Fatmir Sheholli, i arrestuar nën dyshimet për spiunazh, është rikthyer në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan pas trajtimit mjekësor në spitalin e këtij qyteti.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Florent Gashi.


“Pas disa ekzaminimeve dhe trajtimeve në spitalin e Gjilanit, ai është kthyer në Qendrën e Paraburgimit”, deklaroi Gashi.

Sheholli kishte kërkuar ndihmë mjekësore më 11 tetor dhe u dërgua për hospitalizim.

Aktualisht ndaj tij është në fuqi masa e paraburgimit prej një muaji, e caktuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Ndërkohë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar ndaj tij masën e paraburgimit prej 30 ditësh, me kërkesë të Prokurorisë Speciale.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Sheholli dyshohet se ka qenë i rekrutuar nga Shërbimi Inteligjent i Serbisë (BIA) dhe ka vepruar nën urdhrat dhe udhëzimet e zyrtarit të BIA-së, Bojan Dimiq.

Në aktakuzë thuhet se ai ka mbledhur informacione mbi pronat e uzurpuara të serbëve në Kosovë dhe i ka përcjellë ato nëpërmjet komunikimeve telefonike te zyrtarët serbë të inteligjencës.

Po ashtu, më 26 shtator 2025, në Mitrovicë të Veriut, Sheholli dyshohet se ka marrë materiale audio dhe transkripte të bisedave të zyrtarëve të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, të cilat dyshohet se janë komprometuese.

Prokuroria thekson se, përmes këtyre veprimeve, Sheholli me vetëdije dhe qëllimisht ka cenuar sigurinë dhe rendin juridik të Republikës së Kosovës, si dhe integritetin e zyrtarëve dhe qytetarëve të saj, duke ndihmuar një shërbim të huaj inteligjent në dëm të interesave shtetërore. /Telegrafi/