Erë baroti dhe pamje lufte. Krisma, eksplodime dhe gjithandej rrugëve të Kosovës. Fëmijë të vegjël të frikësuar dhe të strukur. Të rinj të eksituar nga eksplodimet në qiell e në tokë. Nuk po është fjala për vitin 1999 por festimet e ndërrimit të moteve 2010.
Një dëshirë e shfrenuar e për krisma e zjarr na zbulohej te secili. Kjo shfaqje e festimit luftarak pa skenar, pa fillim e fund dhe e çorganizuar zhvillohej para hundëve tona. Dikush kalonte në ekstazë por kishte edhe të rinjtë qe i digjnin vetes gishtat e sytë nga mania e tyre.

Fqinjët garonin me fqinjët se kush ka krismat më të forta. Askush nuk pyeste sa kushtojnë këto mjete piroteknike, me rendësi ta kallim. Qindra e mijëra euro u ndezën për një natë duke ndotur ajrin, dikujt duke ia djeg gishtërinjtë apo sytë vetëm sa për tu kënaqur.
Por a është ky kaos petardësh kënaqësi. Dhe nëse është kënaqësi ku buron kjo kënaqësi. Pse kjo kënaqësi e shfrenuar për të luajtur me zjarr, drita apo me krismat e luftës.


Një dëshirë e fshehur ne vetëdijen kolektive të njerëzimit e krijuar nga historia jonë mijëvjeçare e krismave. Dhe kjo histori ngadalë po kalon në histeri. Njihet në literaturë psikiatrike një sindromë e dëshirës për të luajtur më zjarr e quajtur piromani që secili nga ne e kemi nga pak ne vete kush më shumë e kush më pak.

Por së paku kjo mani e jona kolektive të institucionalizohej përmes fishekzjarrëve të hedhura ne qiell nga organet komunale, sikur në festimet e humbjeve apo fitoreve në zgjedhje do të ishte zgjidhja me fatlume për të gjithë ne. Më pak e kushtueshme, më e bukur dhe e parrezikshme do ishte sesa hedhja e petardëve vend e pavend e nga njerëz papërvojë.

Edhe nëse ndalohen me ligj hedhja e petardëve askujt s’kanë për ti munguar vetëm ndonjë piromani të lindur dhe tregtarëve të petardëve. Apo ndoshta do te duhen të sakatohemi apo të humben jete njerëzish për të filluar për të menduar që të rregullojmë me ligj edhe këtë sferë të jetës tonë pra festim të civilizuar si na ka hije.

S’ka nevojë që secili kosovar të ketë në menynë e vitit të ri qindra petardë kur asnjë kënaqësi nuk sjellin por vetëm na ndotin, djegin dhe keq edukojnë fëmijët tanë.
S’ka nevojë që tregjet tona më shumë të na shërbejnë barot sesa pemë e ëmbëlsira. Por deri në vitin tjetër shpresojmë që legjislativi ynë do të mendojë sesi të rregullojë edhe mënyrën tonë të festimit të përbashkët dhe me dinjitet.

Lus Zotin se shteti ynë do mendojë më shumë për fëmijët e frikësuar, e aty këtu të sakatosur, ajrin e ndotur nga zhurma e baroti, e më pak për tregtarët piroteknik dhe ekstazës piromanike te dikujt.