Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve ka bërë të ditur se gjatë javës së kaluar ka dorëzuar katër kallëzime penale për raste të rënda të keqtrajtimit të kafshëve dhe organizimit të luftërave të paligjshme me qen.

Sipas reagimit të publikuar nga fondacioni, në Prishtinë janë raportuar dy persona. Njëri, sipas fondacionit, dyshohet për organizim të luftërave me qen, mbarështim të detyruar dhe mbajtje të kafshëve në kushte të papërshtatshme, ndërsa tjetri dyshohet për helmim të qenve në rrugë.


Në Ferizaj, fondacioni njofton se ka raportuar një person që dyshohet për promovim të shitjes së qenve për qëllime luftërash, si dhe për publikim të videove që, sipas tyre, dokumentojnë akte të paligjshme dhe abuzive.

Ndërkaq, në Gjakovë, fondacioni ka bërë të ditur se ka raportuar një të mitur, i cili dyshohet për organizim të vazhdueshëm të luftërave “jashtëzakonisht brutale” me qen përgjatë disa viteve, përdorim dhe abuzim të tyre për këto qëllime, si dhe promovim të dhunës ndaj kafshëve në rrjete sociale. Sipas fondacionit, i njëjti dyshohet gjithashtu se përdor qen të trajnuar si agresivë për të sulmuar kafshët e rrugës.

Fondacioni ka theksuar se këto raste, sipas vlerësimit të tyre, përbëjnë shkelje të nenit 346 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe nenit 16 të Ligjit Nr. 08/L-188, i cili ndalon keqtrajtimin e kafshëve dhe organizimin e luftërave ndërmjet tyre.

Duke folur për hapat e mëtejmë, fondacioni ka bërë të ditur se do të vazhdojë t’i ndjekë rastet dhe ka kërkuar “urgjentisht” konfiskimin e kafshëve të keqtrajtuara, ndalimin e mbajtjes së kafshëve për personat përgjegjës, si dhe ndëshkim maksimal sipas ligjit, përfshirë burgimin. /Telegrafi/