Ellie Goulding është parë për herë të parë në publik me të dashurin e saj të ri, aktorin 28-vjeçar Beau Minniear, gjatë një shëtitjeje në Londër.

Këngëtarja 38-vjeçare u duk e qeshur dhe e relaksuar, ndërsa partneri i saj dukej i afërt me të gjatë daljes së tyre, vetëm pak ditë pasi ajo u kritikua për deklaratën se protestuesit britanikë e bënin të turpërohej që ishte britanike.


E veshur thjesht me rroba sportive, Ellie u shfaq pranë Beau, i cili mbante një veshje të zezë, shkruan DailyMail.

Sipas “The Sun”, dyshja mendohet se janë njohur në fillim të këtij viti, ndërsa fansat kanë dyshuar për lidhjen e tyre që prej korrikut, kur këngëtarja postoi një video në TikTok ku shihej pranë një burri që dyshohej se ishte ai.

Romanca e re vjen pas ndarjes së Ellie-t nga bashkëshorti Caspar Jopling, me të cilin ka një djalë katërvjeçar, Arthur.

Çifti i njohur u nda vitin e kaluar pas pesë vitesh martesë, duke deklaruar se jetët e tyre kishin marrë drejtime të ndryshme, por se mbeten miq për hir të fëmijës së tyre.

Këto zhvillime ndodhin në një moment kur këngëtarja është në qendër të kritikave për shkak të një postimi në Instagram, ku shprehu zhgënjimin e saj ndaj protestave anti-migrante në Mbretërinë e Bashkuar.

Ajo shkroi se ndihej e turpëruar që ishte britanike, duke ndezur debate të gjera në rrjetet sociale. /Telegrafi/