LAJMI I FUNDIT:

Eliminimi i borxhit

Eliminimi i borxhit

Të fitosh pasuri, të bëhesh i pasur, duhet t’i kesh nën kontroll paratë, t’i vlerësoni ato dhe t’i drejtoni atje ku ka nevojë dhe arsye


Abdirahim Idrizi
Poliklinika “Galaxy”
abdirahimidrizi@gmail.com

Arma e pasurisë është të parashikosh, organizosh, të jesh kreativ, këmbëngulës në atë që do. Po arrite t’i kontrollosh financat, ti ke arritur ta shumëzosh pasurinë që ke.

Me rëndësi është të identifikohet problemi, të identifikohet kundërshtari financiar. Nëse e keni zbuluar kundërshtarin, ju arritët ta fitoni luftën, ju jeni fitimtar. Kundërshtarin e zbulon matematika.

Llogariteni se sa keni shpenzuar, sa keni blerë për 5 vitet e fundit, veturën me kredi, mobile, aparate për amvisni, aparate elektrike, veshmbathje të tepërt…, të gjitha këto i keni paguar me kredi me kamata të mëdha për 5 vjet. Sot pas pesë vitesh, vetura është vjetruar, është amortizuar për 50 për qind, e njëjta gjë ka ndodhur edhe me mobilet, aparatet elektrike etj.

Do të thotë kundërshtar i yni është kredia dhe kamata që, me dashje apo pa të, ka arritur të depërtojë në xhepin tonë, ka arritur të na shtyjë që ne të punojmë për bankën tërë kohën. Të paguajmë kamata, pra të punojmë edhe për të tjerët.

Kjo do të thotë që jemi bërë peng i një propagande bankare dhe të tregtarëve të pandërgjegjshëm që kanë një aleancë me mediet në këtë trekëndësh, dhe kanë edhe bekimin e përkrahjen e qeverisë. Ky trekëndësh është në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë. Do të thotë kundërshtari ynë është lakmia, jemi vetë ne.

Besoj se deri tani keni arritur të kuptoni se duhet të çliroheni nga borxhet, të jeni i lirë financiarisht dhe të bëhuni të pasur.

Lajmi i mirë është se keni vendosur ta eliminoni borxhin. Disa persona janë përtacë, hezitojnë, janë pajtuar,me këtë të keqe. Për të marrë një vendim për ta eliminuar borxhin, thamë më lart se duhet ta shtrëngojmë rripin e dhe të kërkojmë punë shtesë që t’i shtojmë të ardhurat për ta paguar borxhin.

– Duhet t’i kontrolloni paratë tuaja, të dini se ku i shpenzoni ato. Ky është hapi më i rëndësishëm, hapi më i rëndë për ju dhe për suksesin financiar. Nuk është me rëndësi se sa është i rëndë, por dije se ia vlen, sepse do të shpërbleheni shumëfish.

Ky hap që ju merrni do të bie në sy shumë shpejt te familjarët, te shokët, te miqtë. Ata do të vërejnë iniciativën tuaj. Ata ndoshta në fillim do të tallen me ju, por besoni se shumë shpejt do të vërejnë ndryshime pozitive dhe do të bëhen xhelozë për suksesin tuaj, dhe shumë shpejt do t’ju bashkëngjiten.

Nëse besoni se pasuria e juaj nuk është ëndërr, se pasuria e juaj është realitet, atëherë ju do të jeni në gjendje të sakrifikoni kohën dhe mundin vetëm e vetëm për t’u çliruar nga borxhet. Përveç se do të jeni i pasur, juve do t’ju zhduken brengat, do të keni gjumë të rehatshëm, do të arrini suksese të reja në punë dhe në financa.

Ju, kur nuk keni borxhe, nuk mendoni për pagesa kredie, ju pushoni, jeni në gjendje të bëni plane për kursime. Kemi arritur të dëshmojmë se me punë, angazhim, interesim, realizohen 80 për qind të të ardhurave personale, ndërsa nga arsimimi vetëm 20 për qind.

