FC Copenhagen, kundërshtari i FC Dritës nga elita e Evropës - detaje për gjigantin danez

Kampioni i Kosovës, Drita, ka arritur një sukses historik në arenën ndërkombëtare, duke u bërë klubi i parë kosovar që kalon raundin e parë të Ligës së Kampionëve. Skuadra gjilanase triumfoi në ndeshjen kthyese si mysafire e Differdange 03 me rezultat 3-2, duke kaluar tutje me rezultat të përgjithshëm 4-2.
Pas fitores 1-0 në “Fadil Vokrri”, Drita udhëtoi në Luksemburg me qetësi dhe përqendrim maksimal. Me dy gola të Arb Manajt dhe një tjetër nga Veton Tusha në fund të ndeshjes, gjilanasit siguruan kalimin në raundin e dytë kualifikues.
Tani, përballja e radhës për skuadrën e Zekirija Ramadanit është shumë më e madhe: FC Copenhagen, kampionët aktualë të Danimarkës dhe një nga klubet më të fuqishme në Evropën Veriore.
Një sfidë e nivelit të lartë kundër gjigantit danez
FC Copenhagen është klubi më i suksesshëm në Danimarkë, me 16 tituj kampioni dhe 10 Kupa të Danimarkës. Vlera aktuale e skuadrës së tyre arrin në rreth 92.6 milionë euro, çka tregon qartë diferencën në buxhet dhe përvojë.
Në radhët e klubit danez aktivizohen emra të njohur dhe me vlerë të lartë në treg si:
Dominik Kotarski – portier kroat, vlera 9 milionë euro
Gabriel Pereira – mbrojtës brazilian, 6 milionë euro
Rodrigo Huescas – mesfushor me profil sulmues, 6 milionë euro
Victor Froholdt – përfaqësues danez, 12 milionë euro
Youssoufa Moukoko – talenti i ardhur nga Borussia Dortmund, me vlerë 10 milionë euro
Përballja e parë mes këtyre dy skuadrave do të zhvillohet më 22 korrik në Danimarkë, ndërsa ndeshja e kthimit do të luhet më 29 korrik në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Pavarësisht emrit të madh të kundërshtarit, Drita tashmë ka dëshmuar karakter dhe guxim ndaj ekipeve të mëdha – dhe do të kërkojë të vazhdojë ëndrrën evropiane përballë një prej emrave më të mëdhenj të këtij edicioni kualifikues. /Telegrafi/





















































