Zëdhënësi i këtij misioni, Blerim Krasniqi, ka thënë se asgjë nuk mund të thuhet përderisa informacioni vazhdon të jetë në kuadër të spekulimeve. Ndërkaq, Fondi për të Drejtën Humanitare beson se edhe po të ekzistonin dëshmitarët, e vërteta rreth djegieve dhe dënimi i tyre do të ishte mision i pamundur, transmeton Koha.

Janë gjithsej 1 700 persona, fati i të cilëve ka mbetur enigmë. Disa janë vrarë e të tjerët janë zhdukur, ndërsa familjarët ende presin në ankth kthimin e eshtrave të tyre.


Lajmi i fundit që ka tronditur ata ishte se një kamion me shqiptarë të vrarë në vitin 1999 kishte përfunduar në shkritoren e Borit, afër Petrovo Sellos. Dyshimet për djegien e shqiptarëve nëpër furrnalta ishin ngritur që më 2006, kur Natasa Kandic, aktiviste për të drejtat e njeriut në Serbi, kishte hedhur dyshimet e saj për një gjë të tillë edhe pse pati deklaruar se nuk kishte të dhëna zyrtare për këtë. /Telegrafi/