En-Nesyri dështon, Juventusi po punon për transferimin e dy sulmuesve nga Anglia

Juventusi ka arritur një marrëveshje me Fenerbahçen për huazimin e sulmuesit Youssef En-Nesyri, por transferimi ka ngecur për shkak të refuzimit të vetë lojtarit për t’iu bashkuar “Zonjës së Vjetër”.
Qëndrimi i sulmuesit maroken, i cili nuk është bindur nga formula e huazimit dhe mungesa e garancive për të ardhmen, ka bërë që Juventusi të hezitojë edhe për një blerje përfundimtare. Kjo situatë ka acaruar palët dhe ka vënë në dyshim vazhdimin e negociatave.
Për këtë çështje ka folur edhe legjenda e klubit dhe njëkohësisht drejtues i Juventusit, Giorgio Chiellini, i cili ka qenë i prerë:
“Ne nuk mundemi dhe nuk duam ta blejmë atë menjëherë.”
Si pasojë, Juventusi ka nisur të shqyrtojë alternativa të tjera për repartin ofensivë.
Klubi po punon paralelisht në disa fronte, duke rinisur kontaktet për Joshua Zirkzee nga Manchester United, si dhe duke monitoruar situatën e Federico Chiesa-s te Liverpooli.
Kthimi në Torino i drejtorit sportiv Marco Ottolini pa En-Nesyri, i cili qëndroi në Stamboll të shtunën në vend që të udhëtonte drejt Italisë me drejtorin, tashmë shihet si një kapitull i mbyllur.
Marrëveshja mes klubeve ishte arritur, por hezitimi i lojtarit e vuri gjithçka në rrezik, duke bërë që Juventusi të humbasë durimin dhe të ecë përpara me opsione të tjera në javën e fundit vendimtare të merkatos. /Telegrafi/




















































