Në Samitin Global të NVM-ve në Davos, ambasadorja Elvana Shala theksoi rolin e rinisë, diasporës dhe ndërmarrjeve të vogla si motor i zhvillimit ekonomik dhe imazhit të ri të Kosovës

Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në International Human Rights Commission, Elvana Shala, po qëndron në Davos të Zvicrës, ku me ftesë të Rrjetit Global të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme me seli në Zvicër, po merr pjesë në edicionin e parë të Samitit Global të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, i cili organizohet në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror.


Para pjesëmarrësve nga mbarë bota, ambasadorja Shala foli për vizionin e Kosovës dhe rolin e ndërmarrjeve të vogla e të mesme si motor kryesor të zhvillimit ekonomik, inovacionit dhe lidershipit të ri.

Gjatë fjalimit, ajo theksoi rininë tonë si potencialin kryesor, duke përfaqësuar energjinë dhe idetë e reja për transformim ekonomik dhe shoqëror.

“Liderë të rinj po lindin nga sektori privat, startup-et dhe diaspora, duke sjellë kreativitet dhe bashkëpunim ndërkombëtar. Gratë, të rinjtë dhe komunitetet e margjinalizuara janë në qendër të programeve të fuqizimit ekonomik, duke kontribuar në një zhvillim më të drejtë dhe të qëndrueshëm”, tha Shala.

Me theks të veçantë, ajo foli edhe për rolin e diasporës sonë, duke theksuar se përveç investimeve financiare, diaspora sjell ekspertizë, njohuri dhe rrjete globale, duke forcuar lidhjen e Kosovës me tregjet ndërkombëtare.

Në vijim, ambasadorja potencoi se:

“Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë nuk janë vetëm motor ekonomik, por edhe shtylla të rëndësishme të shtet-ndërtimit. Përmes krijimit të vendeve të punës, nxitjes së inovacionit, tërheqjes së investimeve dhe formalizimit të ekonomisë, ato kanë kontribuar në forcimin e institucioneve, sundimin e ligjit dhe fuqizimin e komuniteteve.”

Sipas saj, ky proces ka forcuar gjithashtu imazhin ndërkombëtar të Kosovës si një vend i ri, inovativ dhe me vizion të qartë për të ardhmen. “Kosova është duke u shndërruar në një shembull frymëzues të një kombi të vogël me vizion të madh, ku NVM-të dhe lidershipi i ri përbëjnë bazën e një ekonomie të qëndrueshme dhe të hapur ndaj botës.”

Në përmbyllje, Shala dha mesazhin se Kosova është dëshmi se sfidat mund të tejkalohen përmes unitetit, lidershipit dhe gjithëpërfshirjes, duke ndërtuar një të ardhme më të mirë për qytetarët e saj dhe duke u bërë një partner i fortë në arenën ndërkombëtare. Si shembull, ajo përmendi kompani vendore si Gjirafa, e cila tashmë është pjesë e rëndësishme e tregut global. /Telegrafi/