Elita politike dhe shteti social
-Vështrim socio-politik-
”Pushtetin nuk duhet udhëhequr klasa më e pasur, sepse ajo e shtypë dhe e shfrytëzon deri në skajshmëri shumicën dërrmuese të popullit. Gjithashtu, pushtetin nuk duhet lënë në duar të klasës më të varfër, sepse ajo brenda natës synon që ta pasurohet sipas yrnekut të klasës më të pasur. Pushtetin duhet udhëhequr klasa e mesme e shoqërisë, e cila është balancuesi më i sigurt i interesave të përgjithshme kombëtare dhe shtetërore” - (Aristoteli)
Kriza e fundit globale në sferën financiare, me gjithë tendencat e përmirësimit në disa segmente apo edhe në disa shtete, ka lënë një shkapuritje, «nën qilim» duke i vënë në sipërfaqe edhe dobësitë në zhvillimin e deritashëm sipas modelit i cili më shumë është mbështetur në intensitetin e punës. Duket se përshtatja e ekonomisë ndaj nevojave jetësore kishte ngecur ose nuk kishte lëvizur sipas dinamikës që do ta kërkonte koha, prandaj edhe u shfaq kriza financiare dhe ekonomike.
Pyetja e dyfishtë në këtë drejtim është: 1) A mos na ka zënë gafil kjo krizë shkaku i ndonjë paaftësie ose hezitimi nga vetëkënaqësia e gjertanishme për të mos e ndryshuar gjendjen; dhe 2) shfaqjen e krizës e kanë shkaktuar elitat udhëheqëse për llogari të një pakice të vogël dhe në dëm të shumicës së madhe të popullsisë?
Përvoja nga praktika, sidomos e vendeve gjatë tranzicionit emergjent për në demokraci dhe ekonomi të tregut, fazë në të cilën gjendet tani Kosova, i jep më shumë arsye shkakut të dytë, që do të thotë se kriza mund të shkaktohet me qëllim nga elita politike.
Nëse marrim shembullin e tranzicionit emergjent në fillim të viteve 1990-ta që u karakterizua me shpërbërjen e dy federatave, asaj të ish-Bashkimit Sovjetik dhe ish-Jugosllavisë, do të vërejmë disa ngjashmëri. Ngjashmëria e parë është krijimi i një elite të re politike që do të bëjë premtime për mirëqenie ekonomike të popullsisë në ekonominë e tregut që ishte në krijim. Por çka ndodhi në të vërtetë dhe çfarë qëllimi kishte elita?
Në Rusi u krijua një elitë politike me në krye Boris Jelcinin me premtimin për përmirësimin e jetës ekonomike dhe mirëqenies sociale të rusëve në një model të ri ekonomik – atë të tregut. Jelcini ishte i lidhur me një grup biznesmenësh politikisht pasiv ose jo aktiv. Biznesmenët së bashku me elitën politike filluan të përkujdesen për mirëqenien e tyre personale dhe grupore nga resurset e popullsisë.
Pasojat e kësaj politike ekonomike të mirëformuluar në letër për mirëqenien ekonomike të rusëve do t'i vuaj ekonomia ruse dhe populli rus gjatë tërë viteve 1990-ta, që u manifestua me rritjen e dukshme të diferencave në mirëqenien ekonomike duke e bërë elitën (politike dhe ekonomike) të pasur, dhe pauperizimin apo varfërimin e shtresave të gjëra të popullsisë.
Në ish-Jugosllavi, respektivisht në disa shtete që dolën nga ajo, si për shembull në Serbi, dhe Kroaci, është vërejtur një skenar pak a shumë i ngjashëm. Në Serbi, udhëheqja nacionaliste nën Millosheviqin koncentrimin e pasurisë në një grup të lidhur me të, kryesisht në biznesin e ndërmarrjeve shoqërore gjatë procesit të privatizimit. Ndoshta edhe më i theksuar dhe fare më hapur ka qenë rasti i elitës politike në Kroaci nën udhëheqjen e Tugjmanit.
Familja e Tugjmanit ishte bërë pronare e shumë aksioneve në disa ndërmarrjeve që privatizoheshin, sidomos në disa hotele në bregdetin e Adriatikut. U krijua një lloj kapitalizmi selektiv për elitën politike dhe politikanët nën hije të quajtur biznesmenë, ndërsa u përkeqësua mirëqenia për pjesën dërrmuese të popullsisë. Pasojat e asaj politike do t'i kushtojnë Kroacisë në vonesën e saj për anëtarësim në Bashkësinë Evropiane (BE).
Fqinji i Kroacisë, Sllovenia, kishte një politikë më të balancuar sociale dhe kjo është arsyeja pse kjo sot është anëtare e BE-së. Kaluan ato epokat e kapitalizmit diskriminues dhe të egër në Kroaci pasi e mori pushtetin partia me orientim pro BE-së - social demokracia. Edhe në Slloveni për momentin shtetin e udhëheqin social demokratët.
Po të merret parasysh fillimi i hershëm i tranzicionit, klikat e Millosheviqit dhe Tugjamnit nuk kishin qenë elita politike në kuptimin e duhur të fjalës. Ato u bënë elita pas përkushtimit të tyre për një mirëqenie më të mirë të vetes duke i eksploatuar të tjerët ose masat e gjëra.
Po të kthehemi në rastin e Kosovës, elita politike nuk ka ekzistuar dhe as që ekziston sot e kësaj dite, përjashto këtu elitën e tanishme e cila me tepër i përngjan një elite krimi të organizuar, korrupsioni, hajnisë së hapur, e dikush nga mllefi do të thoshte edhe mafi shtetërore. »Elita« politike e Kosovës ka shumë dallim nga të gjitha ato që përmendem më lartë.
Së pari, »elita« e tanishme nuk ka qenë kurrfarë elite në të kaluarën në asnjë aspekt. Ata u bënë elitë vetëm duke përfituar ilegalisht nga resurset e shtetit. Së dyti, derisa në elitën politike të Jelcinit, Millosheviqit, Tugjmanit gravitonin njerëzit e caktuar nga shteti dhe kombi i tyre me lidhje të ndërsjella, në Kosovë gravitojnë shumë edhe ndërkombëtarët të cilët e kanë »elitën« politike të Kosovës si shërbëtor të tyre.
Ky lloj kleintelizmi e ka ngulfatur inciativën e lirë progresive të qytetarëve dhe shoqërisë, konkurrencën e drejtë, sundimin e ligjit dhe transparencën një ndër parimet bazë të ekonomisë sociale të tregut.
Ekonomia sociale e tregut është modeli kryesor i shteteve anëtare të BE-së. Nëse ne duam të integrohemi në BE, për çka »elita« politike e Kosovës, por edhe shtresat tjera të popullsisë, duke përfshirë edhe qytetarët e thjeshtë, deklarojnë ditë e natë më shumë se që kanë deklaruar shtetet tjera para se të anëtarësohen në BE, atëherë për këtë duhet përgatitur, miratuar dhe zbatuar politikat e shtetit social dhe të ekonomisë sociale të tregut. Pa këto, BE-ja do të na thotë: »Ku po e theni qafën e po doni? A nuk keni ide se cilat janë politikat tona të shtetit social që duhet zbatuar..?
E ardhmja e Kosovës nuk është në frazat e përgjithësuara boshe e stërbajate të »elitës« si »integrimi në BE dhe strukturat Euro-Atlantike«. E ardhmja e Kosovës së pari dhe së fundi duhet të jetë shteti social. Pikë!.
(Autorja është e diplomuar në Shkencat politike)



































