LAJMI I FUNDIT:

Ekstravaganca e Bebe Rexhës që la gjurmë në tapetin e kuq të MTV EMA – stilistja Fjolla Nila tregon se si u krijua kreacioni i veçantë

Ekstravaganca e Bebe Rexhës që la gjurmë në tapetin e kuq të MTV EMA – stilistja Fjolla Nila tregon se si u krijua kreacioni i veçantë

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, shënoi një sukses megaloman gjatë vitit 2022 me hitin e saj “I’m Good (Blue)” në bashkëpunim me DJ David Guettan.

Një nga paraqitjet e saj më të shquara gjatë vitit që lamë pas është padyshim ajo në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, MTV Europe Music Awards 2022.


Në tapetin e kuq të këtij eventi, Rexha kishte marrë vëmendjen e të gjithëve me fustanin blu në formë petaleje dhe shumë esktravagant, i cili mban vulën e një stilisteje shqiptare.

Bebe Rexha në tapetin e kuq të MTV Eurpe Music Awards 2022 (Foto: Ian West/PA Images via Getty Images)

Është pikërisht kjo kreatorja nga Peja, Fjolla Nila, e cila në një bisedë për Telegrafin ka ndarë eksperiencën e saj të të punuarit me artisten shqiptare me renome botërore.

“Veshja e Bebe Rexhës është dizajnuar duke u inspiruar në tematikën e projektit të saj të fundit muzikor “I’m good (Blue)” dhe preferencat e këngëtares që veshja të jetë sa më dramatike dhe skenike. Sigurisht që ka qenë mjaft sfiduese realizimi i veshjes pasi që ishte hera e parë që punojmë me Beben dhe ekipin e saj, po përkushtimi maksimal i ekipit FN dhe komunikimi i lehtë me Bebe Rexhës dhe stilistin e saj na mundësoj të kemi një bashkëpunim shumë të suksesshëm”, ka thënë Fjolla Nila për Telegrafin.

Fjolla Nila dhe Bebe Rexha në prapaskenat e NRJ Music Awards 2022 (Foto: Fjolla Nila/Instagram)

Tutje, Nila ka bërë të ditur se mënyra se si erdhi deri te rënia në kontakt me këngëtaren dhe ekipin e saj, është fakti se brendi i saj ‘Fjolla Nila’ është shndërruar tashmë në brend ndërkombëtar.

“Tani pesë vitet e fundit Fjolla Nila ka treguar një sukses shumë të madh të një brendi ndërkombëtar, duke u zgjedhur nga shumë artistë të tjerë për paraqitjen e tyre nëpër evente të ndryshme të tapetit të kuq, kështu që mendoj se stilisti dhe ekipi e Bebe Rexhës thjesht kanë qenë të fascionuar nga puna jonë dhe suksesi që kanë arritur të shohin nga rrjetet sociale dhe revistat e ndryshme, nga bashkëpunimet tona me artistë të ndryshëm duke parë kështu edhe koleksionet tona”, theksoi Fjolla.

Fjolla Nila dhe Bebe Rexha në prapaskenat e NRJ Music Awards 2022 (Foto: Fjolla Nila/Instagram)

Faktin që ajo pati mundësinë të dizajnojë veshjen e tapetit të kuq për në MTV EMA 2022 dhe veshjen skenike të Bebe Rexhës për në NRJ Music Awards 2022, e bën stilisten Nila që ta ruajë këtë si një nga eksperiencat më të mira në arkivin e sukseseve të saj.

“Po ne gjatë MTV EMA 2022 dhe NRJ Music Awards 2022 kemi qenë pjesë e ekipit të Bebe Rexhës që deri më tani mund të them që ka qenë njëra ndër eksperiencat më të mira në bashkëpunim me artistët. Profesionalizmi, korrektësia, talenti e mos të harrojmë thjeshtësia dhe modestia e saj dhe i gjithë ekipit të saj na kanë bërë që të ndjehemi shumë mirë dhe të veçantë”, tha stilistja pejane.

E pyetur nëse do të vazhdojë bashkëpunimin edhe këtë vit me artisten e hiteve internacionale, Fjolla se një gjë e tillë do të ndodhë gjithsesi.

“Patjetër që po. Edhe ne edhe artistja në fjalë kemi mbetur shumë të kënaqur pas bashkëpunimeve të realizuara dhe kemi shumë plane të tjera që mbeten të realizohen në vitin 2023”, tha stilistja Nila.

Bebe Rexha në tapetin e kuq të MTV Eurpe Music Awards 2022 (Foto: Jeff Kravitz/FilmMagic)

Për fund, Nila u pyet se çfarë i ka mbetur në memorie nga takimi me interpretuesen e hitit “Meant to be”, duke theksuar se më së shumti nga tiparet e saj, vlerësoi modestinë.

“Ka shumë gjëra të ndryshme të cilat do kisha dashur t’i përmendja, por çfarë më ka bërë më së shumti përshtypje janë fjalët pozitive që i percjellte për punën tonë dhe vlerësimi ndaj gjithë ekipit të saj”, ka përfunduar Fjolla Nila.

Bebe Rexha përndryshe është artistja e vetme shqiptare që këtë vit është nominuar në atë që njihet si mbrëmja më e madhe e ndarjes së çmimeve të muzikës, “Grammy Awards 2023”. /Telegrafi/

Bebe Rexha në tapetin e kuq të MTV Eurpe Music Awards 2022 (Foto: Sven Hoogerhuis/BSR Agency/Getty Images)