Endokarditi akut i zemrës - një rrezik i madh për jetën që kërkon ndërhyrje të menjëhershme

Endokarditi akut i zemrës është një infeksion i shpejtë dhe i rëndë i shtresës së brendshme të zemrës - endokarditit, që zakonisht prek valvulat, duke shkaktuar një gjendje të rënduar te pacienti
Dr. Arben Kojqiqi, MSc, FRCS (CTh)Kirurg Kardio-TorakalTel: 049740729
Ky infeksion zakonisht shkaktohet nga baktere që hyjnë në qarkullimin e gjakut, përmes infeksioneve të tjera në trup, procedurave dentare apo mjekësore, dhe që më pas vendosen në strukturat e brendshme të zemrës. Endokarditi mund të zhvillohet me shpejtësi dhe, në mungesë të trajtimit të duhur dhe në kohë, të çojë në komplikacione serioze, përfshirë dështim të zemrës, goditje në tru apo vdekje.
Shkaktarët më të zakonshëm të endokarditit akut janë bakteret shumë virulente, kryesisht:
• Staphylococcus aureus (më i shpeshti në rastet akute)
• Streptococcus pyogenes
• Enterokokët dhe organizma të tjerë gram-pozitivë
Infeksioni shpesh zhvillohet në valvula të padëmtuara më parë dhe mund të shoqërohet me shkallë të lartë të shkatërrimit të valvulave dhe komplikime sistemike.
Valvulat më shpesh të prekura janë ajo aortale dhe mitrale. Në sipërfaqen e këtyre valvulave zakonisht formohen vegjetacione të cilat janë shumë fragjile dhe mund të shkëputen lehtësisht duke shkaktuar infarkte të mëdha në tru apo edhe formim abscesesh.
Si pasojë e këtyre vegjetacioneve, valvula e prekur bëhet inkompetente - pra nuk hapet ose nuk mbyllet plotësisht, duke shkaktuar një gjendje të rënduar hemodinamike që mund të përfundojë në shok kardiogjen dhe septik.
Infeksione të tilla kanë një rrezikshmëri shumë të lartë për pacientin, me një shkallë vdekshmërie që shkon nga 40 deri në 60%.
Trajtimi i tyre kërkon ndërhyrje kirurgjikale urgjente, të kryer vetëm nga kirurgë me përvojë të madhe në qendra të specializuara të zemrës.
I tillë ishte rasti i një pacienti 74-vjeçar, i cili u diagnostikua me endokardit akut dhe prezencë vegjetacioni me përmasa 2–3 cm në valvulën aortale, insuficiencë të valvulës aortale, mitrale dhe trikuspidale.
Me hemodinamikë të kompromentuar- në shok kardiogjen dhe me supurt të inotropeve, pacienti operohet me emergjencë.
Gjatë operacionit që zgjati 6 orë, bëhet zëvendësimi i valvulave aortale dhe mitrale me proteza biologjike, si dhe riparimi i valvulës trikuspidale.
Dy ditë pas operacionit, pacienti filloi të mobilizohej, dhe pas disa ditësh u transferua nga reanimacioni në repartin e kardiokirurgjisë, me gjendje dukshëm të përmirësuar. Në ditët në vijim pritet që ai të dalë nga spitali, në gjendje të stabilizuar dhe i aftë për t’iu kthyer jetës normale.
Kujdesi pas operacionit për endokardit akut
Pas një ndërhyrjeje të rëndë, faza e rikuperimit kërkon vëmendje të veçantë. Për të parandaluar komplikacione të mëtejshme dhe për të siguruar një shërim të suksesshëm, pacienti duhet të ndjekë një sërë udhëzimesh të domosdoshme:
Qëndrimi në spital dhe mbikëqyrja e gjendjes
Menjëherë pas operimit, pacienti mbahet nën vëzhgim të rreptë në kujdesin intensiv, dhe më pas në repartin e kardiokirurgjisë. Gjatë kësaj periudhe, kontrollohet funksioni i zemrës, puna e valvulave të reja, parametra jetësorë si frymëmarrja dhe tensioni i gjakut, si dhe çdo shenjë e mundshme e një infeksioni të përsëritur.
Terapia me antibiotikë
Pas ndërhyrjes kirurgjikale, pacienti vazhdon trajtimin me antibiotikë me qëllim eliminimin e çdo mbetje bakteriale në organizëm. Është shumë e rëndësishme që ky trajtim të mos ndërpritet pa rekomandimin e mjekut.
Kujdesi në shtëpi: rikuperimi gradual
Pasi pacienti largohet nga spitali, është jetike të ndjekë një mënyrë jetese të kontrolluar:
▪ Aktiviteti fizik duhet të rifillojë me kujdes dhe gradualisht, sipas këshillës së mjekut.
▪ Higjiena personale, sidomos ajo orale, duhet të jetë në nivel të lartë për të shmangur infeksione të reja.
▪ Ushqimi duhet të jetë i shëndetshëm, me më pak kripë, yndyrë dhe me mjaftueshëm lëngje.
▪ Duhet monitoruar rregullisht tensioni i gjakut dhe pesha trupore.
Vizitat kontrolluese
Pas operacionit, pacienti duhet të ndjekë takime të rregullta me kardiologun për: Ekografi të zemrës (EKO), analiza gjaku, EKG, e sipas nevojës edhe rezonancë magnetike.
Çfarë duhet të shmanget
▪ Për një shërim të sigurt dhe për të mbrojtur funksionin e zemrës:
▪ Duhet ndaluar pirja e duhanit dhe konsumimi i alkoolit.
▪ Shmangen aktivitetet fizike të rënda në javët e para.
▪ Nuk rekomandohet përdorimi i medikamenteve pa konsultim mjekësor.
/Telegrafi/






















































