LAJMI I FUNDIT:

FANGO, PANGO, MANGO…

FANGO, PANGO, MANGO…

Për studiuesin Alan Fowler dhe definicionet e tij për sojet e liga të OJQ-ve që i kemi me shumicë në Kosovë

Para ca kohësh, njeriu i letrave, botuesi dhe publicisti Frano Kulli, në një shkrim të tij thotë se përderisa dikur mercenarët luftonin në vende të largëta për llogari të perandorive të huaja, tash ata i kemi përbrenda shoqërisë sonë. Sipas tij, këta mercenarë fshihen prapa biçim kozmopolitanizmit dhe për ta je provincial nëse zë në gojë interesat kombëtare.


“Dhe, gjithologët tanë, dijetarë për gjithçka rrokull kësaj bote, prej te ngrohja globale e deri te ngjizja e njeriut në epruvetë, si gjithherë ca syresh janë të gatshëm të bëjnë atë që bëjnë prej shumë kohësh dhe të paguhen mirë”, ka thënë ndër të tjera Kulli.

Këta “kozmopolitë” i gjen kudo, e më së shumti në NGO (Non-governmental organization)/OJQ (Organizatë Jo-Qeveritare), që parimisht duhet të jenë organizata që aktivitetin më të madh e bëjnë mbi baza vullnetare, pra për ideale qëllimmira. Fatkeqësisht, angazhimi për të mirën e përgjithshme nuk i karakterizon shumicën e tyre, kudo ndër shqiptarë në rajon, sepse janë shumë profitabile për klane të liga shoqërore e familjare. Ato nuk kanë synime për të lënë prapa vepra të mira – sepse kjo kërkon dije, mund e sakrificë – e aq më pak kanë turp për dëmet që shkaktojnë.

Derisa OJQ-të në botë i shtyjnë para proceset dhe shoqëritë, shumica e këtyre krijesave – që përfaqësohen nga dallkaukët servilë gjysmë-analfabetë – e shtyjnë para marrëzinë përmes kauzave të rrejshme. Përderisa puna e këtyre organizatave duhet të jetë e tillë që të tërheq vëmendjen e politikës tek brengat reale të qytetarëve, shumë nga to janë shërbëtore të politikave të mbrapshta dhe të krimit që e lanë prapa Kosovën në 20 vitet e fundit.

Për të kuptuar punën e shumicës së këtyre organizatave (jo të gjithave, kuptohet) duhet kujtuar personin që ka analizuar me vite të tëra punën e OJQ-ve – aktivistin dhe studiuesin Alan Fowler (një ndër njohësit më të mëdhenj të shoqërisë civile dhe të veprimtarisë së OJQ-ve, autor e bashkautor i shumë veprave të vlerësuara në këtë aspekt). Në veprën e tij “Striking a Balance”, për OJQ-të që nuk marrin parasysh vlerat dhe misionet humane, por vetëm përfitimet me çdo kusht – pa marrë parasysh pasojat – ai i ka këto definicione:

BRINGO (Briefcase NGO): “OJQ e çantës” që nuk është asgjë më shumë se bartja e çantës me një propozim të shkruar “mirë”;

ComeN’GO (Come and go NGO): “OJQ që shkon e vjen”, që paraqitet me raste, vetëm kur pronarët kanë përfitime;

CONGO (Commercial NGO): “OJQ komerciale”, e ngritur nga bizneset për të marrë pjesë në oferta e që në fakt ndihmojnë në fitimin e kontratave dhe zvogëlimin e taksave që duhet paguar;

CRINGO (Criminal NGO): “OJQ kriminale” e krijuar për qëllime ilegale, sidomos për eksport-import (p.sh. kontrabandë) – gjë e zakonshme në ekonomitë e tranzicionit;

DONGO (Donor NGO): “OJQ donatore” e krijuar dhe në pronësi të donatorëve për të kryer punët e tyre, teksa shpenzimet e mëdha i shpallin të jenë bërë jashtë;

FANGO (Fake NGO): “OJQ e rrejshme” që regjistrohet për diçka e përdoret për krejt diçka tjetër – gjë e rëndomtë për shtetet e korruptuara të Evropës lindore;

GONGO (Government-Owned NGO): “OJQ në pronësi të Qeverisë” – e ngjashme me GRINGO-n, për të marrë dhe drejtuar fondet jofitimprurëse nga sistemi zyrtar;

GRINGO (Government run and initiated NGO): “OJQ e nxitur dhe e udhëhequr nga Qeveria” – një variant i QUANGO-s, por me funksion të kundërshtimit të OJQ-ve reale, gjë kjo shumë e zakonshme në Afrikë;

MANGO (Mafia NGO): “OJQ mafioze” – organizatë kriminale që ofron shërbime të pastrimit të parave, gjë kjo e zakonshme në Evropën lindore, në Azi e në Afrikë;

MONGO (My own NGO): “OJQ-ja ime personale” – pronë e një individi;

NGI (Non-Governmental Individual): “Individ joqeveritar” apo personi që vepron thuajse ai është OJQ, por pa përkatësi ndaj organizatës;

PANGO (Party NGO): “OJQ partiake” – politikanë apo parti politike aspiruese ose e ndaluar, e veshur me petkun e OJQ-së, gjë që shihet shpeshtë në Azinë Qendrore dhe në Indokinë.

PHANGO (Phantom NGO): “OJQ e fantazisë” që ekziston vetëm në mendjet e folësit, për të përkrahur një ide;

PONGO (Politician’s NGO): “OJQ e politikanëve”, e hapur për të drejtuar fondet në zonat elektorale si mbrojtje ndaj sulmeve të opozitës;

QUANGO (Quasi NGO): “Kinse OJQ” – një trup i krijuar nga Qeveria, për të krijuar një distancë politike…

Nëse analizohen përkufizimet që ka bërë Alan Fowler dhe nëse bëhen krahasimet e këtyre rasteve me Kosovë apo me Shqipëri, ato dëshmojnë një paradoks: Kosova si territor është në Evropë, por me mendësi shtetërore e shoqërore është më afër shembujve të këqij në Afrikë e në Azi!