Kryqëzata kundër duhanit e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, ka një objektiv të ri: kryeministren italiane, Giorgia Meloni.

Në margjinat e një samiti paqeje në Egjipt që synonte t'i jepte fund luftës në Gaza, Erdogan i premtoi Melonit se do të gjente një mënyrë për ta bindur atë të linte duhanin.


"Dukesh shumë mirë. Por duhet të të bëj të lësh duhanin", i tha Erdogan Melonit, sipas pamjeve të publikuara nga e përditshmja italiane Il Foglio dhe media të tjera.

Por presidenti francez Emmanuel Macron, i cili ishte pranë tyre, nxitoi t'i shuante shpresat Erdoganit. "Është e pamundur", tha ai duke qeshur.

"E di, e di", tha Meloni, duke shtuar një paralajmërim se lënia e duhanit mund ta bënte më pak të shoqërueshme.

"Nuk dua të vras dikë", shtoi kryeministrja italiane, transmeton Telegrafi.

Në një libër të bazuar në një seri intervistash, Meloni rrëfeu se kishte filluar përsëri të pinte duhan pasi kishte lënë për 13 vjet.

Por ajo gjithashtu pranoi se pirja e duhanit e kishte ndihmuar të lidhej me politikanë të tjerë, përfshirë presidentin tunizian Kais Saied. /Telegrafi/