Farewell UNMIK!
Për:
Kryeministrin e Kosovës – Hashim Thaçi
Kryetarin e Komunës së Mitrovicës – Avni Kastrati
Administratorin e UNMIK-ut për Kosovën – Lamberto Zannieri
Administratorin regjional të UNMIK-ut për Mitrovicën - Anil Vasisht
Kur e ftoni mysafirin në shtëpinë tuaj, Ai (mysafiri), duhet t’i përmbahet rregullit shtëpiak të shtëpisë ku ka hyrë. Por kur Ky (mysafiri), le që nuk i përmbahet rregullit shtëpiak por edhe harron se i ka ardhur koha të shkojë në shtëpinë e vet, atëherë ky i ftuar nuk quhet më mysafir, por merr një emër krejt tjetër, që nuk po e përmendim se të gjithë e dinë se cili është!?
Që prej fillimit, UNMIK-u në veriun e Kosovës e sidomos në Mitrovicë, ka luajtur rol të dyfishtë, ose më mirë të thuhet se gjithmonë ka punuar me dy kute (ndryshe për shqiptarët ndryshe për serbët). Serbët (shkaktarët e të gjitha luftërave në territorin e ish Jugosllavisë) kanë qenë gjithnjë të favorizuar, vetëm e vetëm se ‘mozallah’ mos po largohen kolektivisht (ashtu edhe sikurse kanë ardhur në Kosovë në vitin 1924 e këndej), dhe mos po na lënë shumë keq neve shqiptarëve (populli autokton, shumicë mbi 98% në Kosovë)!? Ose ndoshta edhe për shkaqe tjera UNMIK-u i mbron serbët. E që mbasi nuk janë thënë mund të jenë reale por edhe spekulative. Dhe që nga ajo kohë (ardhja e UNMIK-ut) natyrisht me ftesën tonë, e deri më sot, përpjekjet tona (shqiptarëve) për kthimin në shtëpitë, banesat, pronat dhe vatrat tona etnike dhe shekullore, kanë rezultuar me suksese të vogla që në përmasat e numrit të atyre që duhet të kthehen janë minore.
Shpërngulja e shqiptarëve nga veriu në jug të Mitrovicës, menjëherë mbas çlirimit nga okupatori serb, në fillim ka qenë shumë intensive, ndërsa me intensitet të ndryshëm vazhdon edhe sot e kësaj dite. Është tragjik rasti i dëbimit të shqiptarëve në Kroin e Vitakut, menjëherë mbas çlirimit, kur serbët me ndihmën e KFOR-it i kanë përzënë me armë zjarri nga tendat ku ja kanë filluar të banojnë, me qëllim që të ja fillojnë rindërtimit të shtëpive të tyre të djegura. Me këtë rast shumë shqiptarë janë plagosur rëndë dhe me pasoja të përhershme të gjymtimit anatomik dhe fiziologjik, fatmirësisht pa të vdekur.
Është edhe më tragjik rasti i 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, kur nën flakët e pushkëve të serbëve të tërbuar, mijëra shqiptarë janë përndjekur sërish nga veriu në jug dhe më këtë rast janë vrarë dhe plagosur qindra shqiptarë në prezencën e të gjitha forcave të mundshme të UNMIK-ut dhe KFOR-it. Bilanci tragjik i vrasjeve të shqiptarëve nga ana e serbëve që nga përfundimi i Luftës e deri më sot është mbi 30 vetë.
