LAJMI I FUNDIT:

Epopeja e UÇK-së: Përmbledhje e homazheve të sotme në Prekaz (Video)

Epopeja e UÇK-së: Përmbledhje e homazheve të sotme në Prekaz (Video)

Mëngjesi i 6 marsit, u ka dhënë një destinacion të përbashkët krerëve më të lartë politikë dhe ushtarakë të Republikës së Kosovës.

Kompleksi Jashari në fshatin Prekaz, ishte shndërruar në nikoqir nderimesh e homazhesh për figurat kryesore politike të vendit: nga presidentja e kryeministri, te kryekuvendari dhe kreu i opozitës, njësoj si edhe shumë qytetarë, vizituan varrezën e përbashkët të lagjes Jashari.


Pasi kishte kryer nderimet ceremoniale pranë varrezave dhe pas një vizite në shtëpinë e familjes Jashari, Presidentja Atifete Jahjaga, tha se kjo vizitë i shërbeu për të rikujtuar sakrificën e kësaj familjeje për të jetësuar ëndrrën për një Kosovë të lirë, raporton KTV.

I pari i Qeverisë, Isa Mustafa, deklaroi se nderimet e tij për këta të rënë vjen si kujtim për trimërinë dhe sakrificën më të madhe që një familje shqiptare ka dhënë për pavarësinë.

Ndërkaq, kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, që po shoqërohej nga disa prej deputetëve të PDK-së, e cilësoi Prekazin si vendin që duhet vizituar për të kujtuar se çfarë historie të rëndë kemi pasur.

Pas nderimeve të bëra te varrezat, bashkë me deputetët e Vetëvendosjes, lideri i opozitës Visar Ymeri, tha se vizita e tyre në Prekaz ishte në nderim të familjes Jashari e cila sakrifikoi që popullit t’i hiqet okupimi dhe t’i jepet liria.

Të gjitha këto ceremoni, u shoqëruan nga nderimet ushtarake të Gardës Ceremoniale të Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Ndërkohë, përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifat Jashari, gjatë gjithë kohës priti në kullën e familjes – si krerët politikë ashtu delegacione e grupe njerëzish të ardhura nga jashtë Kosovës.

Manifestimet për shënimin e Epopesë së UÇK-së, do të përfundojnë nesër në mbrëmje po në Prekaz.

Kjo epope e përvitshme organizohet në kujtim të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa ajo merr si referencë 5 marsin, datën kur Ushtria serbe rrethoi lagjen Jashari, ku mbetën të vrarë 20 anëtarë të familjes Jashari dhe 26 persona të tjerë.

https://vimeo.com/157927495