LAJMI I FUNDIT:

Asnjë i arrestuar për sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri – institucionet kritikohen për mungesë serioziteti

Asnjë i arrestuar për sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri – institucionet kritikohen për mungesë serioziteti

Për të pestën herë me radhë brenda pak ditëve zyrtarët e Policisë së Kosovës (PK) janë sulmuar në veri të vendit. Në orët e hershme të mëngjesit të së martës, një njësi patrulluese kufitare në Zupçe të Zubin Potokut është sulmuar me armë zjarri. Ndërsa, brenda tri ditëve (13-16 prill), zyrtarët e PK-së janë sulmuar katër herë me breshëri plumbash, granatë dore, iriqë metalikë e janë gjuajtur me gurë.

Ministria e Punëve të Brendshme e pati cilësuar sulmin si akt terrorist që “është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë por dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës”.


Zëdhënësi i policisë, Baki Kelani, ka konfirmuar të martën për Telegrafin se “Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin”. Ndërsa, në Prokurorinë Speciale të Kosovës nuk janë përgjigjur në interesimin e Tetelgrafit për hetimet që po zhvillohen.

Breshëri plumbash, granatë dore, iriqë metalikë e gjuajtje me gurë - reagimet e vendorëve dhe ndërkombëtarëve pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovës
Lexo po ashtu Breshëri plumbash, granatë dore, iriqë metalikë e gjuajtje me gurë - reagimet e vendorëve dhe ndërkombëtarëve pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovës

Kritika për institucionet ka anëtari i Komisionit për Siguri nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni.

Sipas tij, institucionet e hetuesisë, inteligjencës dhe drejtësisë do të duhej të kishin angazhim më të madh dhe më të veçantë për të identifikuar sulmuesit dhe motivin e sulmeve.

“Sidoqoftë, për motive politike apo kriminale, këto sulme kundër zyrtarëve të Policisë së Kosovës e tensionojnë situatën ndëretnike dhe ndërshtetërore. Çdo veprim që me dhunë i rrezikon zyrtarët dhe qytetarët e Kosovës duhet të trajtohet dhe sanksionohet pa kompromis”, deklaroi Quni në një përgjigje me shkrim për Telegrafin.

Zhvillimet e fundit në veri, ekspertët e sigurisë: Të shtohet numri i policëve në pikat kufitare dhe të pajisen me armë të gjata
Lexo po ashtu Zhvillimet e fundit në veri, ekspertët e sigurisë: Të shtohet numri i policëve në pikat kufitare dhe të pajisen me armë të gjata

Sa i përket Qeverisë së Kosovës, Quni tha se do të duhej që më zëshëm këto veprime t’i adresojë te qendrat ndërkombëtare të vendimmarrjes “me qëllim që lidershipi i Beogradit të detyrohet për distancim ndaj këtyre grupeve kriminale që strehohen apo e sigurojnë logjistikën në Serbi”.

“Me komunikim strategjik Qeveria do të duhej që t’i sigurojë të gjithë qytetarët se Policia e Kosovës është në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim dhe të kërkojë nga të njëjtit ndihmë dhe bashkëpunim për identifikimin dhe kapjen e sulmuesve”, shtoi Quni.

Anton Quni, anëtar i Komisionit për Siguri

Ndërsa, Enver Dugolli, zëvendëskryetar i Komisionit për Siguri nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë se çështja e hetimeve është komplekse dhe mund të zgjasë, por se “zmbrapsje nuk do të ketë”.

“Ne do kishim dashur qysh dje të zbuloheshin dhe të arrestoheshin kryerësit e këtyre sulmeve, mirëpo çështjet hetimore po vazhdojnë me një dinamikë të nevojshme dhe shpresojmë që së shpejti do kemi edhe rezultate. Ne e përgëzojmë Policinë e Kosovës për vendosmërinë dhe përkushtimin e tyre në përmbushjen detyrat dhe përgjegjësive ligjore”, deklaroi ai për Telegrafin.