Të gjithë donatorët që kanë ardhur për ta ndihmuar rindërtimin e veriut të Mitrovicës, janë larguar për shkak të shpjegimit të UNMIK-ut se nuk ka siguri!!? Në vitin 2003 banorët e Lagjes “Lugina e Doktorëve” me vetiniciativë kanë filluar pastrimit të shtëpive të tyre të djegura dhe të shkatërruara, dhe pas disa ditësh kanë reaguar fqinjët serbë duke e shkaktuar edhe një djegie definitive të atyre pak druve që kanë mbetur në kulmet e çative tona nga Lufta. Për habinë tonë, UNMIK-u, Policia e UNMIK-ut si dhe KFORI-istët danez, në vend që të na mbrojnë, na kanë përzënë sërish nga shtëpitë tona me fyerje verbale dhe kërcënime të dhunës fizike, duke e përfshirë këtu kërcënimin me armë zjarri (me gishtat në këmbëzat e pushkëve automatike) dhe marrjen e kasetës filmike ku ishte incizuar aktiviteti tragjik dhe i turpshëm i atyre që kishin ardhur nga bota të ndajnë Drejtësi në Kosovë!!? Dhe në atë kohë lajmërohet një “mbret” amerikan me origjinë italiane i UNMIK-ut i cili në emër të Kombeve të Bashkuara, vizaton dhe vendosë Vija të Kuqe në Veriun e Mitrovicës, të cilat kanë qenë Kufij shumëvjeçar që shqiptarët nuk kanë guxuar t’i kalojnë, qoftë edhe në këmbë për t’i vizituar shtëpitë e tyre, e lerë më për të rindërtuar, gjë që as nuk mund të imagjinohej!
Disa vjet pas funksionimit real të këtyre Vijave të Kuqe, d.m.th. të Ndalesës së rindërtimit të shtëpive dhe kthimit të banorëve shqiptarë në veri, e kemi kuptuar se këto vija i kanë shpikur vetë nëpunësit e pandërgjegjshëm dhe të korruptuar të UNMIK-ut, të cilët kanë punuar sipas direktivave të Beogradit. Kombet e Bashkuara në realitet asnjëherë nuk kanë vendosur pengesa për kthimin e banorëve në shtëpitë e tyre, gjë që na është thënë tek në vitin 2008!
UNMIK-u është kundër ndryshimit të strukturës demografike etnike dhe e ndalon shitblerjen e patundshmërive në mes të shqiptarëve dhe serbëve, por këtë ndalesë e aplikon vetëm atëherë kur shitblerja shkon në disfavor të serbëve. Përkundrazi e përkrah shitblerjen kur ajo shkon në disfavor të shqiptarëve (rasti i Kodrës së Minatorëve, Mëhallës së Boshnjakëve, etj.).
Kërkesat e banorëve shqiptarë, drejtuar organeve të UNMIK-ut, rregullisht injorohen. Po e përmendim rastin banal të kyçjes së ndriçimit të rrugës në Lagjen “Lugina e Doktorëve”, veprim i cili kërkon një shtypje suste në komandën qendrore të rrjetit elektrik të cilin e menaxhojnë serbët, dhe një shtypje e sustës nuk ndodhë asnjëherë deri në ditët e sotme, me shpjegimin e administratorit rus se nuk ka kompetenca të urdhërojë askënd!!? Po ashtu i ngjashëm është edhe rasti i mosvendosjes së kontejnerëve për bërllok! Ingjerencat ekzekutive, ky administrator i ka shumë selektive dhe diskriminuese kur janë kërkesat e shqiptarëve në pyetje!!
Ndërsa kërkesat tona për ambient të civilizuar dhe ekologjik, duke i përfillur kriteret e ndërtimit urbanistik, as që janë shqyrtuar ndonjëherë. Për më tepër serbët ndërtojnë shtëpiza në të dy anët e aksit rrugor edhe mbi trotuar, në bregun e majtë të Lumit Ibër që lidhet me urën kryesore të Qytetit dhe që kanë për qëllim kryesor pengimin e qarkullimit të lirë të qytetarëve shqiptarë. Për më tepër UNMIK-u e lejon ndërtimin e monstrumeve ndërtimore të ndërtesave shumkatshe (tetë e më tepër) për serbë, në një ambient rezidencial të shtëpive private njëkatëshe dhe në tokën ku asnjëherë nuk ka pasur banorë serbë, por vetëm banorë shqiptarë. Dhe mbi të gjitha UNMIK-u e lejon funksionimin e Stacionit të Karburantit literarisht po ashtu mbi trotuar të këtij aksi rrugor.
