LAJMI I FUNDIT:

Erdogani të nervozon, por është aleat i domosdoshëm

Erdogani të nervozon, por është aleat i domosdoshëm
Ilustrimi: James Ferguson

Nga: Gideon Rachman / Financial Times
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Pse s’po e përjashtoni Turqinë prej NATO-s? Duket ide e mrekullueshme – sidomos pas disa pijeve pas samitit.


Nuk ka dyshim se Recep Tayyip Erdogani është aleat që të nervozon. Pasi javën e kaluar i hoqi kundërshtimet për anëtarësimin e Finlandës dhe të Suedisë në NATO, presidenti turk menjëherë krijoi dyshime të reja – duke sugjeruar se Parlamenti i Turqisë nuk do ta ratifikojë marrëveshjen, nëse Suedia nuk i ekstradon 73 personat që Turqia i akuzon për terrorizëm.

Ta dorëzosh dikën në mëshirën e sistemit të drejtësisë së Erdoganit, kjo është kërkesë e vështirë për çdo demokraci. Selahattin Demirtas, një kurd dhe politikan kryesor i opozitës, ka qenë në burg që nga viti 2016 – pavarësisht vendimit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut se duhet të lirohet dhe se burgimi i tij ka qenë “thjesht mbulesë për një qëllim të fshehtë politik”.

Rasti i tij nuk është shembull i izoluar. Osman Kavala, biznesmen dhe filantrop, në prill u dënua me burgim të përjetshëm – pa lirim me kusht – për gjoja komplot për një grusht shteti. Dobësia e provave kundër tij çoi në reagimin e qeverive perëndimore, të grupeve të të drejtave të njeriut dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Shtatë të bashkëpandehur të Kavalas, përfshirë akademikun e shquar Hakan Altinay, u burgosën me 18 vjet nën prova shumë të dyshimta.

Sjellja e Erdoganit shtron pyetje të pakëndshme për NATO-n. Aleanca thotë se bazohet në mbrojtjen e demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Por, burgosja e kundërshtarëve politikë me akuza të sajuara është gjë që bën Vladimir Putini. Në të vërtetë, liderët rusë dhe turq kanë pasur prej kohësh marrëdhënie të ngushta.

Pranimi i Finlandës dhe Suedisë në NATO do të ishte goditje e madhe për Putinin. Kjo do të thotë se NATO përfshin çdo komb që kufizohet me Detin Baltik, përveç Rusisë. Taktikat bllokuese të Turqisë pasqyrojnë mospërfilljen cinike për shtetet baltike – anëtaret tjera të NATO-s që përballen me kërcënim ekzistencial.

Gatishmëria e Erdoganit për ta shantazhuar NATO-n për Finlandën dhe Suedinë, gjithashtu krijon dyshime se si mund të sillet Turqia në krizat e ardhshme. Neni 5 – garancia në zemër të aleancës, për mbrojtje të ndërsjellë që do të aktivizohej nga ndonjë sulm rus – varet nga votimi unanim.

Pra, a nuk do ta kishte NATO më mirë pa Turqinë? Absolutisht jo. Dëbimi i Turqisë, edhe sikur të ishte ligjërisht i mundshëm, do të ishte fatkeqësi strategjike. Deti i Zi është rruga kryesore për në Mesdhe dhe për botën më të gjerë, si për Ukrainën ashtu edhe për Rusinë. Nëse gruri ukrainas do të dalë ndonjëherë nga portet e vendit për në tregjet botërore, ai do të kalojë përmes Detit të Zi – dhe, Turqia kontrollon hyrjen në det. Ky rol kritik është nënvizuar nga ndalimi nga ana e Turqisë e një anijeje ruse që supozohet se transportonte grurë të vjedhur nga Ukraina.

Nëse Turqia do të dëbohej nga NATO dhe do të bëhej aleate de facto e Rusisë, Ukraina do të bëhej efektivisht vend pa dalje në det dhe Rusia do të ishte në portat e Mesdheut.

Bilanci i sigurisë në Lindjen e Mesme gjithashtu do të ishte seriozisht i ndërlikuar. Turqit kanë prani të madhe ushtarake brenda Sirisë. Edhe pse janë përplasur me amerikanët për rolin e kurdëve, ata e kundërshtojnë aleancën mes Rusisë dhe regjimit të Assadit. Turqit gjithashtu kanë ofruar strehim për 3.7 milionë refugjatë sirianë – një akt humanitar që ia ka hequr shumë presione BE-së.

