LAJMI I FUNDIT:

Esch: Për dialogun nevojitet konsensus i gjerë

Esch: Për dialogun nevojitet konsensus i gjerë

Valeska Esch, zëvendësdrejtoreshë e Institutit Aspen në Gjermani, komenton për DW gjendjen aktuale në Kosovë dhe pritshmëritë e saj nga qeveria Hoti. Ajo ka thënë se është mirë që Kosova të kishte një qeveri të qëndrueshme që do ta çonte deri në fund mandatin e saj.

DW: Kosova ka një qeveri të re, por fillimisht t’i kthehemi shkurt qeverisë vjetër, e cila u lejua të qëndronte në detyrë për katër muaj. A ju vjen keq që Kurti dhe Osmani, tek të cilët votuesit kishin kaq shumë shpresa, nuk arritën ta mbanin pushtetin?

Valeska Esch: Unë mendoj se do të ishte mirë që vendi të kishte një qeveri të qëndrueshme që do ta çonte deri në fund mandatin e saj. Edhe ato pjesë të popullsisë që janë shpresuar për një koalicion të udhëhequr nga Albin Kurti dhe Vjosa Osmani tani janë zhgënjyer. Në një demokraci të re, është e rëndësishme që njerëzit të shohin se zëri i tyre ka peshë. Të dy, së bashku me partitë e tyre, kishin plane të mëdha dhe ambicioze për të reforma në interes të vendit. Në të njëjtën kohë, natyrisht, duhet të pranohet se qeveria e re tani mbështetet nga shumica parlamentare. Tani është përgjegjësia e saj që të fillojë shumë reforma të nevojshme, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe në fushën e sundimit të së drejtës dhe qeverisjes së mirë.


DW: Situata nuk është ende e qëndrueshme: Vetëvendosja dhe PDK duan zgjedhje të reja. A është e mençur kjo, duke pasur parasysh që tani duhen ruajtur forcat për parandalimin e përhapjes së pandemisë?

Valeska Esch: Këto janë dy çështje të ndryshme, njëra çështje është politike, ndërsa tjetra epidemiologjike. Nga pikëpamja politike, ka disa argumente për zgjedhje të reja. E para, Vetëvendosja është fituesja e zgjedhjeve, por në opozitë. Anipse kjo nuk është e pazakontë dhe, sipas Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, është e ligjshme edhe në Kosovë. E dyta, LDK-ja ia detyron një pjesë të mirë të fitores së saj në zgjedhjet e kaluara kandidates së saj kryesore, Vjosa Osmanit, e cila, së bashku me Vetëvendosjen, u angazhua për kursin e reformave dhe luftoi deri në fund për vijimin e këtij koalicioni. Mbetet gjithashtu të shihet se sa e qëndrueshme është shumica e re, e cila edhe ashtu është me një diferencë shumë të vogël, dhe sidomos kur ke parasysh atë çka thuhet në media se disa deputetë u bindën vetëm në sekondën e fundit. Dhe sigurisht, ka shumë votuese dhe votues që do të kishin dashur të bëheshin zgjedhje të reja. Nga ana tjetër, qeveria e re është zgjedhur nga parlamenti me shumicë votash dhe tani është në detyrë. Ka shumë sfida në Kosovë që duhen adresuar urgjentisht. Përveç reformave të përmendura dhe dialogut me Serbinë, i cili duhet të rifillojë sa më shpejt, ende duhen gjetur zgjidhje për të zbutur pandeminë dhe, mbi të gjitha, pasojat e saj. Për këtë, vendit i duhet një qeveri efektive. Nëse, kur dhe në çfarë kushtesh mund të zhvillohen zgjedhje që nuk rrezikojnë shëndetin e popullsisë, këtë duhet ta vendosin ekspertët e shëndetësisë. Por tani kjo çështje është zgjidhur, si nga ana juridike ashtu edhe nga ana politike.

DW: BE-ja po përpiqet në mënyrë aktive të marrë në dorë drejtimin në bisedimet me Serbinë. Por nga ana tjetër, kemi edhe ndërhyrje të drejtpërdrejta nga SHBA-të. A nuk i bën dëm kjo Kosovës?

