LAJMI I FUNDIT:

Feronikeli fiton dramën ndaj Besës

Feronikeli fiton dramën ndaj Besës
(Foto: Facebook/KF Feronikeli)

Feronikeli ka qenë nikoqir i Besës në kuadër të xhiros së 23-të në Vala Superligën e Kosovës në futboll.

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas përfundoi me fitoren e vendasve me rezultat 2-1.

Skuadra nikoqire e dominoi pjesën e parë të takimit, megjtihatë nuk arriti ta zhbllokonte rezultatin.


Mendurim Hoti i pati dy raste të mira për vendasit në fraksionin e parë, kurse nga ana tjetër, portieri mysafir Haxhiaj u tregua vendimtar për të penguar pranimin e golit.

(Foto: Facebook/KF Feronikeli)

Dominimi i vendasve vazhdoi edhe në gjysmën e dytë të takimit, mirëpo mungonte goli. Sidoqoftë, në minutat e fundit ndodhi një dramë e vërtetë.

Kur zhvillohej minuta e 87-të, Albutrint Morina arriti t’i kalonte nikoqirët në epërsi.

Mirëpo, mysafirët ia dolën ta barazonin rezultatin në minutën e 90-të. Sidoqoftë, aty ishte Haxhi Shala që riktheu epërsinë në minutat shtesë (90’+3).

Pas kësaj fitoreje, Feronikeli është i katërti në tabelë me 37 pikë të arkëtuara pas 23 javësh.

Besa vazhdon të mbetet në zonën e rrezikut, aktualisht është në vend të 11-të, me 14 pikë. /Telegrafi/