes në prapaskenat e klipit.

Kjo paraqitje e përbashkët vjen pas disa javësh ku çifti ishte në qendër të thashethemeve për një krizë në marrëdhënien e tyre, duke shtuar spekulime për një ndarje të mundshme.
Megjithatë, praninë e Adisit pranë Fifit në xhirime shumëkush e ka parë si një sinjal pozitiv për stabilitetin e lidhjes së tyre.
“Zemrën” pritet të jetë një tjetër këngë emocionale në stilin e njohur të Fifit, që shpesh kombinon ndjenjat personale me një interpretim të fuqishëm vokal dhe tekste të ndjera. /Telegrafi/




























































