Fama e heronjve negativë: Herostrati dhe Nalutisostrati
Gjatë gjithë historisë së njerëzimit ka pasur shumë personazhe që me veprat e tyre janë bërë heronj negativë dhe të vetëshpallur historikë. Mjerisht edhe në kohët e sotme po krijohen dhe po defilojnë personazhe të tilla në mënyrë që të mos i mbetemi borxh historisë.
Në Greqinë Antike, Herostrati u bë i famshëm, sepse i vuri zjarrin Tempullit të Artemisit në Efes, i cili ishte njëra nga shtatë mrekullitë e botës antike. Kjo ndodhi saktësisht 356 vjet p.e.s. Sot, edhe pse kanë kaluar rreth 2365 vjet, historia po përsëritet duke pasur njëkohësisht shumë ngjashmëri dhe shumë dallime ndërmjet Herostratit dhe personazheve të freskëta të kësaj natyre.
Filozofi i njohur francez Sartër i ka kushtuar këtij personazhi një tregim. Ngjashmëritë përbëjnë qëllimin dhe vizionin, sepse e kanë një dhe vetëm një, kurse dallimet përbëjnë karakteret e tyre, sepse ato janë krejt të ndryshme në rrugën që kanë zgjedhur, meqë përdorin metoda krejt të tjera. Jo dhe të panjohura. Njëri prej tyre m’i ngjau Brutit të Shekspirit. Impakt natyror ose i mësuar i njeriut.
Këta heronj të kohës së sotme, i kanë kopjuar Herostratit madje dhe emrin. Njëri quhet Nazostrat, ndërsa tjetri Lutisostrat, kurse për t’u bërë më të popullarizuar dhe më të fuqishëm kanë zgjedhur emrin e përbashkët Nalutisostrat. Pra, një personalitet, por me dy karaktere.
Nazostrati
Nazostrati, për fat, i gjeti dy personalitete shumë “kredibile”, njëri me aftësi të shquara për skenar, të cilit edhe Oliver Stoni do t’ia kish lakmi, kurse tjetri me aftësi të jashtëzakonshme për regji, të cilit edhe Stiven Spilbergu do t’ia kish lakmi po ashtu. Që të tre u mblodhën dhe në afat rekord e xhiruan filmin në CD. Për të mos bërë shpenzime, distribuimin e CD-ve të filmit fantastiko-shkencor e bën personalisht ata vetë. Për fatin e tyre, kishte mjaft publik të interesuar për CD-në.
Për fatin e tyre edhe më të madh, pati edhe të atillë që mezi pritën t’ia plasonin publikut të gjerë. Dhe, derisa ky publik i gjorë priste pranë ekraneve ndonjë emision të këndshëm kulturor apo shkencor, vetëtimthi iu shfaq para syve filmi më i mirë amator i metrazhit të shkurtër dhe, njëkohësisht, më i liri, sepse të gjithë aktorët luanin gratis.
Pasi pashë filmin dhe kuptova përmbajtjen e tij, me të vërtetë u habita se si mund ta shikonim një film kaq të mirë pa paguar për të sipas skemës Pay-Per-View. Sidoqoftë, ky film gjeti rrugën e “suksesit”, sepse sipas informacioneve që posedoj, DigitAlbi ka nënshkruar kontratë me këta filmaprodhues dhe janë marrë vesh që filmi të futet në rubrikën e zhanrit Horror-Triller-Fantazi me pagesë, sipas skemës Pay-Per-View, por u ndalohet rreptësisht personave nën moshën 18 vjeç.
Lutisostrati
Lutisostrati duke parë famën e Nazostratit e lakmoi dhe menjëherë vendosi për të bërë diçka të ngjashme. Mbeti në botën e artit dhe të kulturës, por në vend të filmit, u përcaktua për një shfaqje teatrale. Edhe ky, që në fillim, e kishte të sigurt që do të shfaqej nëpër televizione.
Por, regjinë e bëri paksa më profesionale dhe më akademike, duke frenuar personazhet kryesore që të mos dilnin jashtë këtij karakteri. Kjo i mundonte pak, por nuk kishin çfarë të bënin, sepse nga urtësia e madhe ngurtësoheshin. Dhe çfarë bënë më tutje. U ulën si burrat dhe, përveç regjisë, edhe skenarin e bën në mënyrë të rafinuar. E bën aq profesional dhe aq akademik, saqë vetëm kameleonët dhe dhelprat mund ta ekzekutonin para masës.
