Është shumë lehtë që të hysh në flakë, pasi të shuhet zjarri
20 vjet pas aksionit të Lëvizjes për pajtimin e gjaqeve - (Përkitazi me akademinë me rastin e 20 vjetorit të pajtimit të gjaqeve në Gjonaj të Hasit)
Të shkruash për një ngjarje që ka ndodhur këtu e 20 vjet më parë është sa një çikë e sikletshme, mbase mund të harrosh ndonjë segment të atyre ditëve të shkëlqimit dhe të krenarisë kombëtare. Por, meqë të tjerët, që në fakt nuk kanë qenë pjesë e grupit të studentëve, paskan mundësi të organizojnë akademi për 20-vjetorin e tubimit gjithëpopullor më 2 maj 1990 në Gjonaj të Hasit, thashë me vete pse nuk u dashka edhe unë t’i shkruaj tre – katër rreshta, për veten dhe për shokët e mi, me të cilët më shumë se pesë muaj vrapuam shtëpi më shtëpi ku kishte ngatërresa, plagë dhe gjaqe t’i pajtonim.
Në të vërtetë aso kohe ishim studentë në Prishtinë, fat apo fatkeqësi, do ta dëshmojë koha. Unë, meqë kishim njohje të drejtpërdrejta me Prof. Anton Çettën, pastaj me disa nga nismëtarët e kësaj lëvizjeje si Have Shalën, Myrvete Dreshaj, por edhe më shumë punonjës të Institutit Albanologjik, bisedë pas bisede doli propozimi që në një fshat të Hasit, për shkak të specifikave kufitare, pavarësisht numrit të gjaqeve, duhet të mbahet një tubim gjithëpopullor dhe ashtu ndodhi kur më 2 maj 1990 u mbajt ky tubim.
Të nderuar lexues, tema e shkrimit tim nuk ka të bëjë, për ngjarjen e para 20 viteve, sepse një pjesë e studentëve pjesëmarrës në atë lëvizje aso kohe kemi vendosur që me rastin e 25 vjetorit ta publikojmë monografinë e asaj pune madhore, por temë do të jetë shënimi i 20 vjetorit më 2 maj 2010 nga një këshill organizativ, i cili nuk e pa të udhës që të paktën ta merr ndonjërin prej tyre në atë këshill. Por, e keqja nuk përfundon vetëm me kaq,
Këshilli Organizativ i këtij kremtimi jubilar, në fillim u konsultua me njerëzit që në kohën e mbajtjes së tubimit ishin pjesë e listës së gjatë që duhej ne si studentë t’i pajtonim, por s’prish punë kanë kaluar 20 vite dhe tani janë harruar ato gjëra.
Këshilli Organizativ përmes telefonatës kërkoi ca emra pjesëmarrës në atë kohë si studentë dhe ua dhamë aq sa mundëm, por edhe këtë herë nuk e ditëm pse ua dhamë. Psenë e kuptuam një ditë para se mbahej shënimi i këtij përvjetori, kur ky këshill deklaroi përmes televizionit “Besa” se ”ne jemi këshill i pajtimit i licencuar nga një OJQ ndërkombëtare dhe mund të na thërrisni sa herë që keni nevojë për t’i shëruar zemrat e lënduara tuaja...” E më pas ua dhanë edhe numrin e telefonit të këtyre pajtimtarëve.
T’i kthehemi bisedave, ua ofruam të dhënat e disa veprimtarëve, që patëm vepruar para njëzet viteve, por mbi të gjitha edhe emrat e tre dëshmorëve të kombit, të cilët ishin pjesë e asaj lëvizjeje para 20 viteve siç ishin Asllan Berisha, Gaspër Karaqi dhe Zenun Çoçaj. Por, emrat e tyre as që u zunë në gojë e as që u ndanë mirënjohje për ta, për angazhimin e tyre në shumë pajtime.
Në mesin e emrave që ne si ish grup i studentëve që ia dhamë KO ishte edhe emrin i atdhetarit Ukshin Hoti, i cili me grupin tonë të studentëve, mori pjesë në shumë pajtime në Has e në Përdrini. Por, i dhamë edhe emrat e Bardhyl Çaushit e të Qamil Gegjës, të Behajdin Allaqit - tani dëshmor i kombit, të Din Mehmetit e shumë veprimtarëve e mbi të gjitha u treguam atyre, që nuk kanë qenë para 20 viteve në Kodrën e Pajtimit ku u pajtuan 36 gjaqe e 49 plagë dhe disa dhjetëra ngatërresa dhe u falën mbi shtatë hektarë tokë për shqiptarët që dëshirojnë të rikthehen në vendin e të parëve, por kjo nuk do të thotë se ata nuk kanë qenë diku apo edhe nuk janë tash, që të jem i qartë ata atëherë nuk ishin me ne.
Ku ishin, me kë ishin ata e dinë!
Por as këto të dhëna nuk u shërbyen. Ju do të pyesnit athua pse? Më besoni këtë pyetje vazhdoj ta bëj edhe unë tash e tre ditë, por nuk jam në gjendje që t’i përgjigjem. Ndoshta Këshillin Organizativ nuk ka pas kohë të mjaftueshme, që t’ua bëjë vendin ngjarjeve të para 20 viteve, sepse i kishte qëndisur ngjarjet dhe faljet e pasluftës, madje edhe takimet e anëtarëve të këtij këshilli me Kryetarin e Shqipërisë z. Bamir Topin.
Nuk u tha që në atë vend ku u mbajt 20 vjet më para pajtimi i gjaqeve, ishte deklaruar se tre gjaqe mbetën pa u falë në has dhe që të tri gjaqet mjerisht janë ende pa u falë. Të nderuar lexues, ne grupi i studentëve që dikush në akademi gabimisht na quajti grupi nismëtar, u premtojmë se më nuk do të lejojmë që të tjerët të flasin për ne. Ata le të flasin në emër të tyre dhe veprat e tyre. Ata le të thonë se atëherë ishin lokomotivë, që në fakt nuk ishin fare me ne, ndërsa ne po u themi se ishim dhe do të mbesim të licencuar nga ndërgjegjja kombëtare, edhe atëherë kur atyre që sot rrahin gjoks për atëherë nuk u bëri dora punë t’i shënojnë emrat as edhe të dëshmorëve të kombit në mirënjohjet e tyre e nuk u bëri as goja punë që t’i thirrin emrat e tyre.
Për fund më duhet të them se është shumë lehtë që të hysh në flakë, pasi të shuhet zjarri, por është shumë vështirë të hysh në flakë kur zjarri sa vinte dhe bëhej më i madh. Disa prej tyre ishin në atë flakë, por disa jam i bindur se nuk e panë as flakën me sy!
(Autori i këtij shkrimi gjatë kohës shkurt – maj 1990 ishte kryesues i grupit të studentëve në Pajtimin e Gjaqeve në Gjonaj më 2 maj 1990)



































