LAJMI I FUNDIT:

Emërime të reja, apo të vjetra në Kulturë

Emërime të reja, apo të vjetra në Kulturë

Prej më shumë se nëntë vitesh posti më i lartë i përfaqësimit të shqiptarëve në Ministrinë e Kulturës ka qenë ai i sekretarit shtetëror, përveç atij “honorifik” të këshilltarit shtetëror, shkruan gazeta KOHA. Edhe pse ende nuk dihet nëse do të ketë ndryshime, ose shqiptarët do të përfaqësohen me zëvendësministër, ndryshimet ligjore të Ligjit për administratën, ia japin kompetencat për emërimin e sekretarit shtetëror kreut të institucionit, i cili duhet ta përzgjedhë vartësin e tij nga radhët e punonjësve që ushtrojnë një post drejtues prej disa vitesh brenda ministrisë. Mandati i sekretarit shtetëror skadon me atë të ministrit që e ka emëruar dhe, sipas ligjit, sekretari mund të vijojë në të njëjtin pozicion pune që ka pasur përpara emërimit.

Edhe pse emërimi bëhet pas konsultimeve ndërpatartiake, të drejtën për të vendosur e ka ministri. Në Ministrinë e Kulturës, përveç Nermin Ademit, këshilltar shtetëror për mbrojtjen e trashëgimisë, edhe një shqiptar tjetër është drejtues sektori, Avzi Demiri në Sektorin e Integrimeve Evropiane dhe industrive kreative, ndërkohë që mandati i sekretarit aktual, Behixhudin Shehapi skadon pas një viti, që nënkupton se Shehapi mund të jetë një nga zgjedhjet ose ministri do të emërojë një kuadër tjetër. Se cilat do të jenë kandidaturat për këtë post nuk dihen, ndërkohë që brenda këtij institucioni kanë filluar lëvizjet.


Mësohet se një pjesë e punonjësve që kanë mbajtur poste të larta, si ato të këshilltarëve shtetërorë, numri i të cilëve u rrit ndjeshëm vitet e fundit duke arritur në tetë, e të tjerë janë bërë gati të japin dorëheqje. Tek pjesa shqiptare e të punësuarve, përqindja e të cilëve është mbi 30 për qind, priten lëvizje, kryesisht të kryhet procesi i sistematizimit të vendeve të punës. Rreth 90 për qind prej tyre ndodhen jashtë godinës së Ministrisë, përkatësisht në Drejtorinë për afirmimin e avancimin e kulturës së pakicave, ndërsa një numër i vogël në Ministri. Nëse do të ndryshojë struktura e përfaqësimit në poste drejtuese, do të shihet pas ardhjes së ministrit të ri Robert Allagjazov, i cili do të drejtojë me 12 sektorë, pesë njësi dhe një drejtori.

Në deklarimet publike Allagjazov është shprehur me tone të ashpra lidhur me projektin “Shkupi 2014”, por edhe për projektet që lidhen me trashëgiminë, si pezullimin e punimeve në Kalanë e Shkupit, por edhe për projektin për restaurimin e amfiteatrit në lokalitetin Skupi.

Ndërkohë që disa prej çështjeve më urgjente që do të gjenden në tavolinën e ministrit të ardhshëm, përveç sistematizimit të vendeve të punës, do të jenë edhe përfundimi i projekteve që po zvarriten prej vitesh, si rikonstruktimi i Teatrit Shqiptar, ndërtimi i Teatrit dhe Bibliotekës në Tetovë, përfundimi i projekteve të pezulluara që lidhen me trashëgiminë, si ai i Kalasë së Tetovës, gërmimet arkeologjike në zonën e Pollogut, mbrojtja e një sërë monumentesh të kulturës, e mbi të gjitha, ndarja e drejtë e buxhetit për projektet që lidhen me kulturën shqiptare dhe institucionet e kulturës shqiptare.