LAJMI I FUNDIT:

FAQJA

FAQJA

Nga: Margaret Atwood
Përktheu: Besnik Hamiti

1. Faqja pret, duke u shtirë se është e zbrazët. Vallë është kjo, zbrazësia, joshja e saj? Çfarë tjetër është kaq e lëmuar dhe e bardhë, kaq tmerrësisht e pafajshme? Bora që bie, akullnaja? Është një shkretëtirë, krejt e thatë, pa jetë. Por njerëzit kuturisen në këso vendesh? Për të parë se sa mund të durojnë, sa shumë dritë të thatë?

2. Thashë që faqja është e bardhë, dhe e tillë është: e bardhë si fustani i nusërisë, si balena e rrallë, pulëbardhat, engjëjt, akulli dhe vdekja. Disa thonë që si drita e diellit i përmban të gjitha ngjyrat; disa të tjerë thonë që është e bardhë sepse është e nxehtë, do të t’i djegë nervat optikë; që ata që shikojnë me ngulm në faqe për kohë të gjatë do të verbohen.


3. Vetë faqja nuk ka dimensione dhe nuk ka drejtime. Nuk ka lart as poshtë përveç asaj që shenjon ti vetë, s’ka trashësi as peshë pos atyre që ti vendos në të, veriu dhe jugu nuk ekzistojnë përpos nëse je i sigurt për ta. Faqja është pa pamje dhe pa tinguj, pa qendra apo skaje. Për këtë shkak mund të humbasësh në të përjetë. A nuk ke parë vështrimin mirënjohës, vështrimin e gëzimit, të atyre që kanë arritur të kthehen nga faqja? Pavarësisht ligështimit të tyre, gjakut që kanë humbur, ata bien në gjunjë, ata fusin duart në dhé, përqafojnë trupat e atyre që duan, apo, kur është zori, cilindo trup që e gjejnë, me një ngulmim që nuk e njohin ata që nuk e kanë përjetuar kurrë tmerrin e plotë të udhëtimit brenda faqes.

4. Nëse vendos të futesh në faqe, merr një thikë dhe disa fije shkrepëse, dhe diçka që pluskon. Merr diçka në të cilën mund të mbahesh, dhe një prizëm që të shpërndarë dritën dhe një hajmali që ndikon, e cila duhet të varet në zinxhir rreth qafës: kjo për të gjetur rrugën e kthimit. S’ka rëndësi çfarë këpucësh mbath, por duart duhet t’i kesh të pambuluara. Nuk duhet të hysh në faqe kurrë me dorashka të vëna. E tepërt të thuhet, por këto vendime nuk duhet të merren me lehtësi.

Ka të tillë, gjithsesi, që hyjnë në faqe pa marrë vendim, pa e pasur mendjen të hyjnë. Disa nga ta kanë jetë të bekuar dhe pa vështirësi, por shumica kurrë nuk ia dalin të ikin nga aty. Faqja atyre u duket si një bunar, si një pishinë e bukur në të cilën zënë pamjen e fytyrës, të vetes por më të mirë. Këta të pafat nuk kërcejnë: në të vërtetë bien, dhe faqja mbyllet mbi kokat e tyre pa bëza, pa tegel, dhe menjëherë bëhet e plotë dhe e zbrazët, e qelqtë dhe joshëse siç ishte më parë.

5. Pyetja në lidhje me faqen është: çfarë ka përfundi saj? Duket se ka vetëm dy dimensione, mund ta marrësh dhe ta rrotullosh dhe pjesa e prapa është e njëjtë me atë para. Asgjë, thua ti, i zhgënjyer.

Por ke kërkuar në vendin e gabuar, ke kërkuar në anën e pasme, në vend se përfundi saj. Përfundi faqes ka një tregim tjetër. Përfundi faqes është gjithçka që ka ndodhur ndonjëherë, për shumicën e të cilave me qejf nuk do të doje të dëgjoje.

Faqja nuk është pishinë, por lëkurë, një lëkurë është aty për të fshehur dhe mund të ndjejë që e prekni. Me të vërtetë menduat që ajo është aty për të mos bërë gjë?

Rreziko e preke faqen: je ti që je i zbrazët e i pafajshëm, jo faqja. Megjithatë ti do të dish, asgjë nuk do të të ndalojë. Kur prek faqen, është sikur të kesh tërhequr thikën përmes saj, faqja është plagosur tani, një plagë e lëmuar hapet, një prerje e hollë. Errësira derdhet përtej.

“The Page” është marrë nga libri me tregime të shkurta dhe proza poetike “Murder in the dark” i autores kanadeze me nam Margaret Atwood.