Mes tjerash, Dugolli theksoi se “kriminelët herët apo vonë do kapen dhe do përgjigjen për këto krime të rënda terroriste”.

“Edhe sulmi i sotshëm sikurse edhe sulmet e mëparshme ndaj Policisë se Kosovës janë të drejtuara kundër rendit dhe qetësisë, kundër paqes dhe stabilitetit, janë kundër Kosovës. Veprimet e Policisë së Kosovës në vënien e rendit dhe qetësisë, duke luftuar krimin dhe kontrabandën do vazhdojnë”, shtoi ai.

Enver Dugolli, zëvendëskryetar i Komisionit për Siguri

Telegrafi ka provuar të kontaktojë edhe me kryetarin e këtij komisioni, Bekë Berishën nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të artikullit.

Sulmet ndaj Policisë së Kosovës i ka komentuar edhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, sipas së cilit kryerësit e këtij akti janë pjesëtarët e strukturave ilegale serbe që veprojnë në veri të vendit.

Sa i përket sulmit të fundit, Islami tha se po konsiderohet të ketë qenë i sinkronizuar dhe i organizuar mirë.

Prandaj, ai theksoi se Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë përgjegjësi nga Serbia për këto sulme.

Doktori i shkencave të sigurisë po ashtu shprehu shqetësimin që ende nuk është arrestuar asnjë person që lidhet edhe me sulmet e mëhershme që kanë ndodhur në veri karshi pjesëtarëve të PK-së.

“Kur ndodh një sulm ose eventualisht dy sulme mund të thuhet se janë eksese, por sulmi i gjashtë që ka ndodhur në ditën e sotme duket se janë të sinkronizuara dhe të organizuara shumë mirë e që autorët e tyre ende nuk dihen dhe ende nuk është arrestuar askush. Kjo edhe është shqetësuese, sepse po rrezikohen pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe deri më sot nuk është arrestuar askush”.

“Pra, është një shqetësim dhe duhet të merret me seriozitetin më të madh nga organet e sigurisë e në veçanti nga organet e Policisë së Kosovës ku autorët e këtyre veprimeve të cilat po i bëjnë duhet të vihen sa më parë nga drejtësia e Kosovës”, tha Islami për KP-në.

Avni Islami, njohës i sigurisë

Ndryshe, për sulmin e sotëm ka reaguar edhe Lista Serbe, e cila përmes një komunikate u ka bërë thirrje qytetarëve për vetëpërmbajtje.

“Ftojmë qytetarët të mos bien në provokime dhe të mos lejojnë incidente të tilla të rrezikojnë paqen aq të nevojshme në këtë rajon. Kush e ka bërë këtë nuk i mendon mirë popullit serb”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Sulmet ndaj Policisë së Kosovës janë dënuar nga Ambasada amerikane në Prishtinë, Bashkimi Evropian dhe nga misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, i cili ka shprehur gatishmëri për të ofruar asistencë./Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Lajme
Arrestimet e qytetarëve të Kosovës në kufi, analistët në Beograd: Serbia ka prekur fundin moral e politik

Arrestimet e qytetarëve të Kosovës në kufi, analistët në Beograd: Serbia ka prekur fundin moral e politik

Lajme
“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

Drejtësi
Von Cramon: Nëse Kosova e Serbia përfitojnë më shumë nga moszbatimi i marrëveshjeve, vështirë të bëhet diçka në Bruksel

Von Cramon: Nëse Kosova e Serbia përfitojnë më shumë nga moszbatimi i marrëveshjeve, vështirë të bëhet diçka në Bruksel

Lajme
Kosovari i arrestuar në kufi, Serbia pretendon se ishte pjesë e luftës, mohon OVL-UÇK

Kosovari i arrestuar në kufi, Serbia pretendon se ishte pjesë e luftës, mohon OVL-UÇK

Siguri
Një muaj paraburgim për shqiptarin nga Kosova të arrestuar në Serbi

Një muaj paraburgim për shqiptarin nga Kosova të arrestuar në Serbi

Drejtësi
Kalo në kategori