Familja Berisha nga Janjeva ndal djalin nga shkolla, akuzon mësuesen për dhunë

Djali 7-vjeçar i familjes Berisha nga Janjeva nuk është duke shkuar në shkollë që një muaj, prej kur thotë ta ketë rrahur mësuesja.
E ëma, Habibe Berisha, thotë se fëmija i saj, i cili është në klasë të parë, është rrahur nga mësuesja.
Ajo tregon se i biri kishte shenja në trup, të shkaktuara nga mësuesja Haxhere Demiri, raporton KTV.
Pas ngjarjes, familja është përkujdesur që t’i japë trajtimin e duhur mjekësor të birit dhe raportet e psikologut tregojnë se fëmija aktualisht ka simptoma të stresit post-traumatik. Ai ka frikë të qëndrojë vetëm dhe e shmang shkuarjen në shkollë.
Prindërit kanë kërkuar nga fëmija i tyre që të shkojë sërish në shkollë, por ai sapo dëgjon për mësuesen, fillon të qajë e të bërtasë nga frika.
Prindërit thonë që drejtori i shkollës u ka dërguar njerëz në shtëpi, duke kërkuar që t’i falet gabimi mësueses.
Por, të gjitha pretendimet drejtori i shkollës i hedh poshtë.
Ndërsa drejtoria e arsimit e Komunës së Lipjanit ende nuk ka ndërmarrë asgjë lidhur me këtë rast.
KTV-ja ka provuar të kontaktojë edhe me mësuesen Haxhere Demiri, por ajo nuk e ka hapur telefonin.
Ajo po vazhdon të mbajë mësimin si çdo herë tjetër, ndërsa fëmija i familjes Berisha nuk ka shkuar më në shkollë.



















