Valeska Esch: BE-ja është e mandatuar nga Kombet e Bashkuara për të organizuar dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. Sipas mendimit tim, kjo ka kuptim, nëse kemi parasysh, se që të dy vendet dëshirojnë të bëhen anëtare të BE-së. Sidoqoftë, SHBA-ja është një partner i rëndësishëm i BE-së, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por shumë më gjerë. Prandaj është për të ardhur keq që mosmarrëveshjet në lidhje me dialogun e kanë penguar bashkëpunimin më të ngushtë për këtë çështje. Me emërimin e Miroslav Lajcakut si përfaqësues të BE-së për dialog, BE-ja ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm dhe më në fund ka caktuar një përfaqësues të nivelit të lartë për këtë detyrë sfiduese. Fatkeqësisht, është humbur shumë kohë dhe besim në muajt dhe vitet e kaluara, nga njëra anë, për shkak të zbatimit të dobët të marrëveshjeve që tashmë janë nënshkruar nga të dyja palët, por edhe për shkak të disa qasjeve ndaj çështjes të pranuara nga shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, por jo nga një numër i madh shtetesh anëtare të BE-së. Miroslav Lajçak tani ndodhet para një sfide të madhe që ta rikthejë këtë besim dhe të ringjallë dialogun. Besoj se qeveria e re kosovare bën mirë që të marrë pjesë në mënyrë konstruktive në këtë dialog. Për të dy vendet, një afrim i mëtutjeshëm me BE-në do të jetë i mundur vetëm nëse gjendet një zgjidhje për konfliktin. Sipas mendimit tim, nuk ka rëndësi fakti që Mirosllav Lajçak vjen nga një vend që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Ai vepron në dialog jo si përfaqësues i vendit të tij, por i BE-së, në të cilën shumica e vendeve e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, dhe si i tillë, ai gëzon edhe besimin e shteteve anëtare, si Gjermania, e cila jo vetëm që është për pavarësinë e Kosovës, por e ka mbështetur integritetin territorial të saj. Në të njëjtën kohë, BE-ja ka një interes të madh për një zgjidhje të qëndrueshme dhe të zbatueshme të konfliktit, ndërsa Presidenti amerikan Trump në mënyrë të përsëritur ka treguar në të kaluarën se ai interesohet më shumë për avantazhin e tij personal sesa për kompromisin dhe zgjidhjet e mundshme. Situata aktuale në SHBA tregon se kjo vlen edhe më shumë për muajt e fundit para zgjedhjeve presidenciale. Unë do të dëshiroja që BE-ja dhe SHBA-të të punonin më ngushtë së bashku për këtë çështje, por roli udhëheqës në dialog i takon Brukselit për arsyet e përmendura.

DW: Qeveria e re tashmë ka hequr reciprocitetin ndaj Serbisë. A do ta lehtësojë ky hap dialogun?

Valeska Esch: Pritej që qeveria e re do të bënë këtë hap dhe ky hap është shumë i mirëpritur ndërkombëtarisht. Është pozitiv fakti që dialogu tani mund të vijojë dhe unë shpresoj shumë që Miroslav Lajçaku tani të mund t’i bashkojë të dy palët së shpejti dhe për këtë të marrë mbështetje nga Uashingtoni. Tani do të jetë e rëndësishme për qeverinë e re kosovare të krijojë një ekip të mirë negociues. Kryeministri Hoti tashmë ka njoftuar se në të ardhmen dialogun do ta udhëheqë qeveria dhe jo presidenti. Do të ishte e rëndësishme që brenda vendit të krijohej një konsensus i më i gjerë  për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjate. Një ekip negociuan i zgjeruar, ku përfshihet edhe opozita, siç propozoi qeveria e mëparshme, mund të jetë një hap i rëndësishëm në këtë drejtim. Bëhet fjalë për asgjë më pak se të  ardhmen e vendit dhe kjo pyetje është më e madhe se politika partiake.

DW: Javën e kaluar në Shqipëri dëshmojnë se pa presion të jashtëm nuk arrihen dot marrëveshje në vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo është një qasje nxënës-mësues. A mendoni ju se kjo qasje sjell rezultate të qëndrueshme?

Valeska Esch: Unë mendoj se edhe këtu duhet parë më mire konteksti. Procesi i anëtarësimit në BE ka si bazë plotësimin e disa kushteve, të disa standardeve, sidomos në lidhje me qeverisjen e mire dhe shtetin e së drejtës, por jo vetëm kaq. Për ta shoqëruar sa më mirë këtë proces, BE-ja ka ngritur hapa të ndërmjetme me të cilat, këto vende mund të afrohen me BE-në, në mënyrë graduale, duke realizuar së pari etapat e ndërmjetme të reformave. Nga ana tjetër, të gjithë duhet ta kenë të qartë se reformat vetë kanë si synim që të përmirësojnë kushtet e jetesës së njerëzve në vend, kështu që reformat do të duhet të bëhen jo vetëm për BE-në, por në radhë të pare për vetë vendet. Këtu unë do të dëshiroja që qeveritë të ndërgjegjësoheshin më shumë për përgjegjësinë e tyre. Sepse do të ishte e qartë, se dëshira për të reformuar vendet e Ballkanit Perëndimor në BE nuk mund të jetë më e lartë se sa në vetë vendet. Por  kjo qasje funksionon vetëm kur  këtë proces e mbështesin të dyja palët. Në vitet e kaluara, për fat të keq, këtu  është humbur shumë besim. BE-ja i ka zhgënjyer disa herë pritshmëritë ndaj procesit. Si shembuj këtu vlejnë të përmenden hapja e zvarritur e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe mos-liberalizimi i vizave për shtetasit dhe shtetas nga Kosova. Por ngurrimi nga ana e BE-së ka të bëjë edhe me humbjen e besimit dhe rritjen e skepticizmi në vendet anëtare për vullnetin dhe seriozitetin e reformave, sidomos në fushën shtetit të së drejtës. Sepse, nëse reformat bëhen vetëm nën presion të madh, atëherë, sigurisht, që është për t’u vënë në pyetje qëndrueshmëria e tyre. Veç kësaj, vendet e Ballkanit Perëndimor janë shtete sovrane dhe të pavarura që duhet të marrin përgjegjësi për të ardhmen e tyre. Nëse kjo e ardhme do të jetë në BE, nuk ka alternativë për këto reforma. /DW/

Në trend Lajme

Më shumë
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Lajme
Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Lajme
Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve

Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve

Lajme
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Lajme
Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Lajme
Kalo në kategori