Një familjeje gjermane iu tha nga autoritetet në Lisbonë se djali i tyre (46 vjeç) kishte vdekur në një aksident të tmerrshëm me ashensorin e pjerrët në Lisbonë.

Por, kur arritën në morg për të identifikuar trupin, ndodhi një kthesë e papritur – djali i tyre nuk ishte ndër viktimat. Ata e gjetën atë të gjallë, më vonë, në spital, shkruan “Bild”.


Policia portugeze kishte konfirmuar të enjten se një shtetas gjerman ishte mes të vdekurve, por kjo doli të ishte një gabim për shkak të ngatërrimit të identitetit. Prindërit e viktimës së supozuar, një turisti gjerman, shkuan të premten për të identifikuar trupin, por nuk e gjetën. Pas një kërkimi, ata e gjetën atë në spital – i plagosur, por i gjallë.

“Përshkrimi fizik i shtetasit gjerman që morëm ishte shumë i ngjashëm me atë të një burri britanik. Vetëm pas testeve shkencore u bë e mundur të përcaktohej identiteti i vërtetë i viktimës”, deklaroi zëdhënësja e policisë. Edhe Ministria e Jashtme e Gjermanisë konfirmoi se nuk besojnë të ketë viktima gjermane.

Burri (46) dhe gruaja e tij (45), e cila gjithashtu u plagos në aksident, janë duke u trajtuar në spital. Djali i tyre trevjeçar kaloi pothuajse pa lëndime në aksident. Fillimisht u shpëtua nga një polic, dhe më pas u ekzaminua nga një pediatër.

Kujtojmë se në aksidentin e rëndë që ndodhi të mërkurën në mbrëmje humbën jetën gjithsej 16 persona, ndonëse informacionet e para flisnin për 17 viktima. Ndër viktimat ishin njëmbëdhjetë shtetas të huaj: tre nga Britania e Madhe, dy nga Kanadaja dhe Koreja e Jugut, si dhe nga një person nga SHBA, Franca, Zvicra dhe Ukraina, përveç pesë shtetasve portugezë.

Ashensori i famshëm “Elevador da Glória”, një nga atraksionet turistike të Lisbonës, për shkak të një defekti të mundshëm në kabllo, rrëshqiti në mënyrë të pakontrolluar në një rrugë të pjerrët, doli nga shinat dhe u përplas me një ndërtesë. Hetimet për shkaqet e aksidentit dhe kontrollin e mirëmbajtjes janë në zhvillim. /Telegrafi/