LAJMI I FUNDIT:

Elon Musk kalon edhe MacKenzie Bezos në listën e të pasurve

Elon Musk kalon edhe MacKenzie Bezos në listën e të pasurve

Vlera e aksioneve si dhe kapitali i tregut të kompanisë Tesla, ka shënuar një rritje këtë muaj.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Elon Musk i cili posedon rreth 34 milionë aksione të Teslas, ka parë rritje të shifrave kohëve të fundit, duke e mposhtur edhe kompaninë Toyota, dhe po cilësohet si kompania më e vlefshme e automobilave në botë.


Vetëm më 2 korrik, tregu i aksioneve amerikane, njoftoi se Tesla prodhoi mbi 82 mijë automjete dhe shpërndau afro 90 mijë vetura në tremujorin e dytë, pavarësisht kufizimeve të vendosura për shkak të pandemisë së coronavirusit.

“Megjithëse fabrika jonë kryesore në Fremont u mbyll për pjesën më të madhe të tremujorit, ne kemi rritur me sukses prodhimin në nivelet e mëparshme”, tha kompania Tesla.

Kështu, vlera totale e aksioneve të përgjithshme të kompanisë Tesla u rrit në 252.5 miliardë, krahasuar me atë të Toyotas e cila posedon vlerën prej 173.3 miliardë.

Sipas Indeksit të Miliarderëve nga Bloomberg, i cili gjurmon “lëkundjet” financiare të të pasurve, thuhet se vlera e neto e pasurisë së Musk,është 63.5 miliardë dollarë, pasuar me MacKenzie Bezos e cila posedon 60.4 miliardë dollarë, pas tyre vjen Charles Koch me 51.9 miliardë dollarë, dhe Jack Ma me 49.7 miliardë dollarë.

Mirëpo, Musk mbetet ende mbrapa miliarderëve të tjerë, si Jeff Bezos, i cili posedon 182 miliardë dollarë, Bill Gates i cili është i pasur me 115 miliardë dollarë, Mark Zuckerberg me 91 miliardë dollarë, Steve Ballmer me 75 miliardë dollarë dhe Warren Buffet me 72.1 miliardë dollarë./Telegrafi/