Neve na intereson që ta ndryshojmë mënyrën e të menduarit dhe të sjelljes, do të thotë shumë me rëndësi është motivimi-psikologjia e motivimit. Do të thotë, merre fletën dhe lapsin dhe shkruaj. Hartoje listën e borxheve. Nëse ke borxhe të vjetra, atyre jepu prioritet.

Arsyeja që t’i shkruani borxhet në letër është psikologjike. Kur arrini ta paguani borxhin, jeta e juaj nuk do të përmirësohet shpejt. Matematikisht nëse llogariten, motivimi për eliminimin e borxhit është një fuqi, është një lehtësim për të vazhduar përpara drejt eliminimit të të gjitha borxheve.

Pjesa më e vështirë është të arrijmë në zero, të jemi të lirë financiarisht. Zeroja të çliron nga ankthi, të sjellë fitim më së shumti. Tani je i gatshëm për investime, je i gatshëm të pasurohesh, gjithashtu arrin harmoni në familje dhe qetësi shpirtërore.

Procesi është i thjeshtë, por nuk është i lehtë, kërkon një bashkëpunim me të gjithë anëtarët e familjes, kërkon një përkrahje nga të gjithë, kërkon një angazhim si në punë ashtu edhe me kursimin e financave. Të gjithë anëtarët e familjes duhet të arrijnë një konsensus për të pasur sukses në financa.

Përmbahuni

Muajt e parë janë të vështirë por kërkojnë durim, vetëpërmbajtje, sakrifikim. Duhet të jeni i vendosur dhe radikal për nevojat tuaja financiare. Ashtu do të arrini që paratë tuaja të vazhdojnë të rrjedhin e të shtohen, të shumëzohen. Në momentin që fillojnë të rrjedhin, ato më nuk dinë të ndalen.

Duhet të bëhet një kontroll në shtëpi, duhet të shikohen gjërat që nuk përdoren a kanë vlerë. Gjërat që nuk përdorën duhet të shiten apo t’i falen dikujt që të mos ju zënë vend pa nevojë.

Borxhi është shumë i rëndë, me borxhe nuk ka liri. Ka raste të jashtëzakonshme që njeriu merr borxh, por kurrsesi nuk arsyetohet të marrë kredi/borxh për banesë, veturë, për mobile, për gardërobë etj.

Borxhi të shkakton çrregullime të ndryshme, të sjellë probleme, t’i shton brengat. Por, megjithatë, nuk kemi guximin, nuk e marrim hapin ta shesim veturën, të shesim nëse kemi tokë, t’i shesim stolitë e arit nëse kemi, vetëm e vetëm ta paguajmë borxhin.

Nëse nga të ardhurat nuk arrin ta paguash borxhin, mundësitë tua financiare nuk premtojnë, atëherë kërkoni punë shtesë, kërkoni të punoni jashtë orarit, shtojeni orarin e punës, shkoni te punëdhënësi tregojani gjendjen tuaj financiare, ai do t’ju kuptojë se ju jeni vetëdijesuar dhe jeni i gatshëm ta shtoni kujdesin. Besoj se shumë shpejt ju do të punoni më shumë dhe do të paguheni më shumë, dhe kështu do të arrini ta paguani borxhin.

Nuk është turp të kërkoni nga punëdhënësi punë, nuk është turp të punoni në dy vende pune, nuk është turp të punoni jashtë orarit të punës, nuk është turp të kërkosh të shpërblehesh për punën që punon.

Sa më tepër punon, aq më i shëndoshë do të jesh dhe më tepër do të paguhesh, ashtu edhe më shumë fat do të kesh. Tani ke arritur të fitosh më shumë, të shpërblehesh për punët që i punon, të lirohesh nga ankthi i borxhit, dhe të jesh i pasur. /Telegrafi/