Ja disa fjali të nxjerra nga ky skenar: Aty ku vidhen votat rroken armët! Ne jemi parti shqiptare! Ne nuk jemi të kënaqur pse e fitojmë qytetin, por pse i mposhtim të tjerët! Do ta shihni se kush është i madh e kush është i vogël në politikë! Ata u pajtuan njëzëri që këto janë sentenca magjike, shkencore, vizionare e akademike dhe për më tepër nuk përmbajnë asnjë dromcë urrejtjeje, racizmi apo sadomazohizmi. Dhe s’u mbeti gjë tjetër, veçse ta ekzekutonin pjesën teatrale.
Lutisostrati shkoi gjithandej nëpër Kosovë dhe e shfaqi veprën teatrale. Kaluan disa javë. Aktorët u lodhën, por publiku nuk u nda i kënaqur. Publiku duhej të votonte për shfaqjen e vitit. Fatkeqësisht, votoi për një vepër shumë më përmbajtësore, shumë më reale dhe shumë më të afërt me nevojat dhe kërkesat e tij.
Si rezultat i këtij dëshpërimi, Lutisostrati u detyrua të kërkojë ndihmën e Nazostratit që t’i gjejë shpëtimin financiar, madje do t’i jepte 3 përqind të inkasimit nga të hyrat. Nazostrati u tregua zemërgjerë dhe i vuri në lidhje me DigitAlbin. Marrëveshja u nënshkrua me këto kushte: 1. Vepra do të shfaqet Pay-Per-View, por, ndryshe nga filmi i Nazostratit, ajo do të hyjë në rubrikën Dramë-Komedi-Aventurë. 2. Për këtë shfaqje nuk ka kufizime të moshës, sepse dominon pjesa komike dhe të gjithë kanë të drejtë të qeshin me personazhet e saj.
Unë dhe shoku im
Sidoqoftë, cilido qoftë suksesi i veprave të Nazostratit dhe Lutisostratit, ne u dëshirojmë sukses nga zemra. U dëshirojmë karrierë të gjatë, jo vetëm në botën e filmit dhe të teatrit, por edhe në ndonjë fushë tjetër. Shpresojmë në politikë, sepse janë ende të ri dhe nuk janë konsumuar në sistemet e kaluara. Duke ditur që ata kanë një qëllim dhe një vizion nuk dyshojmë asnjë pikë në suksesin e tyre. Ndërkaq, ne të tjerëve s’na mbetet gjë tjetër, veçse t’i kthehemi realitetit.
Por, nga shija e mirë që më kanë lënë këto kryevepra artistike, unë dua të shikoj edhe një vepër tjetër kulturore. Sapo më lajmëruan se në të vetmin shesh të qytetit me pllaka “të bukura” dhe të “zbukuruar” si asnjë qytet tjetër metropolitan për nder të festave të fundvitit, do të shfaqet një projekt kulturor. Një shok më tha se ishte projekti i 341-të në qytetin tonë. Unë e pyeta si ka mundësi të jetë i 341-ti kur unë nuk e kam parë as të pesëmbëdhjetin e lëre më ndonjë më shumë? Ai m’u përgjigj: Po, po, po, i 341-ti është!!! Ne ua kemi kaluar edhe Parisit, Romës, Madridit, …, insistonte ai. Mua, çuditërisht, shoku im më bindi.
Pastaj e pyeta se çfarë do të përmbante ky projekt kulturor, siç e quanin të gjithë. Shoku m’u përgjigj: Do të recitojë një fëmijë para bustit të Skënderbeut te sheshi. Ja dhe vargjet hyrëse të recitalit të tij: Pse o Skënderbe nuk i bëre vend Nalutisostratit, Heroit të Filmave dhe Teatrit. Shokut tim nuk ia thashë asnjë fjalë tjetër më shumë, sepse ai zemërohet shpejt. Vetë me vete thashë: Lum Kosova për Nazisostratin, këtë hero të përkryer!
N.B.
Emrat e personazheve të kësaj humoreskeje janë të trilluar. Çdo ngjashmëri e mundshme është e rastësishme.
(Autori është admirues i heronjve pozitivë)



































