Thonë se më punë dhe vullnet të mirë mund të arrish gjithçka. Megjithatë, jeta na ka mësuar se jo të gjitha mund t’i arrijmë me punë dhe dëshirë. Disa gjëra të rralla thjesht i ke vetëm t’i dhe askush tjetër dhe anasjelltas. Këto gjëra quhen dhunti, ndërsa ai që i ka ato është fenomen.

Si adhurues i flaktë i futbollit kam arritur të kuptoj se, nëse ekziston një futbollist që këtë sport e ka thjesht dhunti, dhuratë nga Zoti, ai është Luis Nazario Da Lima Ronaldo.

Por, si mund ta definoj si futbollist Ronaldon? Një kombinim i imagjinatës dhe inteligjencës së Peles, me shpejtësinë dhe depërtimet e Maradonës dhe instinktin vrasës para portës të Van Bastenit. Apo thjesht me një pikturë të Da Vinçit, që sa herë e shikon duket më ndryshe, më e bukur, ka një detal që më herët nuk e ke vërejtur.

Ronaldo për futbollin do të ishte sikur një djalë në romanet e Kadaresë, që recitonte poezitë e Naimit, dhe vargjet e Fishtës. Eh, këtu vjen pyetja: Ç’lidhje ka Da Vinçi, Fishta e të tjerët që përmenden në artikullin për Fenomenin? Ata që nuk e kuptojnë futbollin, nuk e kuptojnë që futbolli në fakt është art. Dhe është i tillë falë lojtarëve si Ronaldo, Zidane, Beckenbauer, Cruyff e dhjetëra të tjerë.

Sa herë që mendoj për Ronaldon, më kujtohet i ndjeri Bobby Robson dhe reaksioni i tij pas golit që Ronaldo shënoi kundër Compostelas. Lojtari tij, Ronaldo, kishte marrë topin diku 70 metra larg portës kundërshtare dhe, pavarësisht goditjeve të vrazhda që merrte nga lojtarët kundërshtarë, rezistonte deri në fund për ta shënuar njërin prej golave më të bukur në historinë e futbollit.
Robson përreth bankinës kishte kapur kokën, shtrëngonte flokët dhe nuk mund të besonte që në futbollin modern diçka e tillë mund të ndodhte. Një lojtar që punon me vullnet dhe pandërprerë nuk mund ta bëjë. Mund vetëm ai që është i lindur për të luajtur futboll.

Fenomenin nuk mund ta ndalte askush, përveç shqelmave, bërrylave e produkteve të ngjashme që sot futbolli modern i merr si vlera. Këto “vlera” dëmtuan seriozisht këmbët e arta të fenomenit.

Dhe një ditë Fenomeni nga “njohësit” e futbollit u shndërrua në “z. Hamburger” apo “z. Majonez”. Këtu më duhet të ndalem te një nga çastet e madhështisë së fenomenit.

Me plot 96 kilogramë, me 85 000 interist, që si të çmendur brohorisin kundër tij, shumë larg portës, bën 3-4 lëvizje vetëm për të treguar se “biçikletat” i bën vetëm ai, dhe me një të majtë spektakolare shënon.

Thjesht për të treguar së ai është special, nuk përsëritet më!
Ka vetëm një Ronaldo dhe ai, padyshim, është brazilian!

(Autori është i diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës)