Fernandes: U habitëm me Wan-Bissakan, sepse nuk e dinim se mund të shutojë

Mesfushori i Manchester Unitedit, Bruno Fernandes, është habitur me golin e Aaron Wan-Bissakas në ndeshjen kundër Newcastle United.
Djajtë e Kuq fituan me rezultat 4-1 në St James' Park të shtunën mbrëma, pas një fillimi të keq të lojës me autogolin e Luke Shaw.
Megjithatë, Harry Maguire e barazoi rezultatin, kurse Fernandes më pas e humbi një penallti. Sidoqoftë, portugezi shënoi më vonë për ta kthyer epërsinë në favor të Unitedit.
Wan-Bissaka shënoi një gol të bukur debutues, ndërsa Marcus Rashford e vendosi rezultatin përfundimtar.
Duke folur për MUTV, Fernandes është shprehur i habitur me golin e Wan-Bissakas duke thënë se askush nuk kishte pritur që ai të shutonte.
“(Ishim aq të lumtur) sepse nuk e dinim se ai mund të shutojë! Prandaj, e kemi të vështirë ta besojmë se mund të shënojë, sepse asnjëherë nuk e kemi parë duke shutuar”.
“Kemi folur për të në zhveshtore dhe e kemi pyetur, sepse të gjithë menduam se ka dashur të harkojë dhe nuk i ka shkuar mirë topi dhe ka përfunduar në rrjetë”.
“Por, jam i lumtur për të, ai e meritoi golin dhe ne gjithmonë i kërkojmë që ta bëjë këtë. Të jetë më pozitiv, më shumë në zonë, të përpiqet dhe të përmirësohet, sepse ka shumë cilësi”, ka deklaruar portugezi. /Telegrafi/






















































