Një mbrëmje në bulevardin Santa Monica në Los Angelos më bëri të kuptoj që jeta është shumë ndryshe me atë se si e shohim ne,që fatkeqësisht më doli të jetë më keq nga që unë mendoja.

Femrën e lind femra, jo vetëm tek njerëzit por edhe tek të gjithë organizmat e tjerë. Sa shumë e sofistikuar është bota e saj, bota me plot ngjyra që nganjëherë shumë prej tyre nuk arrijnë t’i vërejnë.

Femra duhet ta përdorë dhuratën që merr nga natyra përpara se një mashkull t’ia marrë atë. Mirëpo disa femra nuk arrijnë ta gjejnë këtë dhuratë sepse e kanë të vështirë ta njohin veten dhe si pasojë e kësaj ato veprojnë ndryshe nga plani i rregullave të divave.

Divat janë muza të cilat frymëzojnë botën me veprat e tyre, por për mua çdo femër është një divë, sepse femra me të vërtetë frymëzon botën, ajo jep një shije ndryshe nga bukuritë e tjera.

Por, një gjë nuk më frymëzon aspak, sepse nuk e shoh si frymëzim një femër që shet trupin e saj. Unë e di që këto gjëra disa femra i bëjnë për arsye ekonomike, por Bota e Madhe na gjen shumë mënyra sesi ne ti zgjedhim problemet tona, se si ne të dalim nga një gropë e madhe dhe si ti ndihmojmë të tjerët.

Tash e një kohë, jam pjesë e “Red Cross America“ dhe takoj femra të ndryshme të cilat mundohem ti njohë dhe të mësoj shumë prej tyre. Gjithashtu jam pjesë e një projekti nacional për mbrojtjen e njerëzve pa strehim, prandaj, kjo eksperiencë më ka mësuar shumë por më shumë më ka ndihmuar që unë të di nga çka të kem kujdes dhe nga kush të largohem.

Nuk po them që çdo femër ka nevojë për eksperiencë me projekte të tilla, por secila prej tyre duhet të jetë e vetëdijshme për gjërat dhe vendimet që merr në jetë sepse nganjëherë gjërat e vogla bëjnë ndryshime të mëdha.

Një ditë, dua që vajza ime të jetë e edukuar me kohë për shumë gjëra në jetë sepse ajo me kohë do të gjej dhuratën e saj.

Për mua, dhuratë janë familja, shoqëria dhe padyshim të qënit shqiptare, sepse sa më shumë njerëz që kam njohur në jetë kam ardhur në përfundim që përkundër shumë dukurive negative që kanë shqiptarët ne kemi një mentalitet i cili na bënë të vlerësojmë disa gjëra shumë të arsyeshme që më vonë rezultojnë në të mirën tonë.

Por, sot ka ardhur një kohë tjetër, këtë segment të pathyeshëm shekulli i fundit e ka ndryshuar shumë, e që për fat të keq edhe në Kosovë ka femra që janë viktimë e trafikantëve, njerëz që biznesi i tyre po e shkatërron botën.

Fatkeqësisht, Qeveria e Kosovës dhe Shoqëria Civile nuk janë duke marrë masa në këtë aspekt, duke filluar që nga punësimi i popullatës e deri te çështja në fjalë.

Femra kosovare ka nevojë të integrohet në shoqëri, të jetë pjesë e programeve për aftësim, të shkollohet dhe të ketë përkrahje të përgjithshme nga familja dhe shoqëria sepse mos të harrojmë që jo rrallë jeta e një femre në Kosovë merr fund tragjik.

Por, femra është ajo që duhet të ngrejë zërin, të kërkojë dhe të luftojë për të drejtat dhe nevojat e saj, sepse vetëm kështu mund t’ju tërheqim vërejtjen qeverisë, e cila dihet që prapë se prapë s’do të bëjë asgjë…