EULEX-i, misioni për të cilin shumëkush shpresonte se do të luftonte krimin e organizuar dhe korrupsionin në Kosovë, po kthehet në një histori tragjiko-komike. Duke u marrë me Albin Kurtin, për të zhvendosur vëmendjen e opinionit nga mossukseset e njëpasnjëshme që e kanë përcjellë këtë mision që nga fillimi “i shtrirjes”, e deri tani, një vit e gjysmë, EULEX-i iu vuri kapak dështimeve të veta.

Pjesëtarë të këtij misioni të mërkurën u zunë me cigare dhe alkool kontrabandë në kufirin Maqedoni-Kosovë, në momentin kur Yves De Kermabon, në takimin e Bordit për Sundimin e Ligjit, kërkonte vendosmëri nga Qeveria për të luftuar krimin dhe korrupsionin në të gjitha nivelet. Ndoshta kishte parandjenjë për atë që kishte ndodhur në Bllacë, andaj tha se sundimi i rendit dhe ligjit është në duar të vendorëve.


Në anën tjetër, misioni që drejton zoti Kermabon nuk i njeh ligjet e Kosovës dhe as Kushtetutën e saj, por një rezolutë të pavlerë e cila është sinonim i kontejnerëve të bërllokut. Dhe për ironi të fatit, edhe shefi i Zyrës ndërlidhëse të KE-së në Prishtinë, Renzo Daviddi, u shpreh të njëjtën ditë se Bashkimi Evropian mbetet i shqetësuar për përmasat e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë.

Kermabon dhe Daviddi me siguri do t’i raportojnë Brukselit se si EULEX-i po punon në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Do të tregojnë që disa pjesëtarë të EULEX-it në pamundësi për të ushtruar kontrabandë bashkë me strukturat paralele serbe në pjesën veriore, po e bëjnë këtë në atë pjesë të kufijve të Republikës së Kosovës, ku mendohet se e është nën kontroll të “rreptë”.

Punonjësit e EULEX-it që u zunë me “pelë për dore” ishin nga Rumunia, një nga pesë shtetet që sfidon politikën unike të 27 anëtarëve të Bashkimit Evropian duke mos e njohur pavarësinë e Kosovës. Megjithëkëtë, rumunët duhet “falënderuar” për kontributin që kanë dhënë në demaskimin e vetvetes dhe të misioneve ndërkombëtare në Kosovë, një herë UNMIK-un dhe tani EULEX-in.

Policët rumunë vranë më 10 shkurt 2007 dy protestues paqësorë në qendër të Prishtinës dhe demaskuan vetveten dhe UNMIK-un karshi Kosovës. UNMIK-u dështoi të vendoste drejtësinë dhe iu sul viktimës, por u dorëzua atëherë kur e kuptoi se ky popull, edhe pse i vuajtur, nuk ha bar. Rumunët më 21 prill 2010, përveç vetes, e turpëruan edhe EULEX-in, për të cilin kosovarët kishin shumë shpresë se do të vendosë sundimin e ligjit dhe do t’ua tregojnë vendin “peshkaqenëve” vendorë. U mashtruan, por mbase u bindën.

Kosovën nuk e bën as UNMIK-u dhe as EULEX-i, por e bëjnë shtetasit e saj. Andaj edhe për kontrabandën, që u tha se e “shqetësoi” EULEX-in pamasë, janë përgjegjës institucionet e Kosovës. Krimi i organizuar dhe korrupsioni nuk luftohen duke e ndjekur Albin Kurtin vetëm pse e thotë të vërtetën për Qeverinë dhe EULEX-in. Por çdo e keqe e ka një të mirë. Zoti Kermabon, mos e identifikoni veten me EULEX-in, shko, e ndoshta Bashkimi Evropian do ta sjellë një “ekspert rumun” në krye të misionit, i cili nëse vazhdon kështu, patjetër do të ishte mirë t’i ndërrohet emri...!