Në të njëjtën kohë nëpunësi rus dhe indian në krye të UNMIK-ut regjional në Mitrovicë janë shumë azhil dhe këmbëngulës t’ia ndalojnë ndërtimin e një shtëpize përdhese një fshatari të varfër shqiptar në pronën e tij në fshat e midis mali!. Kulminacionin e ‘ius abutendit’ absurditetit të UNMIK-ut e përbënë refuzimi i prerë i tij (qëndrimi i administratorit rus i shprehur verbalisht në shumë Mbledhje të Sigurisë që mbahen në veri të Mitrovicës), i ndarjes së drejtë të kioskave afër Urës së Ibrit midis banorëve shqiptarë dhe serbë, bile ndarjen e ndonjë kioske për shqiptarët, se për proporcionin sipas strukturës etnike të banorëve të veriut të Mitrovicës, përafërsisht 3:1 në favor të shqiptarëve, as që mund të flitet!.
Prandaj iu sugjerojmë këtyre nëpunësve të UNMIK-ut që sa më parë ta marrin ‘ius abutendin’ me veti dhe ta aplikojnë në shtetet e tyre (me shpresë se atje ka për t’jua ndaluar dikush veprimtarinë keqbërëse dhe ka për t’i mbrojtur banorët e gjorë të atyre shteteve nga këta nëpunës të pandërgjegjshëm dhe papërgjegjshëm).
Ka edhe shumë për tu thënë për të bërat dhe të pabërat e nëpunësve të UNMIK-ut, për sihariqet e tyre me konotacion tejet negativ dhe destruktiv si dhe për pozicionet që i marrin kur janë në pyetje kërkesat e Shqiptarëve, kur vetëm i rrudhin krahët dhe bëjnë sehir!!!
Ka edhe shumë për tu thënë për padrejtësitë kundër shqiptarëve, për fyerjet, rrahjet, persekutimet e llojllojshme e deri në vrasje që i shkaktojnë serbët tash e 11 vjet pas Lufte (vrasja e një shqiptari para një muaji në Kodrën e Minatorëve e organizuar dhe ekzekutuar nga kriminelët serbë dhe MUP-i – strukturë ilegale policore e Serbisë që vepron në Kosovë me dijeni të UNMIK-ut) dhe ku autoritetin administrativ, policor e ushtarak e ushtron UNMIK-u dhe është përgjegjësi kryesor për siguri të qytetarëve. Mirëpo po e lëmë për ndonjëherë tjetër, ose ndoshta po jua lëmë përgjithmonë historianëve të shkruajnë për të gjitha llojet e padrejtësive që shqiptarët i kanë përjetuar nën administrimin e UNMIK-ut e sidomos shqiptarët e veriut të Kosovës, sepse Drejtësia kështu edhe ashtu është e Bllokuar. Le t’i referohemi thënies latine: O tempora, o mores!!
Prandaj:
Farewell UNMIK për gjithçka pozitive që ke bërë për neve (nëse ke bërë),
Farewell për gjithçka pozitive që ke mundur të bësh e që nuk e ke bërë,
Farewell për gjithçka negative që ke bërë dhe Farewell për të gjitha!!!
Për ata që s’e kuptojnë anglishten:
Lamtumirë UNMIK!!!
Shkofsh e mos u kthefsh!!!
(Me nderime: Dr. Musa Myftari, Ing. Ramadan Ademi, Prof. Ibrahim Bala, Musa Januzi, Afrim Ahmeti, Qamil Hajrizi, Prof. Bedri Hamza, Fatmir Shala, Xhafer Ibrahimi, Hilmi Beqiri)



































