Në Tennessee, shtetin amerikan ku është rritur legjenda e muzikës Tina Turner, është zbuluar një statujë në nder të saj, por reagimet e adhuruesve janë ndarë.

Monumenti, i lartë tre metra, është vendosur në Brownsville, vetëm disa hapa larg shkollës së mesme ku këngëtarja ka studiuar, si pjesë e ceremonisë vjetore që kremton trashëgiminë e saj, shkruan UNILAD.


Vepra artistike paraqet Tinën me mikrofon në dorë, në një pozë energjike skenike dhe me modelin e saj të veçantë të flokëve. Skulptori Fred Ajanogha, autor i statujës, tha se i kushtoi një vëmendje të veçantë flokëve të saj, duke i përshkruar ato si një “krifë luani”.

Megjithatë, pak pas zbulimit, rrjetet sociale u mbushën me komente të adhuruesve që besojnë se statuja nuk ka arritur të kapë thelbin e ikonës së muzikës. Një përdorues shprehu pakënaqësi të madhe, duke sugjeruar që monumenti të hiqet. “Kjo statujë duhej të rrëzohej menjëherë pas zbulimit. Është një kopje shumë e dobët e asaj që duhet të ishte legjendarja Tina Turner. Çfarë mungese respekti!”, shkruhej në koment.

Të tjerë nuk mund ta merrnin veprën seriozisht. “Nuk mund ta shoh pa qeshur. Pse ia kanë bërë flokët ashtu?”, pyeti një adhurues. Një tjetër tha shkurt: “Ajo meriton diçka më të mirë”, ndërsa disa u tallën duke thënë se statuja nuk i ngjan Tinas, por futbollistit holandez Ruud Gullit.

Gjatë jetës së saj, Tina Turner përballoi shumë sfida, përfshirë martesën e vështirë me Ike Turner, ku përjetoi dhunë, edhe pse me të nisi karrierën në vitet ‘60. Në vitin 1976 ajo e la, me vetëm disa qindarka në xhep. Pas ndarjes, u përball me padi për koncerte të anuluara dhe i shlyeu borxhet duke performuar pa pushim.

Megjithë vështirësitë, ajo arriti të ndërtojë një karrierë të jashtëzakonshme si artiste solo, duke e tejkaluar suksesin e dikurshëm me bashkëshortin, dhe kështu fitoi me meritë titullin “Mbretëresha e Rock ‘n’ Roll-it”. /Telegrafi/