LAJMI I FUNDIT:

Emblema e Prizrenit dhe Shtëpia e Nastradinit

Me 16 shtator të vitit 2009 në Prizren, në restorantin ‘Beska-Besimi’, ishin mbledhur një grup njerëzish, shumica e të cilëve ishin edhe funksionarë të komunës së Prizrenit. Të pranishëm në mbledhje ishin Refki Kasi, udhëheqës i debatit Bashkërenduesi i Qendrës ICEC, Nijazi Kryeziu, kryetar i Komisionit për hartimin e statutit të ri të KK të Prizrenit, Erxhan Shpata, Memnuna Ajdini, Qemajl Kurtishi, Altaj Suroy dhe disa të tjerë. Atë ditë, askush nuk do të besonte se muhabeti i këtyre njerëzve do të përfundonte në Gjykatën Kushtetuese të shtetit të Kosovës. Arsyeja e udhëtimit juridik ishte se disave prej këtyre njerëzve nuk u pëlqente emblema e komunës pasi në të kishte shtëpinë-simbol të Lidhjes së Prizrenit dhe se nuk kishte sqarim me shkrim për simbolin në të gjitha gjuhët e mundshme. Dhe, këtë punë ata e quajtën jokushtetuese dhe ndërmorën masa për “rregullimin” kushtetues të saj.

Në shikim të parë kjo ndodhi ngjason në përrallën e atij që e gjuan një gur në bunar. Në fakt, problemi është shumë më i thellë pasi, siç u pa edhe më vonë, kjo është një tendencë për t’i shembur të gjithë gurët e bunarit. Në procesverbalin e mbledhjes ‘Beska-Besimi’ janë dëshmitë të cilat shpalosin një veprim dashakeq dhe antishqiptar i cili për çudi u shndërrua edhe në vendim juridik duke u fuqizuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.


Nëse përqendrohemi te fjalët e një personazhi të çuditshëm të kësaj historie, te Altaj Suroy (emri i lindjes së të cilit është AFRIM SURROI por i cili me një tjetër vendim gjykate e ndërroi në Altay Suroy) do të shihnim qëllimin e tij. Ai, në fjalën e tij në mbledhjen e 16 shtatorit 2008 pohon se nuk ka asgjë kundër Lidhjes së Prizrenit pasi që kjo organizatë, sipas tij, qenkësh themeluar nga ‘Sulltan Murati II’! Një korrigjim i shpejtë i këtij pohimi do të bënte me dije se Lidhja e Prizrenit është themeluar në vitin 1878 dhe në atë kohë sulltan ka qenë Abdylhamiti. Natyrisht, Sulltan Murati II, është ai që e rrethoi Krujën bashkë me birçen e tij po ashtu gjakpirës, sulltanin tjetër të ardhshëm, Mehmetin e II, për ta gjunjëzuar Skënderbeun por pasi nuk mundi ta bëjë këtë u kthye duarkryq prej nga kishte ardhur dhe nga marazi i turpit dhe poshtërimit që s’arriti ta mundte Skënderbeun, e lëshoi shpirti në Edrene. Dhe pyetet njeriu, pse këta njerëz hutohen me kohët e historisë? Sepse Skënderbeu, si duket, ua ka çrregulluar sahatin e historisë qysh atëherë.

Por, pjesa e dytë e thënies së Suroy-it nuk është gabim e as lëshim. Aty është përmbajtja shumëdimensionale dashakeqe dhe antishqiptare. Nëse thuhet që Lidhjen e Prizrenit e paskëshin themeluar turqit me urdhër dhe nën patronat qoftë edhe të ‘Sulltan Murati II’, atëherë përfundon muhabeti, pasi që shqiptarët mbeten edhe pa lëvizjen e tyre më të rëndësishme kombëtare. Kështu del që shqiptarët nuk duhet të kenë as shtet, as memleqet. Ka kohë që njerëz si Suroy me “kulubet” e tyre janë duke vepruar që ta bëjnë Kosovën si shtëpinë e Nastradinit së cilës dëshirojnë t’ia kthejnë hyrjen herë kah Beogradi e herë kah Stambolli apo edhe dikah tjetër, sipas nevojës dhe midesë së tyre.

Pjesa tjetër e tregimit që përmban udhëtimin e vendimit të “pakënaqësisë” së minoriteteve në lidhje me emblemën e komunës së Prizrenit tashmë dihet. Nga një iniciativë politike çështja u shndërrua në vendim gjyqësor të nxjerrë nga gjykata më e lartë e vendit.

Kjo iniciativë, me gjithë peshën e saj destruktive, nuk duhet të na habisë aq sa na ka habitur Gjykata Kushtetuese. Kjo gjykatë, duke dashur kinse të veprojë për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve, është kthyer kundër të drejtës së shumicës së popullsisë, duke ia mohuar kësaj shumice përdorimin e simbolit, që paraqet pikërisht themelin e historisë së shumicës së tyre e cila në këtë rast ka qëlluar të jenë shqiptarët.

