Një nga emrat më premtues në futbollin kosovar është padyshim portieri i talentuar i Suharekës, Eurolind Avdimetaj.

Portieri i talentuar kosovar këtë sezon ka bërë debutimin e tij në Superligën e Kosovës, duke treguar pjekuri dhe cilësi të rralla për moshën që ka.


Avdimetaj u paraqit për herë të parë në një nga ndeshjet më të vështira të mundshme, derbin lokal kundër Ballkanit.

Edhe pse Suhareka u mposht me rezultat 2-0, ai u dallua si më i miri në fushë, duke bërë plot 10 pritje vendimtare.

Gjatë sezonit 2024/25, Avdimetaj ka zhvilluar 10 ndeshje në elitën e futbollit kosovar, duke konfirmuar se është një portier me të ardhme të ndritur.

Siguria që ofron në portë, reflekset dhe vendosja e tij kanë tërhequr vëmendjen e opinionit sportiv në vendin tonë.

Forma e tij e mirë nuk ka kaluar pa u vënë re as nga Kombëtarja, ku Avdimetaj është grumbulluar për herë të parë nga Kosova U21, një hap i madh në rrugëtimin e tij drejt ëndrrës për përfaqësimin e ekipit kombëtar A.

Avdimetaj ka folur për Telegrafin rreth sezonit që po përfundon, ku është shumë i kënaqur që ka debutuar në elitën e futbollit kosovar.

"Sa i përket paraqitjes personale jam shumë i kënaqur, dhe me debutimin tim në Superligë në një moshë të re padyshim i jam mirënjohës kryesisë së klubit dhe stafit të trajnerëve që ma kanë dhënë një mundësi të artë që në një moshë të re të ma besojnë vendin e titullarit", tha Avdimetaj për Telegrafin.

19-vjeçari  shton se ftesa nga Kombëtarja U21 ka qenë një moment i paharrueshëm deri më tani.

"Ajo ndjenjë nuk do koment, ashtu si çdo futbollist që e ka ëndërr të përfaqësojë vendin e tij. Edhe ëndrra ime ka qenë të përfaqësoj ngjyrat dardane, dhe për këtë ftesë i jam shumë mirënjohës gjithë stafit të grupmoshës U21. Ëndrra ime gjithmonë do të mbetet Kombëtarja A", vazhdon tutje Avdimetaj.

Për të ardhmen, Avdimetaj ka objektiva të qarta që fillimisht të mbetet në elitë me Suharekën dhe të ardhmen e tij e sheh në Evropë.

"Synimi im është mbetja në elitë me Suharekën, pastaj me shumë punë dhe përkushtim të arrij tek qëllimi im që padyshim është të luaj në ndonjë kampionat evropian", tha Avdimetaj. /Telegrafi/

telegrafi sport app