Nuk ka dyshim se Erdogani i ka njollosur seriozisht kredencialet demokratike të Turqisë. Por, ndryshe nga Rusia, Turqia nuk përbën asnjë kërcënim sigurie për pjesën tjetër të NATO-s – me përjashtim të ndoshta Greqisë, e cila është e alarmuar nga tregimi i muskujve të Erdoganit në Detin Egje. Duke pasur parasysh rëndësinë dërrmuese për NATO-n për t’iu kundërvënë Rusisë, është më jetike se kurrë që Turqia të mbahet në krah.

Erdogani e di këtë. Ai po e përdor levën që ia ka dhënë lufta në Ukrainë. Situata është acaruese, por jo e pakontrollueshme. Lideri turk është krejtësisht i aftë të ndryshojë pozicion, kur kjo i përshtatet. Dhe, anëtarët e tjerë të NATO-s kanë gjithashtu leva që mund t’i përdorin ndaj Turqisë.

Fleksibiliteti i Erdoganit demonstrohet nga ndryshimi i qëndrimeve të tij ndaj Arabisë Saudite. Turqit dhe sauditët për shumë vjet kanë qenë në mosmarrëveshje – të ndarë nga aspiratat e tyre përplasëse për udhëheqje rajonale dhe për qëndrimet e tyre kundërshtuese ndaj Vëllazërisë Myslimane. Në një fazë, sauditët i bojkotuan mallrat turke. Me ekonominë turke në një gjendje të mjerë, Erdogani nuk mund ta përballojë më atë lloj antagonizmi. Pra, ai i ka rregulluar marrëdhëniet me sauditët, duke e mirëpritur Princin e Kurorës, së fundmi në Ankara – udhëheqësin de fakto të vendit, Mohammed bin Salman.

Dobësia e ekonomisë turke ua jep anëtarëve të tjerë të NATO-s disa kundër-leva ndaj Erdoganit. Inflacioni në Turqi tani është pothuajse në 80 për qind – kryesisht për shkak të keqmenaxhimit ekonomik të vetë Erdoganit. Monedha turke ka rënë me më shumë se 60 për qind gjatë dy vjetëve të fundit. Vendi vuan nga deficiti i madh i llogarive rrjedhëse dhe vazhdimisht është folur se përfundimisht do t’i duhet një paketë shpëtimi nga FMN-ja. Ky do të ishte poshtërim për Erdoganin – me zgjedhjet presidenciale që priten më 2023.

Për të shmangur katastrofën ekonomike, Turqia ka të ngjarë të ketë nevojë për ndihmë të huaj. Kjo është ajo ku aleatët e saj të NATO-s mund të ndihmojnë. Në këmbim të ndihmës ekonomike, Turqia do të duhet të mbajë qëndrim më të arsyeshëm për anëtarësimin e Finlandës dhe të Suedisë në NATO. Dhe, nëse kjo tingëllon si tregti në Pazarin e Madh të Stambollit – ashtu qoftë. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Shkëlqeu ndaj Man Cityt dhe në klub ende e duan, por veterani i Real Madridit ia ka kumtuar Perezit largimin për në fund të sezonit

Shkëlqeu ndaj Man Cityt dhe në klub ende e duan, por veterani i Real Madridit ia ka kumtuar Perezit largimin për në fund të sezonit

La Liga
“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

Drejtësi
Reagon presidenti iranian, Zelenskyt hatërmbetje me aleatët – detaje dhe pamje, minutë pas minute, rreth ‘hakmarrjes’ së Izraelit ndaj Iranit

Reagon presidenti iranian, Zelenskyt hatërmbetje me aleatët – detaje dhe pamje, minutë pas minute, rreth ‘hakmarrjes’ së Izraelit ndaj Iranit

Botë
Kosovari i arrestuar në kufi, Serbia pretendon se ishte pjesë e luftës, mohon OVL-UÇK

Kosovari i arrestuar në kufi, Serbia pretendon se ishte pjesë e luftës, mohon OVL-UÇK

Siguri
Izraeli e njoftoi në minutën e fundit SHBA-në për sulmin ndaj Iranit

Izraeli e njoftoi në minutën e fundit SHBA-në për sulmin ndaj Iranit

Azia
Zinedine Zidane ‘një hap larg’ emërimit si trajner i gjigantit të njohur evropian

Zinedine Zidane ‘një hap larg’ emërimit si trajner i gjigantit të njohur evropian

Ndërkombëtare
Kalo në kategori