Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, i mbështetur nga United Hospital, u trajtua një nga temat më jetike për shëndetin publik: roli i aktivitetit fizik në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare.

Kardiologu invaziv, Edis Demiri theksoi rëndësinë jetike që ka lëvizja në ruajtjen e shëndetit të zemrës.


“Në princip luan shumë rol. Personat që janë më aktivë fizikisht, që jetojnë një jetë dinamike dhe që bëjnë më shumë se 10 mijë hapa në ditë, kanë një rrezik shumë më të ulët për probleme me zemrën dhe me damarët, krahasuar me ata që lëvizin më pak”, u shpreh Demiri.

Sipas tij, studimet e shumta tregojnë se një stil jetese aktiv ndihmon në uljen e presionit të gjakut, kontrollin e nivelit të kolesterolit, si dhe në parandalimin e sëmundjeve kronike që ndikojnë negativisht në shëndetin e zemrës.

Numri prej 10 mijë hapa në ditë, sipas Demirit, është një prag orientues që shënon një nivel të mjaftueshëm të aktivitetit fizik ditor për të ruajtur funksionin normal të sistemit kardiovaskular.

Kjo nuk do të thotë se më pak hapa janë të padobishëm, pasi siç tha ai çdo lëvizje është e vlefshme.

Për më shumë ndiqni podcastin e plotë “Shëndeti në rend të parë”. /Telegrafi/