Merreni me mend tashti sikur qytetarët francezë me prejardhje berbere të kërkonin ndërrimin e stemës apo të emblemës së Francës apo britanikët me prejardhje kashmirase apo guxhuratiane të kërkonin të ndërrohej emblema britanike. Apo që shqiptarët ose kurdët në Republikën e Turqisë të kërkonin ndërrimin e emblemës së Turqisë ngaqë nuk janë ‘të përfaqësuar’ aty! Dihet përgjigjja. Atëherë, pse te ne nuk veprojnë ligjet sikur në të gjithë botën? Gjykatat e Kosovës, sikur edhe të gjitha gjykatat tjera në botë, obligohen nga kushtetuta dhe ligjet që të mbrojnë, interesin, mirëqenien dhe moralin e përgjithshëm e jo teket e dyshimta të ndonjë individi që mund të deklarojë se kërkon drejtësi në emër të barazisë së minoriteteve duke e dëmtuar mu themelin e popullsisë shumicë? A ka folur ndonjëherë Altay Suroy për të drejtat e kurdëve në Turqi dhe për gjuhën e tyre amtare kur në mbledhjen “Beska-Besimi” pohon se paskësh lexuar se në një shtet të Afrikës emblema qenkësh shkruar edhe në 11 gjuhë!

Në aktgjykimin që ka nxjerrë Gjykata Kushtetuese dhe që është evidentuar si Lënda Nr. KO 01/09, Qemajl Kurtishi dhe Kuvendi Komunal i Prizrenit, emri i Altay Suroy-it, figuron si anëtar i trupit gjykues! Pra, Altaj efendija, del nga personi ankues në personin gjykues! Prej kur dhe në cilin sistem juridik-gjyqësor personi i njëjtë merr pjesë në nxjerrjen e vendimit, në çfarëdo kapaciteti, në të dy shkallët? Nga procesverbali i mbledhjes del se z. Suroy ankohet dhe jep propozime dhe në fund është ai që i jep edhe vulë. Kështu del që Suroy i ankohet vetvetes! Pra, në Kosovën e një mijë çudirave ndodh edhe kjo: edhe je ankimtar, edhe je gjyqtar!

Si kurorë e gjithë kësaj del edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës i cili e aprovon kërkesën e z. Kurtishi dhe ka plot gabime gjuhësore të cilat krijojnë huti edhe për interpretuesin më me përvojë. Duket që aktgjykimi është nxjerrë së pari në anglisht dhe pastaj është përkthyer në shqip. Por, që të dy gjuhët janë të varfra dhe të shkruara keq. P.sh. “Concurring Opinion” në shqip është përkthyer si “mendim konkurrues” kurse duhet të përkthehet si “opinion pëlqyes” ose si ‘bashkëpajtim’. Natyrisht, për ata me dy palë mend, ‘të konkurrosh’ dhe ‘të miratosh’ janë dy gjëra të papajtueshme.

Në mënyrë që kjo gjykatë ta përfundojë punën ashtu siç e ka nisur (mbrapsht), duhet ta delegojë Altaj Suroy-in prapë edhe në mbledhjen e ardhshme të komunës së Prizrenit ku do të shqyrtohet sërish çështja e statutit dhe e emblemës. Aty, Suroy kadia, për herë të tretë, do të ulej serbez si babaxhan në mahqeme për t’ju dhënë ders, tabijat e nasihat edepsusve arnautë se si duhet nxjerrë vendimet në dëm të shumicës dhe kundër të gjitha parimeve juridike, historike e njerëzore.

Megjithatë, ironinë anash, edhe kjo e keqe e ka një të mirë. Letra e Gjykatës Kushtetuese dërguar para disa ditësh komunës së Prizrenit, ofron shpresë që puna të mos përfundojë edhe aq keq. Kryetari i kësaj gjykate, duke deklaruar se në vendim nuk është folur për imazhin e shtëpisë së Lidhjes së Prizrenit, ka sqaruar domethënien e asaj pjese (Dispozitivi: 57. 4) ku komuna urdhërohej “që të ndryshoj statutin dhe emblemën e saj”. Deri atëherë kjo kishte disa kuptime. Mirëpo tashti ka vetëm një kuptim pasi që sipas fjalëve të kryetarit gjykata nuk është marrë me shtëpinë simbol. Për shkak të pozitës (funksionit) të kryetarit, këto fjalë duhet të merren si interpretimet më autoritative.

Prandaj, ky interpretim, që është edhe këshillë, duhet t’i shërbej komunës së Prizrenit, si bazë që në nxjerrjen e vendimit të ardhshëm të ruhet imazhi simbol, Shtëpia e Lidhjes.

Në trend

Më shumë
Meç i madh i boksit mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk - detajet minutë pas minute

Meç i madh i boksit mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk - detajet minutë pas minute

Boks
Demografia evropiane - cili shtet ka natalitetin më të lartë dhe ku qëndron Kosova?

Demografia evropiane - cili shtet ka natalitetin më të lartë dhe ku qëndron Kosova?

Evropa
Mospërfshirja e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE, reagime të ashpra ta deputetëve gjermanë – kritikojnë qeverinë e tyre

Mospërfshirja e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE, reagime të ashpra ta deputetëve gjermanë – kritikojnë qeverinë e tyre

Lajme
“Vuçiq paguan paraprakisht në rast të fitores së Trumpit”, mediat botërore shkruajnë se si dhëndrit të ish-presidentit amerikan iu shit ndërtesa e Shtabit të Ushtrisë Serbe

“Vuçiq paguan paraprakisht në rast të fitores së Trumpit”, mediat botërore shkruajnë se si dhëndrit të ish-presidentit amerikan iu shit ndërtesa e Shtabit të Ushtrisë Serbe

Serbia
Gjithçka çfarë duhet të dini për meçi mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk: Koha, titujt, rekordet dhe pesha e tyre

Gjithçka çfarë duhet të dini për meçi mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk: Koha, titujt, rekordet dhe pesha e tyre

Boks
Projekti më i mirë, Piramida e Tiranës fiton çmimin e madh për Evropën Juglindore

Projekti më i mirë, Piramida e Tiranës fiton çmimin e madh për Evropën Juglindore

Lajme
Kalo në kategori